“Fryma e Hegelit” në kullat e Jasharëve

Prishtinë | 05 Mar 2022 | 16:33 | Nga Afrim Kasolli

Sa herë që vjen 5, 6 dhe 7 marsi, kur edhe përkujtohet dhe nderohet sakrifica lapidare e Familjes Jashari dhe Komandantit Legjendar, Adem Jashari, vetëtimthi ma pushtojnë mendjen, përsiatjet e Hegelit mbi raportin e njeriut me lirinë dhe vdekjen.

Për këtë filozof, liria nuk është diçka e dhënë. Një dhuratë natyrore. Apo e falur. Por, ajo fitohet. Kurse, çmimi i kësaj fitoreje kalon nëpërmjet një rrugëtimi tragjik. Sepse, sigurimi i lirisë mund të bëhet vetëm nga gatishmëria për ta rrezikuar jetën. Dhe aftësia për ta sfiduar vdekjen.

Madje vetëm në këtë mënyrë ne ngritemi mbi dëshirat animale. Sepse, nuk nxitemi për veprim nga shtysat biologjike, për të plotësuar, si bie fjala, urinë apo etjen, por nga “dëshira antropogjentike” për liri.

“Vetëm duke e rrezikuar jetën” pohon mendimtari gjerman, “ruhet liria, dëshmohet se esenca e vetëdijes mbi vetën nuk është qenia,,
Nuk është depërtimi i saj brenda eskpancionit të jetës,, Individi i cili nuk e ka vënë në rrezik jetën e vet mund të pranohet megjithatë si person; por ai nuk e ka arritur kurrë të vërtetën e këtij pranimi si pranim i vetëdijes mbi vetën të pavarur”

Lirisht mund të themi, se kjo është trashëgimia dhe thesari më i çmuar që na e lanë amanet Jasharajt në atë betejë epike. Na dëshmuan dhe treguan mënyrën e vetme të ndërtimit të “vetëdijes mbi vetën si të pavarur”.

Kurse, hapi nistor drejt jetësimit të këtij ideali mbetet çlirimi nga “frika prej vdekjes kësaj zonje absolute” si thotë Hegeli.

Dhe këtë e bënë Familja Jashari, duke u lartësuar mbi ankthin e mortalitetit dhe “hiçit të qenies”, ata i hapën rrugë avancimit dhe zhvillimit të jetës për një komb të tërë. Asaj jete që mund të lulëzojë dhe shpërthejë e plotë vetëm në liri. Prandaj, edhe sakrifica e tyre shënon njërin nga aktet më ta larta të humanizmit të njohur nga historia evropiane.

Është ky humanizëm, për të cilin dikur shkruante Ukshin Hoti, “ se edhe me çmimin e jetës nuk do ta lejojmë rrënimin e jetës”. Këtë mision fisnik e mishëroi më mirë sa askush tjetër, Adem Jashari me familje.

Ndërkaq, Arben Xhaferi, në shkrimin “Etika e qenies” pohon se flaka në kullat e Jasharajve, vdekja e një familje të tërë, në esencë dogji shtyllat e një rendi të egër dhe jodemokratik sllav në këto hapësira dhe hapi shtegun për një proces që do të sjellë vlera të njëmenda njerëzore, politike dhe morale në këto hapësira. Tash e tutje të gjithë ata që do vijnë pas tij do të micërojnë nga sakrificat e tij mitike dhe theomahëve të tjerë shqiptarë.

Lavdi!

Të ngjashme