Fundi i palavdishëm i politikave pa alernativë

Prishtinë | 07 Nën 2020 | 00:14 | Nga Ridvan Peshkopia

Edhe lepuri, me aq tru sa ka në kokë, shtëpitë e vet nëntokësore e bën me më shumë se sa një vrimë. Dhe kjo ndodh jo vetëm që të mund të ikë kur kërcënohet, por edhe që të sinjalizojnë kundërshtarin (i cili e ka mësuar këtë nga përvoja jetësore) se është e kotë të përpiqesh ta gjuash lepurin në strofkullën e vet. Natyra, një proces i gjatë evolutiv, e ka mësuar lepurin të mbajë hapur opsione për mbijetesë. Por jo shqiptarin.

Prej tre dekadash në Shqipëri dhe dy dekadash në Kosovë, shqiptarët refuzuan të ndërtojnë politika alternative ndaj helmit ideologjik liberal dhe globalist dhe propagandës trullosëse të tij se vendi i shqiptarëve është në Europë (lexo, në rendin e degjeneruar politiko-shoqëror ku vrasja e foshneve të palindura quhet liri, perversiteti seksual quhet eksperimentim, përdorimi i narkotikëve quhet krijimtari, deklarimi se ka 74 gjini quhet shkencë dhe martesa e burrit me burrë quhet vlerë). Që vendi i shqiptarëve është në Europë, këtë e kanë përcaktuar parardhësit tanë mijra vjet më parë kështu që, nëse e kanë fjalën për këtë, ju lutem të mos lodhen duke na e përsëritur sepse më shumë duket se duan të bindin vetveten se sa ndokënd tjetër, e aq më pak Europën. Në fakt, ajo çka këto llomotitje synojnë të shënjestrojnë, Europën liberale, ajo vetë ka tre dekada që ua bën të qartë shqiptarve se qartësisht shqiptarët nuk e kanë vendin në Europën e tyre.

Dërdëllitjet pseudointelektualo-politike për “të ardhmen euroatlantike të shqiptarëve,” për “miqtë tanë ndërkombëtarë,” për “vendin e shqiptarëve në Europë.” zaptimi i të gjithë hapësirës tonë publike me këto premtime të rrema, me këto gënjeshtra epike, ka sjellë pasoja jashtëzakonisht të rënda për shqiptarët në dy aspekte: aspektin moralo-identitar dhe aspektin praktiko-politik. Në rastin e parë, sot shqiptarët janë më të privuar nga aftësia dhe mundësia për të ruajtur indentitetin e tyre kombëtar, kulturor dhe gjuhësor se sa në vitet më të errëta të sundimit Osman. Sot shqiptarët janë më të shkalafitur nga ana identitare nga sa kanë qenë ndonjë herë më parë. Nëse doni të inferoni se si dhe pse shqiptarët ndërruan fe dhe gjuhë ndër shekuj, eja takoni politikanët, gazetarët dhe reperët shqiptarë. Por kjo është vetëm pasojë e një problemi më të madh strukturor, një propagande të shfrenuar dhe të rremë se shqiptarët nuk kanë alternativë tjetër përveç Perëndimit dhe se e vetmja mënyrë e shprehjes së kësaj është antarësimi në BE. Teksa qëndrimi i parë, për fat të keq mbart disa merita (historia por edhe zgjedhjet e gabuara të shqiptarëve përgjatë saj i kanë vendosur shqiptarët sot në një pozitë të palakmueshme gjeopolitike), e dyta është një gënjeshtër e madhe. Shqiptarët nuk kanë asnjë arsye morale, politike, identitare, kulturore apo ekonomike për t’u bashkuar me BE-në, ose më saktë, propaganduesit e antarësimit në BE nuk e kanë formuluar moralitetin apo racionalitetin e diçkaje të tillë, po të mos llogarisim klishetë e lartpërmendura.

Tre dekadat e fundit të marrëdhënies së shqiptarëve me BE-në janë historia e një poshtërimi sistemik dhe sistematik të një populli të tërë dhe të individëve të tij. BE-ja e bleu këtë nënshtrim të trishtuar me emigracion, Euro, favore për politikanët dhe mbi të gjitha, propagandën e shëmtuar të përhapur nga mediat shqiptare. Përfaqësuesit e BE-së në Tiranë, pothuajse pashmangshmërisht individë aspak mbreslënës dhe intelektualisht të kufizuar, krekosen përpara kamerave të kapso-televizioneve shqiptare duke kërcënuar, joshur dhe gënjyer për politika të cilat edhe ata vetë nuk i njohin dhe nuk i kontrollojnë dot. Refuzimi i kërkesave për antarësim, mbajtja hapur e anës së serbëve në negociata, ndërtimi i lloj-lloj gjykatave antikushtetuese speciale kanë vetëm një synim: të godasin çdo ëndërr të shqiptarëve se ata mund të jenë zotër të vendeve të tyre. Historia ka treguar se politika të tilla mundet lehtazi t’i zvarrisin shqiptarët nga një shkëmb në Prekaz në një moçal në Finlandë, nga një hero që do ta kishte zili çdo popull te një trashaluq intrigant.

Së dyti, BE-ja është një karakatinë e pambajtshme dhe shqiptarët nuk kanë asnjë arsye racionale ta lidhin qerren e tyre me këtë gërmadhë në kalbëzim. Kur shqiptarët nuk po ia dalin të kontrollojnë një grup zyrtarësh të papërgjegjshëm në kryeqytetet e tyre, si do kontrollojnë ata një grup zyrtarësh po aq të papërgjegjshëm dhe të pakontrollueshëm në Bruksel? 110 vjet më parë, shqiptarët e lidhën qerren e tyre me një tjetër gërmadhë të kalbur, Perandorinë Osmane, pikërisht sepse propaganda turkoshake e asokohe ua kishte mbushur kaplloqen me të njejtën propagandë: nuk keni nga shkoni. Sepse zotërinjtë sundues nga jashtë gjithmonë i shikojnë shqiptarët si një tufë delesh që medoemos duhet të shkojnë diku. Për disa arsye misterioze, shqiptarët duhet vazhdimisht të jenë në lëvizje për diku në Lindje apo në Perëdim (do shkojmë në Europë, apo jo?).

BE-ja është një lëmsh institutional i paqeverisshëm dhe pa kurrfarë solidariteti të brendshëm, me përjashtim kur vjen puna te poshtërimi i shqiptarëve. Shqiptarët e Kosovës kanë humbur në të gjitha negociata me Serbinë të negociuara nga BE-ja sepse ata nuk kanë asnjë alternative: ata nuk mundet të kërcënojnë, nuk mundet të shantazhojnë dhe madje edhe nuk mundet të tërhiqen. Shqiptarët negociojnë me BE-në si nxënësi me mësuesin dhe pa asnjë arsye apo përfitim. Me premtime të pambajtura, BE-ja i ka detyruar shqiptarët të bëjnë kompromise të rënda, pasojat e të cilave ishin më të mëdha se sa humbja e disa livadheve në kufirin me Malin e Zi apo lëshime gjeopolitike si Zajednica. Pasojat e këtyre politikave janë ulja edhe më shumë e vetëbesimit kombëtar dhe identitar të shqiptarëve, besimin se ata në ndonjë farë mënyre do ta kenë vetë në duar fatin e tyre ndonjëherë. Ne jetojmë në paradoksin e nderimit të heronjve si Skënderbeu dhe Adem Jashari, simbolika e të cilëve është pikërisht ajo se shqiptarët mundet dhe duhet ta marrin vetë në duar fatin e tyre, dhe nënshtrimi i shëmtuar, dhe madje edhe i përshtirë ndaj politikanëve efemerikë dhe ambasadorëve inkompetentë të BE-së, në duart e të cilëve kemi vendosur fatin tonë në mënyrë më jokritike të mundshme.

Është koha e hapjes së një debati kombëtar dhe serioz për vlerat e antarësimit të shqiptarëve në BE, i cili mund të çojë në hartimin e një plani alternativ për të ardhmen. Serbët, me mungesat e tyre të pafundme në ekonomi dhe kornizën institucioale dhe funksionimin e saj janë ndjeshëm më të fuqishëm se shqiptarët në marrëdhënie me BE-në sepse ata i kanë krijuar vetes së tyre alternativa gjeopolitike ndaj BE-së. Shqiptarët janë përpjekur ta mallëngjejnë BE-në me besnikëri të pafundme por BE-ja është një kornizë institucionale dhe institucionet nuk mallëngjehen: ata janë përbindësha racionalë që reagojnë ndaj mjedisit politik dhe mbushin vakuumin e pushtetit që u shfaqet përpara. Me zbythjen nga sovraniteti i tyre, shqiptarët i kanë dhënë mundësi BE-së të mbushë vakuumin e pushtetit që vetë shqiptarët kanë krijuar.

Një alternativë e thjeshtë por funksionuese (planet e thjeshtë funksionojnë shpesh më mirë) do të ishte shpallja se BE-ja nuk është më prioriteti ynë ndërkombëtar dhe se çështja e shoqërizimit të vendeve tona me BE-në do të jetë çështje e një diskutimi të madh kombëtar afatgjatë. Kjo do të shoqërohej menjëherë me ngadalësimin apo edhe pezullimin e negociatave me BE-në, dhe riformatimin e prioriteteve zhvillimore dhe gjeopolitike të vendeve tona. Propozimi im është që vendet tona nuk kanë pse “shkojnë” diku, në Lindje apo Perëndim. Vendet tona duhet të qëndrojnë aty ku janë, aty ku na ngulën të parët tanë, midis Lindjes dhe Perëndimit, dhe ne duhet të mësohemi madje edhe t’i gëzohemi veçantisë tonë gjeopolitike. Ajo çka ka qenë deri tani fatkeqësia jonë, me vullnet kombëtar dhe njerëzor mundet të kthehet në bekimin tonë. Ne mundet t’ia dalim vetë, nëse vendosim kështu, ose të qorrollepsemi me të tjerët, nëse u dorëzohemi rrethanave. Pikat më të ndritura në historinë tonë kanë qenë kur vendosëm t’ia dalim vetë, jo në armiqësi por në respekt të ndërsjelltë me pjesën tjetër të njerëzimit. Në këtë përpjekje për të ndërtuar alternativa ndaj BE-së, unë do të rreshtohem me ata që mendojnë se shqiptarët nuk kanë nevojë për antarësimin në BE dhe ky i fundit mund të jetë partneri por jo sunduesi ynë.

Të ngjashme