Fuqizimi i grave është thelbësor në përpjekjet e Ballkanit Perëndimor për t’u rikthyer më të fortë pas pandemisë

Prishtinë | 11 Shk 2021 | 13:13 | Nga Majlinda Bregu

Turizmi kishte filluar të lulëzonte në Ballkanin Perëndimor përpara goditjes globale që pandemia shkaktoi. Më shumë se 12 milionë njerëz e vizituan rajonin në 2019-ën. Turizmi zë më shumë se 10% të PBB-së së rajonit dhe 25% të eksporteve. Ky sektor punëson 11.4% të gjithë fuqisë punëtore të rajonit, 55% prej të cilëve janë gra1. Komunitetet lokale dhe institucionet financiare ndërkombëtare e panë këtë si një mundësi të artë dhe të shpejtë për ta çuar rajonin drejt standardeve më të mira të jetesës.

Megjithatë kjo industri dinamike u ndal vitin e kaluar për shkak të izolimeve dhe udhëtimeve të anuluara me jashtë. Një nga të shumtat “viktima” ishte edhe një biznes agroturizmi i nisur nga dy gra sipërmarrëse nga Mali i Zi, Gordana Dulovic dhe Ermina Redzematovic.

Pas një plani të bërë me kujdes, ato investuan kursimet dhe të gjithë energjinë e tyre në një biznes të ri në fillim të vitit 2020, me një grant nga Projekti i Zhvillimit të Turizmit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) të financuar nga BE. Përkundër gjithë entuziazmit dhe punës së tyre të madhe, 2020-ta solli papunësi në vend të fitimeve.

Edhe bizneset e konsoliduara morën një goditje të fuqishme. Krizën e ndjeu edhe Eva Rama, bashkëthemeluese e “Explorer Travel & Tours”, një agjenci e vogël shqiptare udhëtimesh, e specializuar në organizimin e turneve private me grupe të vogla.

Shumica e rezervimeve u anuluan, gjë që rrezikoi funksionimin normal të agjencisë së saj. Vështirësitë u pasqyruan në shkurtimin e numrit të punonjësve dhe ndryshimet në modelin e biznesit. Xhiroja vjetore e vitit 2020 ishte në nivelin e 35%-dëshit krahasuar me një vit më parë. Sipas fjalëve të saj, po të mos kishte pasur një ndihmë afatshkurtër, përmes Projektit të Turizmit të RCC, të financuar nga BE, biznesi i saj nuk do të mund të mbijetonte. Por, siç e dimë të gjithë, ndihma afatshkurtër nuk është e mjaftueshme.

Gratë si Eva, Gordana dhe Ermina u prekën në mënyrë disproporcionale në të gjithë rajonin për shkak të pandemisë. COVID-19 nuk krijoi pabarazi gjinore, ama e përforcoi atë. Gratë humbën biznesin dhe punën e tyre, qoftë edhe orët e punës, ashtu si edhe burrat, por ato patën përsipër edhe pjesën më të madhe të kujdesit për fëmijët dhe të moshuarit e familjes, pa pagesë. Ato që mbetën të mbyllura në shtëpi patën gjithashtu edhe barrën e rritjes së dhunës në familje, një histori jete e zakonshme e shumë grave të Ballkanit. Dhe, siç raportohet nga UNDP dhe “UN Women COVID-19 Gender Response Tracker”2 në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, vetëm 18% e tregut të punës dhe 21% e masave të mbrojtjes sociale u përshtatën me nevojat e pandemisë, të shumicës së grave të punësuara në sektorin informal ose në bizneset me rrezik të lartë. Thjesht për shkak të gjinisë së tyre, gratë dhe vajzat janë ndikuar më rëndë nga pandemia.

Një iniciativë për t`u rikthyer më të fortë pas pandemisë

Është ende e pasigurtë se kur Ballkani Perëndimor do të arrijë të mbulojë 18 milionë banorët me vaksinat ndaj Covid-19. Megjithëse shpresa ka. Edhe kur një numër i konsiderueshëm i grave të kthehen në vendet e tyre të punës, që i humbën gjatë pandemisë, pabarazia gjinore nuk do të zhduket. Kjo nuk e lejon rajonin të arrijë potencialin e tij dhe as të ndërtojë qëndrueshmëri ndaj tronditjeve të ardhshme.

Qeveritarët dhe qytetarët duhet të jenë vigjilentë në luftën kundër COVID-19. Këto ditë pandemie, na kërkojnë secilit prej nesh, individëve, organizatave, institucioneve, qeverive, të përshtatemi. Megjithatë kjo është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet. Ne mund të tronditemi, të goditemi, ne jemi të vetëdijshëm se shërimi nuk do të jetë aq i shpejtë sa pandemia është, por kthimi i grave në punë është më shumë se kurrë një domosdoshmëri.

Për ta mbështetur këtë, “United Nations Development Programme” (UNDP) dhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal ndërmorrën iniciativën “Women’s Economic Empowerment” për fuqizimin ekonomik të grave në Rajonin e Ballkanin Perëndimor, në Dhjetor të 2020-ës.

Kjo iniciativë e re i ka hedhur bazat mbi forcimin e lidhjeve dhe bashkëpunimin e një game të gjerë të çështjeve që prekin gratë. Siguron kornizën strategjike të nevojshme në këtë moment kritik për të identifikuar dhe zbatuar veprimet dhe reformat e politikave që ndihmojnë në fuqizimin e grave dhe për të shmangur hendekun e lidershipit gjinor.

Këto qëllime synojnë të arrijnë shumë më tepër sesa aspekti thelbësor, moral, për të qenë të drejtë ndaj gjysmës tjetër të popullsisë së rajonit. Fuqizimi dhe aftësimi ekonomik i grave për të lulëzuar në mjedise të sigurta dhe produktive, në punë dhe shtëpi, janë kushtet e domosdoshme që Ballkani Perëndimor të rritet dhe të zhvillohet qëndrueshëm.

Gratë si sipërmarrëse dhe lidere

Një shtim i grave në nivele sipërmarrëse dhe si pjesë e fuqisë punëtore do të rriste PBB-në në rajonin e Ballkanit Perëndimor deri në 20%3. Lidershipi i grave në politikë dhe ekonomi është gjithashtu një investim i mençur. Faktet empirike tregojnë se përfaqësimi më i lartë i grave rrit edhe cilësinë e qeverisjes. Konkretisht, kompanitë që kanë më shumë gra në pozicionet e larta drejtuese ka më shumë të ngjarë të pësojnë një rritje të qëndrueshme të të adhurave.

Indeksi i Politikave4 të OECD SME së 2019-ës dëshmon për përfaqësimin e ulët të grave në pozicione drejtuese në kompani private ose borde të kompanive publike, duke zbuluar një tavan të qelqtë të dukshëm për gratë në pozitat udhëheqëse në përgjithësi. Për sa u përket pozicioneve menaxheriale në institucionet e arsimit të lartë, shifrat shkojnë deri në 90.90%5 për burrat.

Inkurajimi i pjesëmarrjes së grave në ekonomi shton potencialin për t`u rritur. Në Bashkimin Europian, përmirësimi i barazisë gjinore do të rriste PBB-në e BE-së deri në 9.6% për frymë, përgjatë 30 viteve të ardhshme, përkthyer në shifra arrin në 3 trilionë euro6.

Barazia gjinore është gjithashtu një pikë kyçe e BE-së brenda kornizës së negociatave të zgjerimit. Shmangia e hendeqeve gjinore në tregun e punës dhe arritja e pjesëmarrjes së barabartë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë mes burrave dhe grave janë objektivat kryesorë të “European Commission’s Gender Equality Strategy”. Strategjia ndjek një qasje të dyfishtë të integrimit gjinor të kombinuar me veprime të synuara dhe ndërprerja e këtij hendeku është një parim horizontal për zbatimin e kësaj strategjie.

Gratë si inxhiniere të ndryshimit

Një nga përparësitë e hershme të kësaj iniciative është rritja e pjesëmarrjes së grave në arsimimin dhe karrierën në fushat shkencore, teknologji, inxhinieri dhe matematikë (STEM). Numri i grave që braktisin studimet ose karrierën e tyre në STEM, në Ballkanin Perëndimor është shqetësues, pasi arrin në 70%. Ndasitë e dukshme gjinore mund të vërehen në “Kërkime dhe Zhvillim” (R&D), pasi ka dy herë më shumë studiues meshkuj në inxhinieri dhe teknologji sesa gra7. Ndasitë gjinore në fushat e arsimit dhe karrierës STEM janë në fakt një problem global, shtuar pastaj përsa i takon rajonit, edhe nevojën e adresimit të politikave të caktuara të lidhura me gjininë dhe rezultatin e këtyre kompleksiteteve në vëmendjen e politikëbërësve.

Ndërsa regjistrimet e vajzave në arsimin STEM vazhdojnë të mbeten të pakta në numër për shkak të stereotipave gjinorë dhe diskriminimit, ka pika të forta mbi të cilat mund të punohet. Pjesëmarrja e studiueseve gra, për shembull, është në vlera të qëndrueshme ose në rritje në rajon. Në shumicën e ekonomive të Ballkanit Perëndimor, gratë priren të jenë në të njëjtin nivel me burrat midis të diplomuarve në nivelin e tretë të studimeve. Midis 70 dhe 85% të të diplomuarve në fushat e shëndetësisë janë gra. Megjithatë, numri bie në 40% në bujqësi dhe deri në 20% në inxhinieri8.

Një shteg drejt qëndrueshmërisë

Disa nga sfidat kryesore për pabarazinë gjinore në rajon janë: nivele më të larta të varfërisë dhe pasigurisë në punë për gratë; një pjesë disproporcionale (dhe në rritje) e punës së papaguar të kujdesit për shtëpinë; hendeqet gjinore në pagë dhe pensione; qasje më e ulët në kujdesin shëndetësor; dhe gratë ende larg nga shumë pozicione drejtuese.

Shfrytëzimi i potencialit dhe aftësive të grave është timoni për drejtimin rajonin drejt synimeve të zhvillimit të qëndrueshëm dhe për të promovuar stabilitetin ekonomik rajonal. Duke qenë të ndërgjegjshëm që përpjekjet individuale për të ndryshuar këtë klimë janë të destinuara të dështojnë, nisma zgjedh të bëjë përpjekje shumëpalëshe për të ndryshuar gjërat, duke testuar idetë në bashkëpunim dhe duke i vënë ato në jetë.

Një kthim në qëndrueshmërinë para-pandemike do ta lërë Ballkanin Perëndimor në vend numëro. Nëse dështojmë në përvetësimin e një perspektive gjinore si përgjigje ndaj pandemisë, atëherë nuk do të arrijmë as të ndërtojmë shoqëri elastike dhe do forcojmë pabarazitë në rritje.

Gratë janë çelësi për zhbllokimin e potencialit ekonomik në këtë rajon. Ndihma ndaj tyre për të fituar aftësitë dhe përvojën për të menaxhuar dhe drejtuar bizneset dhe përqendrimi në edukimin financiar, duke përfshirë trajnimin për identifikimin e produkteve dhe shërbimeve të nevojshme, do t`u mundësojë grave kontrollin mbi pasuritë dhe orientimin në rrugën e qëndrueshmërisë.

Majlinda Bregu është Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Mirjana Spoljaric është Drejtore Rajonale e Byrosë së UNDP-së për Evropën dhe Commonwealth-in e Shteteve të Pavarura.

Të ngjashme