Gëzimi i panevojshëm për rënien e “armikut të shqiptarëve” John Bolton

Prishtinë | 13 Sht 2019 | 12:12 | Nga Andi Bushati

Opozita shqiptare dhe pjesa më e madhe kritikëve të një marrëveshjeje Kosovë- Serbi, që kalon përmes ndryshimit të kufijve, po shfaqin një entusiazëm naiv, pas shkarkimit të paralajmëruar të John Bolton nga Presidenti Trump.

Sipas tyre, rënia e ish këshilltarit të fortë dhe arrogant të Sigurisë Kombëtare është një lajm i mirë, si për frenimin e një marrëveshjeje që mund të hapë kutinë e Pandorës në Ballkan, po aq sa edhe dobësim i krahut që e përkrahte në mënyrë imorale binomin Rama- Thaçi në pushtet.

Prej kohësh, në Tiranë, gëlon një teori konspirative se amerikanët po i amnistojnë krimet e Edi Ramës, po tolerojnë pushtetin e tij monist dhe organizimin e zgjedhjeve pa opozitë, për shkak të faktit se ai është i implikuar në planin okult për ndarjen e Kosovës, se ai u ka hapur portat muxhahedinëve iranianë, se ai po e luan më së miri rolin e shefit të një republike bananesh duke përzënë diplomatët e Teheranit nga Tirana.

Në fakt, John Bolton ka qenë në qendër të të gjitha këtyre. Tashmë janë të njohura deklaratat e tij jo vetëm kundër pavarësisë së Kosovës, por edhe qëndrimet favorizuese për aventurën shkëmbimit të popullsive dhe territoreve. Po ashtu në rrafshin ndërkombëtar, dihet më së miri qëndrimi i pakompromis i këtij përfaqësuesi ekstremist të krahut konservator, që ka kontribuar më parë në administratat Regan e Bush, kundër regjimit teokratik të mullahëve dhe mbështetja për opozitën iraniane në ekzil.

Në këtë kuptim, rënia nga pushteti e këtij karakteri të fortë, është një dobësim taktik i fijeve që mbanin mundimshëm të lidhura Tiranën me sferat e larta të Uashingtonit.

Por, që të jemi të qartë, John Bolton u flak nga Donald Trump për tjetër gjë.

Prej kohësh presidenti amerikan kishte më shumë kontradikta sesa duhet me këshilltarin e tij: Afganistani, Koreja e Veriut, Irani dhe Venezuela ishin kthyer në mollë sherri midis tyre. “Unë nuk isha dakord me shumë nga sugjerimet e tij ashtu sikurse shumë të tjerë brenda kësaj administrate”, deklaroi Trump pas shkarkimit në llogarinë e tij në Twitter. Më parë, pas dështimit për të rrëzuar regjimin e Maduros në Karakas, presidenti amerikan pati pohuar: “John ka një vështrim tepër të ashpër për gjërat, por kjo nuk prish punë. Në fakt e pabesueshme është se shpesh jam unë ai që e moderoj John-in”.

Pkërisht bindjet e forta të shprehura publikisht të këtij republikani konservator, të cilat Trump i përgënjeshtronte më pas me aktet e tij, e bënë atë të ketë fatin e shumë prej pjestarëve të tjerë të presidencës.

Por ajo që na intereson më shumë ne në Tiranë, është dilema, nëse bie apo jo, së bashku me Botonin edhe ajo pjesë politikave të tij që na prekin drejtpërdrejt?

Për këtë akush nuk mund të vërë bast.

Prandaj festa për rrëzimin e tij, duket sa e përshpejtuar po aq edhe naive. Ajo shpesh i ngjan një filmi që e kemi parë.

Kush i mban mend mitingjet e opozitës anti nanoiste në vitet e para 2000, me siguri i kujton parrullat e spikatura Berisha- Bush- Berluskoni. Ato shprehnin një bestydni të papranueshme në politikë, se ardhja në pushtet, në SHBA dhe Itali, e dy të njohurve të djathtë të doktorit, do të ndryshonte gjërat edhe këtej në anët tona. Të gjithë ata që shpresuan se këto ndryshime gjeopolitike do të përthyheshin automatikisht edhe këtu, u zhgënjyen duke pritur gjatë rënien e Nanos, ndërkohë që shihnin në mediat e pushtetit, imazhet e “armikut” të tyre, përkrah liderëve botërorë që u kishin ngjallur aq iluzione.

Kryeministri socialist u bë “aleati” i parë neokonservatorëve, që i shpallën luftë Irakut dhe miku i Berluskonit në dasma dhe stadiume.

E njëjta histori u përsërit edhe pas hyrjes surprizë së Trump në Shtëpinë e Bardhë. Edhe atëherë konspiracioni se njeriu më i fuqishm i botës do e ndëshkonte atë që pati guxuar ta quante “turpi i njerëzimit”, bashkë me këlyshët e Sorosit që e mbështesnin, rezultoi një fluskë voluntariste.

Të njëjtin gëzim naiv duhet t’ia kursejnë vetes edhe sot të gjithë kundërshtarët e Ramës. Shpresa se me rënien e John Boltonit, do të marrë një goditje edhe plani për ndarjen e Kosovës e, bashkë me të edhe një nga faktorët e mbështetjes së përtej Atlantikut për kryeministrin shqiptar, është një rrugë që nuk të çon gjatë. Vërtet ish Këshilltari i Sigurisë Kombëtare pati një rol të dorës së parë në këtë proces, por bazimi i politikave tek personat dhe i bindjeve e ideve tek lëvizjet taktike, sjell gjithmonë një rezultat zhgënjyes.

Të gjithë ata që e luftojnë idenë e shkëmbimit të territoreve, mënyrën si ajo është ngjizur dhe efektet që ajo mund të shkaktojë, i kanë atutë e mjaftueshme për t’u rreshtuar kundër saj. Boll t’i qëndrojnë parimeve se ai është një projekt personal, që niset nga premisa raciste se ballkanasit nuk janë të aftë për bashkëjetesë, që mund të shkaktojë një efekt të tmerrshëm domino, për të bërë betejën e tyre. Në afatgjatë kjo është ku e ku më efikase, koherente dhe intelektualisht e ndershme sesa të fërkosh duart e të presësh se kush bie dhe kush ngjitet në administratën amerikane, qoftë ky edhe kontraversi John Bolton. (Lapsi.al)

Të ngjashme