Gjendja konfuze e Hashim Thaçit dhe “plani” i tij

Prishtinë | 30 Sht 2018 | 21:49 | Nga Liri Loshi

Hashim Thaçi po luan me një klasë të tërë politike dhe me popullin e Kosovës. Duke mos pasur aftësinë dhe guximin e duhur për ta elaboruar projektin për këmbim territoresh që vjen nga qëndrat ruso-amerikane dhe jo nga ai vetë, siç ia ka endja të marrë persipër idetë e mëdha, ai ka krijuar një konfuzion të plotë në opinion dhe mbase një labirinth keqkuptimi, ku po sillet si një merimangë e kurthuar pa asnjë shtegdalje. Thaçit i është thënë nga “miqtë” e tij dhe të Kosovës që fillimisht ta pranojë lojën e këmbimit dhe ai këtë rol e ka pranuar. Ai e ka në dorë tërë skenarin e këmbimit territorial dhe ka filluar ta shpalosë atë së pari në vija të trasha. Së pari ka përmendur Veriun si mundësi këmbimi për Luginën e Preshevës. Më vonë, i përballur me reagimet e shumta dhe të fuqishme të publikut, ai ka bërë një tërheqje taktike duke shpalosur në mënyrë selektive vetëm pjesët atraktive të atij plani, pra bashkimin e Luginës me Kosovën dhe duke lënë anash gatishmërinë e tij për dhenien e Veriut që përveç territorit përmban edhe një resurs gjigant dhe jetik për Kosovën e që është Liqeni i Gazivodës, i njohur si Ujmani.

Por, ajo që ka mbetur konsistente tek Hashim Thaçi është insistimi i tij për korrigjimin e kufinjve me Serbinë, pa marrë parasysh se rezistenca e politikës dhe shoqërisë civile është enorme në këtë drejtim, madje aq sa Thaçi po trajtohet si tradhëtar i pavarësisë së Kosovës për të cilën ka luftuar dhe investuar mundin e viteve më të mira të jetës së vet! Kjo konsistencë e tij e ka burimin në besimin që ai ka në qëndrat e fuqishme të vendosjes, por me gjasë besimi i tij nuk është njëqind për qind i plotë, kështu që ai ka vendosur që as të mos dalë nga qëndra e planit, por as të mos e marrë tërë përgjegjësinë mbi supet e veta. Me një fjalë, paaftësia e tij dhe mungesa e sinqeritetit janë dy faktorët kryesorë që kanë shkaktuar aq shumë konfuzion dhe aq shumë përplasje mes tij në njërën anë dhe politikës, shoqërisë civile dhe publikut në anën tjetër. Sjelljet e tij, në përpjekje për të mbuluar fajin e vet për hapjen e kutisë së Pandorës, kanë prodhuar edhe revoltën qytetare të shprehur përmes një proteste masive si dhe paraqitjen e tij të befasishme në Veri dhe tek Ujmani duke rrezikuar madje edhe sigurine e vet fizike për ta dëshmuar patriotizmin e tij gjithnjë e më shumë të kontestuar!

Kjo gjendje konfuze e Hashim Thaçit duhet të ndërpritet sa më parë dhe ai duhet të fillojë të jetë i sinqertë me publikun. Deri atëherë, do të ishte mirë që edhe ne, kundërshtarët e “planit” të tij të tregojmë një mirëkuptim për njeriun e ngatërruar në batak dhe ta ndihmojmë të dalë prej tij, para se ta bëjë edhe ndonjë veprim të pakontrolluar që mund t’i kushtojë atij por edhe vendit tonë.

Hashim Thaçi duhet të flasë hapur dhe ne duhet ta dëgjojmë pa paragjykime. Ndoshta ka një plan që ia vlen të konsiderohet dhe që zgjidh problemin me Serbinë më mirë se çdo plan tjetër! Ne nuk mund të vlersojmë asgjë nga plani i tij pa e parë atë në tërësi. Fundja, ai nuk është plan i tij autorial, por me një debat të mirëfillët ne mund të kontribojmë të gjithë që versioni final ta narrë trajtën e duhur dhe që i konvenon Kosovës dhe çeshtjes shqiptare në Ballkan. Ky debat do të duhej të ndodhte më herët, por as tash nuk është vonë.

Nëse Hashim Thaçi nuk është në gjendje që t’i heq misteriet e planit të tij, është koha që të tërhiqet vetë para se të jetë i detyruar ta bëjë atë. Kosova nuk mund ta durojë një njeri që për ta mbajtur karrigën e vet nuk bën punë tjetër pos që prodhon kriza vazhdimisht.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme