Gjesti i Granit Xhakës mund të shpjegohet vetëm me termat e antropologjisë kulturore

Prishtinë | 05 Dhj 2022 | 20:54 | Nga Milazim Krasniqi

Zhurma rreth gjestit të Granit Gjakës është e panevojshme dhe e dëmshme. Ajo zbulon padituri dhe nxitë konflikt në adresë të gabueshme.

Mesazhi i Granitit ka qenë për futbollistët e egërsuar serbë, kurrsesi për publikun në stadium, kurrsesi për ne shqiptarët.

Kushdo që ka dijeni elementare për sjelljet e djemve shqiptarë në raste konfliktesh, e di që ai gjest është i njohur, i përsëritur, standard. Si i tillë, ai i drejtohet vetëm kundërshtarit.

Prandaj as nuk mund të trajtohet në raport me publikun. Ndërsa në raport me kundërshtarin ai gjest e jep mesazhin e guximit dhe qëndrimit ofensiv të personit shqiptar të përfshirë në konflikt.

Shprehja tmerrësisht e shpeshtë e djemve shqiptarë të konfliktuar ka qenë dhe është ende: “ma hansh ….”, duke e bërë një gjest të ngjashëm.

Pra, si gjest mund të shpjegohet vetëm me termat e antropologjisë kulturore. Fatkeqësisht në gazetarinë tonë dhe në debatet tona publike, gjithnjë e më pak ka njerëz që kanë ndonjë njohuri lidhur me historinë dhe mendësinë shqiptare, përfshirë këtu edhe simbolikat e ndryshme.

Ndaj mesazhi im është: mbylleni këtë temë, miq!

Mesazhi nuk ka pasur të bëjë me ne. U drejtohej atyre që donin jo vetëm ta frikësonin, po edhe ta lëndonin. Simbolikën e atij gjesti duhet ta lëmë vetëm në adresën për ku e kishte adresuar Granit Gjaka.

P.S. Fyerjet e kërcënimet ndaj kujtdoqoftë, sidomos ndaj femrave, janë shprehje e burracakërisë, e injorancës. Si të tilla, nuk i ndihmojnë debatit. Aq më pak lavdisë së Granitit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme