Gjyqësia nuk është drejtësi

Prishtinë | 05 Nën 2020 | 21:18 | Nga Jusuf Thaçi

Drejtësia është koncept, ideal, e pavarur nga njeriu, megjithëse mund të jetë aspiratë njerëzore! Rrjedhimisht, askush nuk mund apo nuk duhet të jetë kundër drejtësisë.

Në anën tjetër, gjyqësia është produkt njerëzor, parimisht e konceptuar për ta jetësuar idealin dhe aspiratën për drejtësi, por, duke qenë produkt njerëzor, shpeshherë gjyqësia është politikë, biznes, konventë e arbitraritet i imponuar, pa pasuar as pikënisje, as qëllim, as ideal drejtësinë. Rrjedhimisht, gjyqësia e tillë, jo vetëm që nuk mund të njëjtësohet me drejtësinë, por është anti-drejtësi. Shembull tipik i gjyqësisë së tillë është “Gjykata Speciale” – një produkt njerëzor politik, që fjalëpërfjalshëm nuk ka as pikënisje, as qëllim, as ideal drejtësinë.

Prandaj, nuk është e vërtetë që Gjykata Speciale do të sjellë drejtësi dhe nuk është e vërtetë që Gjykata Speciale do ta pastrojë UÇK-në dhe luftën çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës, siç pandehin, pretendojnë, deklarojnë a besojnë shumë shqiptarë e ndërkombëtarë. E kundërta është e vërtetë. Si fryt i politikës, Gjykata Speciale do të bëjë politikë e jo drejtësi dhe do ta njollosë UÇK-në dhe luftën çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës, pavarësisht epilogut të saj (mjaftojnë pretendimet dhe aktakuzat e saj, madje edhe nëse të gjithë të akuzuarit shpallen të pafajshëm). Ajo çfarë është më e keqja, kjo njollosje nuk ngjanë të jetë as pasojë e as rastësi, por njëri nga qëllimet e Gjykatës Speciale.

Dhe jo, mos të ngushëllohet kush me shabllonin se “historia nuk mund të rishkruhet”. Kjo është ose naivitet ose mashtrim. Historia nuk mund të zhbëhet, por ajo mund të shkruhet e të rishkruhet varësisht prej zhvillimeve. Së këndejmi, është e vërtetë që lufta e UÇK-së nuk mund të zhbëhet, por është po kaq e vërtetë se kur të shkruhet historia për UÇK-në, historia e UÇK-së do të jetë e damkosur së paku me pretendimet dhe aktakuzat e Gjykatës Speciale. Ky tashmë është një fakt, fatkeqësisht, të cilin historia do ta shkruaj, deshëm e s’deshëm ne. Dhe si për ironi, kjo damkë e ky fakt do ta mbajë edhe vulën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kështu që, së paku të jemi të kujdesshëm që këtë gjykatë të mos e njëjtësojmë me drejtësinë, sepse, përveç që kjo nuk është e vërtetë, kështu e fyejmë drejtësinë dhe në të njëjtën kohë e përligjim njollosjen e UÇK-së dhe të luftës sonë çlirimtare.

Thënë troç e thënë ndryshe: UÇK-në si organizatë tashmë e kemi damkosur. Së paku ta ruajmë të padamkosur UÇK-në si ideal!

Të ngjashme