Hapi i parë i duhur në ekonomi: Rikthimi te vlerat e ekonomisë të tregut

Prishtinë | 03 Shk 2021 | 15:52 | Nga Artan Fuga

Në vitin shumë të largët ’90, viti i ëndërrave që në dekada u thyen, në gojën e studentëve dhe manifestuesve, të të gjithë shqiptarëve që donin ndryshimin, ishte edhe fjala magjike “ekonomi e tregut”.

Kur sot përdoret kjo fjalë nga politikanë, gjoja ekonomistë, akademicienë pa vepra, apo nga gazetarë, lloj lloj zyshash kujdestare, si një formë katekizmi pa përmbajtje, të vjen hidhur.

Ku është ekonomia e tregut sot te ne në Shqipëri edhe në krahasim me Kinën komuniste, apo në Rusinë e ish Bashkimit Sovjetik?

Fatkeqësisht askund! Më sillet ndër mend Gustave Le Bon i famshëm që në vitet ’30, se mos vetëm ai, thoshte me pezm se popujt që nuk janë përgatitur për ta bërë një ndryshim epokal, ndonjëherë në inat e sipër bëjnë hapa të mëdha dhe pastaj për disa vjet kthehen andej nga janë nisur!

Politika gradualisht ne na ka kthyer në ekonominë shtetrore të dikurshme, ndonëse veshur me emrin tjetër “ekonomi tregu”. Revolucioni ynë sikurse shkruante Le Bon, është një revoluccion në fjalë! Fjalët kanë ndryshuar, realiteti është po ai!

Sot politika rrotullohet jo taksa e sheshtë jo taksa progresive a thua se nuk i kemi provuar të dyja, a thua se e keqja është aty, a thua se nuk ka në botë dhe taksë të thjeshtë dhe taksë progresive dhe të tjera retorika si këto.

Ne jemi kthyer në ekonominë etatiste të para vitit 1985, perestrojkës të Gorbaçovit i marrim të keqen!

Ja ta marr me radhë që ndonjë zysh e moralit mos ma marri me të keq!

A nuk administrohen me PPP investimet më të mëdha kapitale në Shqipëri që prej nja dhjetë vjetësh? Shihni kush e drejton sipas ligjit politikën dhe operacionet konkrete të partneritetit gjoja privat me sektorin gjoja publik? Të gjithë janë jo vetëm ministra qeverie, por edhe të emëruar në organet drejtuese të partisë. Pra ekonominë e drejton kupola e partisë.

Nuk ju mjafton kjo? Shihni se kush i bën tenderat dhe cilat janë prej dekadash procedurat e tenderimit që e telendisën Shqipërinë? I drejtojnë ministrat me sekretarët e tyre. Ekonomi e centralizuar etatiste që e kam analizuar hollësisht te libri im SHOQERIA PIRAMIDALE.

Shihni në zonën rurale ata që i quajnë gjoja fermerë! Janë thjesht bujq në masën 90 përqind të tyre, që jetojnë në ekonomi autarqike, jo tregu, pra ushqehen me prodhimet e tyre me rendimente qesharake që nuk i gjen as në ishujt shkëmborë të Greqisë. Ekonomia e tyre është krejtësisht jashtë tregut, prodho koqe domatesh dhe bëji sallatë për drekë duke parë gjithë paraditen nga bytha e ndonjë pule mos del ndonjë vezë për omëletë!!!

Shihni ekonominë e tregut te dyaqenet e vogla të lagjeve, me dhjetra mijra, hahahaha, i quajnë biznese shumë të vegjël, me mikroskop mund t’i shohësh! Punojnë burri, gruaja, vjehrri i shkretë, nusja e dajës, kalamajtë dhe ndonjë komshi, pas banakut ku klientët e rrallë mezi lenë ndonjë lekë për ndonjë kg fasule a makarona që blejnë. Ekonomi pa dinamikë, pa investime kapitale, pa akumulim, thjesht shit sa për të qit bukën e gojës. Kjo ekonomi që po mban me frymë shqiptarin, “biznesmen”, po ja merr frymën Shqipërisë. S’ka aty as konkurrencë dhe asnjë vlerë semantike që të jetë kategori ekonomie tregu!

Ku doni treg? Te fakti që bashkitë të kontrolluara të gjitha nga pushteti qendror japin ato politikisht lejet e ndërtimit, marrin taksa pa asnjë decentralizim. Të gjithë këshillat bashkiake të përbërë nga militantë dhe zyrtarë që varen nga Bosi i Madh!

Cfarë doni ekonomi tregu, shkollat private që edhe frymë nuk marrin dot në treg se cdo gjë është e telekomanduar nga Ministria. Doni muzera, teatro, opera që të administrohen edhe si ekonomi tregu? Aty mbretërojnë drejtorët e partisë që në kohën e Ramizit të paktën nisën të zgjidheshin nga kolektivat!!!

Ku doni ekonomi tregu? Te pensionistët, përfituesit e ndihmës sociale sa për të mos vdek urie, punonjësit e basshkive, me mijra, te nëpunësit e vegjël të administratës, që mbajnë frymën nga buxheti i shtetit? Kush jeton në Shqipëri vërtet nga ekonomia e tregut, as kryetarët e partive politike madje, sepse edhe ata buxhetet i marrin nga shteti.

Apo i doni te mjaft tv që poqese nuk ve dorë shteti me tendera, alokime buxhetesh të centralizuara, falimentojnë brenda 24 orësh!
Ku është ekonomia e tregut? Ndofta te trafiqet e paligjshme, droga, kanabisi, paraja e pisët ? Mundet! Por edhe aty ka dorë tjetër kush?

Hë mo na e thoni ku është ekonomia e tregut? Ka janë kategoritë ekonomike dhe financiare të ekonomisë të tregut? Te llogaritë bankare të kursyesit të vogël, ku përqindjet e interesit shkojnë drejt zeros? Te fakti që nëse do të marrësh ndonjë thërrime nuk të ngelet që kursimet t’ja japësh shtetit si bono thesari?

Hë mo koka të ekonomisë dhe të financës, ku e keni ekonominë e tregut veç në plagjiaturat e termave të përdorur pa kuptim!

Ku e keni ekonominë e tregut? Te Nish ujësjellësi, te Nish elektriku, si qëmoti, te dreqi me të birin që të vjen me tërsëllëmë dhe të rrjep lekët duke qenë në pozita monopol?

Ktheni ekonominë e tregut!

Unë votën e jap vetëm me kusht! Pa kushte do të isha budalla t’a jepja! Kush realizon kthimin në ekonominë e tregut me reforma të thella strukturore hallall vota, le të jetë edhe djalli vet!

Të ngjashme