Heqja e Akcizës dhe rregullimi i mazhës së fitimit në dreivate të naftës

Prishtinë | 13 Qer 2022 | 19:02 | Nga Sejdi Rexhepi

Jemi dëshmitar që si rezultat i rrethanave të ndryshme politike dhe ekonomike ndërkombëtare, kemi një valë të rritjes së çmimeve në tërë botën. Në veçanti në mënyrë të theksuar vërehet ndikimi i rritjes së çmimeve të naftës i cili duke qenë resurs hyrës themelor në procesin e prodhimit, në mënyrë zinxhirore ndikon në rritjen e çmimeve edhe të produkteve të tjera.

Ka shumë faktorë ndikues që kanë shpie deri të rritja e çmimit të derivateve të naftës në bursat ndërkombëtare, që tani nuk do ti analizojmë, megjithatë mund të konstatojmë se është evidente se kjo rritje tanimë po i jep efektet e veta negative si në aktivitetin ekonomik të bizneseve ashtu edhe në konsumin e përditshëm të cdo qytetari. Andaj, është e arsyeshme dhe krejtësisht normale që qeveritë e vendeve të ndryshme kanë ndërmarrë ose janë në proces të aprovimit të politikave të ndryshme ekonomike për të zbutë efektin përfundimtar qoftë për prodhues qoftë për konsumator.

Këto ditë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka bërë një njoftim se është duke punuar në përgatitjen e një vendimin të ri për rregullimin e çmimeve të naftës që do të mbrojë konsumatorët dhe konkurrencën.

Bazuar në shkrimet në mjete të ndryshme të informimit, qeveria pritet që të përcaktoj marzhën e fitimit si një shumë fikse për litër. Paralelisht janë shfaqur reagime të ndryshme për efektin që mund të ketë një vendim i tillë. Në mënyrë më të ashpër ka reaguar Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës, e cilët ka kërkesa specifike (konkrete) duke kërkuar që marzha e fitimit të jetë si përqindje e çmimit.

Ata madje kanë kërcënua se do të ndalin aktivitetin e tyre ekonomik dhe kështu do të shkaktojnë ndërprerje të furnizimit me derivate të naftës në tërë Kosovën, në qoftë se nuk do të plotësohen kërkesat e tyre.

Duke mos pasur informacione të plota lidhur me masat e pritura të qeverisë në këtë drejtim, konsideroj të arsyeshme që ti jap disa mendime si në vijim:

Së pari, në rrethanat kur tregu ndërkombëtar është i trazuar, kurse tregu i brendshëm është plotësisht i ndikuar nga tregu ndërkombëtar, fuqia e veprimit të politikave ekonomike qeveritare të vendeve të vogla dhe të pazhvilluara është shumë e kufizuar. Kosova duke qenë se shfrytëzon një monedhë të huaj si mjet pagese nuk ka politikë monetare aktive, andaj në dispozicion i mbetet vetëm politika fiskale.

Por edhe kjo është e pamjaftueshme për të zgjidhë problemin aktual të rritjes së çmimeve i cili plotësisht është i ndikuar nga faktorët e jashtëm ekonomik dhe politikë ndërkombëtar. Megjithatë qeveria ka mundësi që përmes politikës fiskale të zbus efektet negative që ka për ekonominë dhe konsumatorët rritja e çmimeve, e në këtë rast edhe efektin negativ të rritjes së çmimeve të naftës.

Një nga masat e përkohshme mund të jetë ulja ose heqja e akcizës në derivate të naftës si dhe ulja apo heqja e Tatimit në vlerën e shtuar (TVSH-së) në disa artikuj themelor të konsumet të përditshëm. Por edhe këtu mund të shfaqën vështirësi në arritjen e qëllimit përfundimtar.

Ndërmarrja e çfarëdo mase fiskale që mund të shoqërohet me uljen apo heqjen e përkohshme të akcizës, përkatësisht uljen apo heqjen e përkohshme të tatimit në vlerën e shtuar (TVSH-së), nuk ka asnjë garanci se do të shoqërohet me uljen proporcionale të çmimeve. Në thelbin e natyrës së të bërit biznes është lakmia për fitim sa më të madh.

Andaj rregullimi administrativ i marzhës së fitimit është shtruar si i domosdoshëm. Në rastin konkret edhe rregullimi administrativ i marzhës së fitimit në derivate të naftës. Vetëm në këtë mënyrë eliminohet rreziku që bizneset, barrën tatimore të uljes apo heqjes së akcizës apo të TVSH-së, do ta zhvendosin në interes të tyre duke e mbajtur çmimet e larta ose duke e rritë marzhën e fitimit. Kur e them këtë mendoj në përvojat e tregut kosovarë në të kaluar.

Të gjithë ne e dimi se në vitet e kaluara, ka pasur shumë ankesa nga qytetarët dhe prodhuesit se ndonëse çmimet e derivateve të naftës në bursa kishin rënie, për muaj të tërë tregtarët e naftës në Kosovë, kanë vazhduar ti mbajnë çmimet e paraprake, gjë që deri në një masë edhe mund të arsyetohet, për faktin se stoqet (rezervat) që i kanë pas, kanë qenë të furnizuara me çmime më të larta.

Por, në mungesë të inspektimeve të mjaftueshme, ka pas deklarime publike se këto çmime janë mbajtur edhe atëherë kur furnizimi rrjedhës është bërë me çmime më të ulëta. E kundërta e kësaj ka ndodh kur çmimet e derivateve të naftës janë rritë në bursat ndërkombëtare.

Në këtë rast tregtarët e derivateve të naftës nuk kanë pritur që të ti shesin stoqet (rezervat) me çmimet më të ulëta furnizuese, por menjëherë kanë reaguar dhe i kanë ngritur ato duke u bazuar në çmimin në bursë. Në këtë mënyrë, në të dy rastet barrën e kanë bartur bizneset por edhe qytetarët si konsumator, kurse “naftëtarët” kanë realizuar përfitime duke shfrytëzuar rrethanat në treg. Përvoja me çmimin e vajit në pranverën e këtij viti e dëshmon më së miri konstatimin e më sipërm.

Ndonëse bizneset kishin në rezerva (stoqe) në sasi të konsiderueshme të vajit, ata i ngritën çmimet në nivelin e çmimeve të pritura, ndonëse furnizimet paraprake me lëndë të parë apo edhe me produkte të gatshme ishte me çmime dukshëm më të ulëta.

Së dyti, nga ajo që theksuam më lartë më duhet të konstatoj se veprimi aktiv i qeverisë përmes politikës fiskale duke ulur ose hequr plotësisht akcizën në derivate të naftës për një periudhë të caktuar, ose duke ulur TVSH-në në cilin do artikuj të konsumit të përditshëm, do të jepte efekte të menjëhershme në uljen e çmimeve në treg, vetëm nën kushtet e rregullimit administrativ të marzhës së fitimit.

Kështu p.sh., nëse supozojmë se çmimi i naftës sot në tregun me pakicë është 1.76 €, me heqjen e akcizës, çmimi automatikisht do të duhej të ishte për 36 cent më pak, e që në shembullin tonë kjo do të shpinte në një çmim me pakicë prej 1. 4€. Natyrisht se kjo do të ishte një ndihmesë e mirë për konsumatorët dhe për bizneset. Por, dilema shtrohet se sa do të respektojnë tregtarët këtë ulje të çmimeve, dhe a do të provojnë që heqjen apo uljen eventuale të akcizës ta shndërrojnë në mundësi për të përfituar më shumë nga rritja e marzhës së fitimit.

Andaj, për të eliminuar këtë mundësi potenciale, një alternativë e imponuar është rregullimi administrativ i marzhës së fitimit duke pasur për bazë çmimin furnizues në bursë, përkatësisht në tregun me shumicë. Natyrisht, kjo është një masë që është në kundërshtim me parimet e ekonomisë së lirë të tregut dhe si e tillë është jo aq popullore, por si e tillë është e imponuar nga situata e përgjithshme në tregun ndërkombëtar dhe vendor. Kjo është një masë në kundërshtim me parimet e ekonomisë së lirë të tregut po aq sa edhe kërkesa e përditshme e bizneseve për përkrahje financiare nga qeveria, kërkesë që në mënyrë të vazhdueshme për cdo ditë e përsërisin pa përjashtim të gjithë, duke përfshi këtu edhe partitë me programe “të djathta” edhe ato me programe “të majta”. Në rrethana të krizave roli i shtetit (qeverisë) është i imponuar dhe i pazëvendësueshëm edhe në ekonomitë më liberale të tregut.

Së treti, ulja ose heqja eventuale përkohësisht e akcizës për derivate të naftës do të jetë e shoqëruar me uljen e të hyrave buxhetore të qeverisë. Ky efekt sigurisht se duhet të kalkulohet mirë paraprakisht.

Por, konsideroj se rritja e çmimit ndërkombëtar të naftës ka bërë që të hyrat nga TVSH-ja të arkëtuara nga tregtia e naftës të rriten sigurish në proporcion me përqindjen e rritjes së çmimeve. Kështu p.sh., nëse çmimi i naftës me pakicë para dy vite ishte 0.90 cent, atëherë, del se çmimi pa TVSH ishte 0.76 cent. Nëse supozojmë së aktualisht çmimi me pakicë me TVSH por pa akcizë do të jetë 1.4 € atëherë rrjedh se çmimi pa TVSH do të jetë 1.18 €, kurse TVSH e inkasuar nga shteti për litër është 0.214 cent që është dukshëm më e lartë se sa TVSH e inkasuar kur çmimi me pakicë ishte 0.90 cent, e që ishte gati 0.137 cent për litër.

Rrjedh se për cdo litër të naftës tani do të inkasohet më shumë TVSH për 0.08 cent. Kjo në një masë do të mbuloj një pjesë të zvogëlimit të të hyrave nga akciza, të paktën nominalisht (kjo natyrisht se nuk e mbulon efektin negativ të inflacionit në ekonomi dhe në vlerën e parasë, të cilin efekt nuk po e marrim parasysh në këtë shkrim).

Këtu duhet shtua edhe rritjen reale të të hyrave buxhetore si rezultat i shtimit të supozuara të aktivitetit ekonomik dhe rritjes së konsumit të qytetarëve si rezultat i uljes së çmimit të derivateve të naftës për shkak të heqjes së akcizës. Kështu që ka shumë të ngjarë që diferenca e rritur e të hyrave nga TVSH si rezultat i çmimeve të rritura (nominalisht), sikurse edhe të hyrat reale tatimore të rritura si rezultat i shtimit potencial të aktivitetit ekonomik biznesor dhe konsumit të qytetarëve (në vlerë reale), në masën më të madhe të mbuloj rënien e të hyrave buxhetore të shkaktuara si rezultat i heqjes eventuale të akcizës.

Së katërti, kërcënimi se nëse qeveria do të rregulloj madhësinë e marzhës së fitimit në kundërshtim me kërkesat e “naftëtarët”, ata do të ndërpresin furnizimin e tregut me derivate, është i pakuptim, joracional dhe jo proporcional me situatën e përgjithshme në tregun ndërkombëtar dhe vendor. Rritja e vazhdueshme e çmimeve si dhe mungesat e theksuara e artikujve themelor të procesit të prodhimit, rrezikon që rritjen ekonomike të vitit të kaluar që ishte përfituese për të gjithë ta kthej në një rënie të ekonomisë (stagnim) të shoqëruar me inflacion, të njohur në ekonomi si stagflacion (rënie ekonomike të shoqëruar me inflacion). Në një situatë të tillë do të humbin të gjithë dhe sigurisht edhe “naftëtarët”.

Në vend të kërcënimit, konsideroj se duhet të ekzistoj gjuha e komunikimit të “solidaritetit” të përgjithshëm në tejkalimin e kësaj situate me sa më pak pasoja për ekonominë kosovare, nga e cila do të përfitonin të gjithë. Në këtë drejtim një “komunikim” lidhur me madhësinë e marzhës së fitimit për të realizuar fitim ekonomik është një opsion real dhe shumë i arsyeshëm. Në rrethana të një krize të përgjithshme, bashkëpunimi ndihmon në tejkalimin e saj me efekte më të vogla negative për ekonominë por edhe për qytetarin dhe mirëqenien e tij. Veprimet e njëanshme dëmtojnë të gjithë papërjashtim.

Do e përmbylli këtë shkrim duke konstatuar se rregullimi i marzhës së fitimit duhet të jetë një opsion i mundshëm sa herë kemi të bëjmë me situata të tregjeve të trazuara si rezultat i faktorëve jashtë fuqisë së kontrollit tonë si shtet dhe si qeveri (cila do qoftë ajo). Kjo vlen edhe për çmimin e naftës! Rregullimi administrativ i marzhës së fitimit do të jetë një alternativë e suksesshme vetëm nëse e njëjta do të jetë e peshuar mirë duke marrë në konsideratë kërkesat e arsyeshme për një marzhë që siguron përfitim ekonomik, në rastin konkret edhe të “naftëtarëve”.

Heqja e akcizës në derivate të naftës e përciellur me rregullimin administrativ të marzhës së fitimit, pa dilemë do të siguroj një ulje të konsiderueshme të çmimit i cili do të ndikoj në rritjen e aktivitetit ekonomik të bizneseve por edhe të konsumit të qytetarëve.

Kjo nënkupton masa të jashtëzakonshme për një periudhë të jashtëzakonshme, që në skenën e ekonomisë botërore po ndodhë të përsëritet për herë të parë pas viteve të 70-t të shekullit të kaluar kur pikërisht rritja e çmimeve të naftës shkaktoj një inflacion në përmasa botërore e që më pastaj u shoqërua me rënie ta aktivitetit ekonomik, pra me stagflacion.

Se a do të ndodh diçka e tillë përsëri, mbetet të shihet, por ashtu siç janë duke u zhvilluar rrethanat politike dhe ekonomike ndërkombëtare, stagfalcioni për shumë ekonomit e shumë vendeve do të jetë një dukuri ekonomike reale.

Prof. Dr. Sejdi Rexhepi

Të ngjashme