Hija e Putinit mbi Bashkimin Europian

Prishtinë | 04 Pri 2017 | 13:36 | Nga Angelo Panebianco

E ardhmja e Bashkimit nuk do të varet vetëm nga se si do zhvillohen marrëdhëniet ndërmjet evropianëve, por edhe nga lidhjet me pjesën tjetër të botës. E asaj bote një përbërëse e rëndësishme është Rusia.

Evropianët flasin sa më pak, ndoshta për të mos acaruar një fuqi të madhe. Ndoshta për t’i shkuar pas asaj pjese të opinionit publik që shikon nga Putin me simpati dhe admirim. Por nëse vërehet një hartë gjeografike e Evropës, kuptohet se Rusia sidoqoftë do të ketë një rol të madh në farkëtimin e fatit tonë.

Pak ditë më parë Marine le Pen u prit në Moskë me shumë dëshmi miqësie. Është një provë e asaj çfarë mund të ndodhë nëse ajo do të bëhej kryetare e Francës: bllokim i integrimit evropian dhe rritje e fuqishme, si kundërgoditje e ndikimit rus mbi një Evropë në rravgim. Është paradoksi i sovranistëve: kërkojnë “lirinë” dhe “pavarësinë” nga “tirania” e Brukselit, por rrezikojnë të vënë Vendet evropiane nën ndikimin e një fuqie të madhe kontinentale me zakone jo liberale.

Por edhe nëse Le Pen nuk do të fitonte në Francë e nëse, edhe në Vendet e tjera trysnia e kundër evropianëve do të përmbahej, problemi nuk zhduket. Marrëdhëniet tona me Rusinë do të kushtëzohen edhe nga politika e ardhshme amerikane.

Nëse kundërshtia e Trump-it kundrejt Evropës do të përkthehet në veprime jo miqësore, nëse vetë NATO-ja do të humbasë rëndësinë e mbetur që ka për amerikanët, atëherë një Evropë prè e një sindrome të braktisjes dhe e paaftë të përkujdeset në mënyrë të pavarur për sigurinë e saj, do të joshej për ta siguruar mbrojtjen nga Rusia. Rusët do të ishin të kënaqur. Mund të fillonin duke ndihmuar evropianët në kundërshtinë e terrorizmit islamik, të forcuar edhe nga pozita e fituar në Lindjen e Mesme.

Çmimi do të ishte i lartë. Një zëvendësim, qoftë edhe i pjesshëm i Shteteve të Bashkuara nga ana e Rusisë në rolin e lordit mbrojtës të Evropës, do të kishte pasoja të ndryshme. Do të bllokonte integrimin evropian: shtysave shpërbërës të brendshme do t’u shtohej një trysni ruse në të njëjtin drejtim. Rusëve iu leverdis, edhe për të ardhmen, një Evropë e ndarë.

Një tjetër pasojë do të qëndronte në përdorimin, gjithnjë e më të hapur dhe sulmues, të për-frikësimit energjetik me qëllim kushtëzimi politik. Veç asaj, ndarja e cila që tani është e pranishme, edhe se në formë embrionale, ndërmjet filloristëve dhe kundër rusëve do të kthehej në ndarje politike qendrore, pothuajse në të gjitha Vendet evropiane.

Së fundi në Evropë, një peshë politike e rritur e një fuqie të madhe që nuk ka qenë kurrë një demokraci liberale, do të përfundonte së korruptuari zakonet evropiane duke i infektuar me mikrobe autoritare. Nuk po flasim për rreziqe të mundshme krizash ushtarake: jo vetëm në Ukrainë, por gjatë gjithë vijave të kufijve të atyre vendeve anëtare të NATO-s (Polonia, Baltiket), që nuk janë të gatshëm të lejojnë një ndikim të ri rus.

Nëse skenari i ravijëzuar këtu do të sendërtohej, brenda një dhjetëvjeçari, do të ishte politikisht e vështirë, në Vende të ndryshme evropiane të botoheshin shkrime si ky që po lexoni. Fatmirësisht e ardhmja nuk është ende e shkruar.

Jemi ne që do ta shkruajmë. Një ndikim i rritur rus po fillon të bëhet i frikshëm jo vetëm për evropianët, që shpresojnë se Evropa e së ardhmes do të jetë ende liberale, por edhe për ata amerikanë që, përveç të qenit kundërshtarë të Trump-it, janë edhe më të kujdesshëm ndaj lojës në jetën ndërkombëtare. Ndoshta është ende e mundshme të sajohet diçka e mirë për të ndaluar që partia e larmishme filoruse evropiane të bëhet shumë e fuqishme për të mos u thyer.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme