Hyn fjalë kah dole

Prishtinë | 27 Sht 2020 | 15:39 | Nga Bajrush Xhemajli

LDK-ja e Vetëvendosje, duke llogaritur se gjatë zgjedhjeve do t’u japin fitoren sulmet e paskrupullta, arriviste, fyese, dashakeqe, e pa zgjedhur mjete, kundër PDK-së, si parti më e fuqishme e cila për 12 vjet parreshtur nuk po i lente me pa “ditë të mira”, në zgjedhjet e 6 Tetorit, ia dolën që PDK-në të na qonin në opozitë! Për më tepër, në fushatën me sulme të ulëta, që të dyja vunë VIJA TË KUQE për PDK-në, pa ju shkuar mendja se edhe pse mund t’i sjellin në pushtet këto VIJA, nuk mund ta mbajnë pushtetin pa PDK-në dhe se pikërisht këto VIJA do t’i qojnë në opozitë, ose do t’u biejnë fjalëve mbrapsht e t’i heqin “vijat e kuqe”.

Prej VV-së nuk ishte çudi, sepse në krejt fushatën e tyre, si agjami politikë, u shkonte edhe kjo vënja e vijës së kuqe, por pse bëhen agjami edhe LDK, e na vejnë vijë të kuqe, nuk ma ka marrë mendja. Në fakt, kjo vija e kuqe e LDK-së, me e shiku në një aspekt, ishte edhe njëfar cirkusi! Po kush me na vu vija të kuqe?!! Merre me mend, Lidhja Demokratike me na mbajt neve vajz për nepotizëm, korrupcion e kapje të shtetit!
Sidoqoftë, në politikë është një thënje e artë: “Kurrë, mos thuaj kurrë!” Po ja që, etja për fitore i verboi, prandaj edhe thanë çka nuk bënte të thuhej, pasi puna ju erdhi deri aty sa, ose “hynë fjalë kah dole”, siç thuhet, ose shko në opozitë!

Një thënje popullore shumë e qëlluar tek ne thotë: “Ha bukë, e le vend për ujë!” Po LDK e VV, kishin ngrënë aq shumë, sa më nuk u kishte mbetë vend për asgjë!

U pa se, VV-së nuk i kishte mbetur vend t’i drejtohej publikisht PDK-së dhe se edhe disa sinjale prapa perdeve nuk dhanë fryt, prandaj ecën në opozitë, si parti që më së shkurti mundi të qeveriste, aq sa as pesimistët më të mëdhenjë nuk kishin menduar se “Qeveria e shpresës”, kaq shpejt, vetë do ta varroste shpresën!
Puna erdhi deri këtu sa VV me ecë në opozitë e LDK e cila erdhi në pushtet, mos me mund as me u gëzu! E krejt kjo, për shkak të vijave të kuqe!

LDK kurr nuk u stabilizua, sepse siç thonë: “ Fjalët si demushi e punët si kërkushi!” Merre me mend, asgjë nuk po mund ta çoj përpara, madje nuk mund ta shtyej as edhe një ligj e lëre më të kryej obligimet si qeveri normale e të mos flasim për përmbushjet e premtimeve që i ka bërë elektoratit gjatë fushatës. Dhe tani kur më tutje nuk mund të shkoj, u desh t’i heç vijat e kuqe!

Po LDK, nuk e ka dert edhe publikisht me i ra pishman! Madje këtë e ka bërë qe sa e sa herë, pikërisht në raport me PDK-në. Dhe interesant, gjithjë “dinjitetshëm”! Në emër të madhorës, të shtetit e të qytetarëve, edhe pse shihet qartë se kjo bëhet gjithëherë, thjeshtë: për interesa partiake, grupore e klanore.

Kjo gjendje politike duhet të kthjellë atë pjesë të klasës politike e cila rivalitetin politik e merr si armiqësi, të reflektojë e të dëgjojë zërin e arsyes si gjatë fushatës, ashtu edhe pas saj e jo të mashtrojë elektoratin e saj duke u bërë tigër prej letre gjatë fushatës e servile pas fushatës!

Të ngjashme