Ideja e korrigjimit dhe zjarri i kashtës

Prishtinë | 11 Shk 2019 | 20:52 | Nga Liri Loshi

Hashim Thaçi do tërhiqet nga ideja e korrigjimit të kufijve me Serbinë në momentin kur ta kuptojë: 1) se është i mashtruar dhe 2) se nuk ka legjitimitet për ta përfaqësuar vullnetin politik të popullit të Kosovës. Shpresoj që këtë ta kuptojë para se të rifillojë dialogu me Serbinë. Thaçi edhe më parë ka pasur ide të pëshpëritura në veshin e tij nga ndonjë instancë ndërkombëtare dhe pasi ka marrë hov e zjarr është shuar si kashta e djegur, thuase asgjë nuk ka ndodhur. (Si ideja për mortoriumin e statusit të Kosovës dy-tri vite pas lufte).

Korrigjimi i kufijve mund të jetë opcion pasi Serbia ta njohë Kosovën me kufijtë ekzistues. Nëse Serbisë i pritet për të hyrë në BE, edhe Kosovës duhet t’i pritet. Për anëtarësim në OKB nuk duhet lodhur hiç kokën. Sikur të ndodhte marrëveshja sipas Thaçit, Kosovës nuk i duhet ulësja në OKB. Atëherë do të kishim bashkimin me Shqipërinë dhe ulësën e përbashkët në OKB, atë që kombi shqiptar e ka sot. Një anëtarësim në OKB ka kuptim vetëm me një Kosovë sovrane dhe me integritet te territorit të sotshëm.

Me asnjë çmim nuk duhet lejuar Serbinë për ta shantazhuar Kosovën. Kërcënimet për luftë janë blof i marrur vesh mes Vuçiqit dhe Thaçit për ta realizuar planin e këmbimit të terriotireve. Ato mund të intensifikohen në momentet finale të Marrëveshjes kur Serbia dëshiron t’i realizojë synimet e veta për të grabitur sa më shumë sipërfaqe dhe pasuri të Kosovës. Populli i Kosovës nuk duhet t’i marrë seriozisht kërcënimet asnjëherë. Kërcënim më të madh për Kosovën nuk ka se politikanët e dobët të tipit të Hashim Thaçit.

Politika serbe brenda një viti a dy do të pësojë ndërrime të mëdha dhe ato ndërrime do ta nxjerrin një Serbi tjetër nga ajo që duket sot. Ajo do të jetë Serbia demokratike dhe proevropiane që do të largohet nga ndikimi rus dhe do ta pranojë realitetin politik në Kosovë. Edhe në Kosovë kjo kohë do të jetë epoka pas Thaçit, i cili nuk do të jetë më pjesë e elitës politike të vendit. Ai dhe një pjesë e konjukturës së tij do të ballafaqohen me ligjin për të kaluarën e tyre korruptive. Hashim Thaçi do të mbahet mend vetëm si një manipulues i shkathët në ankthin e gjatë të politikës së Kosovës.

Kosova duhet pritur që rrethanat e favorshme për Serbinë të zhdukën me zhdukjen e Trumpit nga politika dhe kjo do të ndodh pas dy vitesh. Ne duhet të bëhemi subjekt i marrëveshjes dhe jo objekt i saj, pa marrë parasysh fuqinë ushtarake serbe dhe pamarrë parasysh fuqinë e atyre që duan t’i japin fund çështjes së Kosovës përmes recetave serbe. Pavarësinë e Kosovës nuk e kemi fituar përmes fuqisë, por përmes demokracisë dhe ne nuk kemi asnjë arsye për të mos i besuar demokracisë si vlerë dhe si metoda më e mirë për ta mbrojtur Kosovën dhe pavarësinë tonë. Jo rastësisht shpresat e Serbisë agresore varën në Amerikën e Trumpit. Por në këtë Amerikë nuk varën shpresat e amerikanëve. Ne duhet t’i varim shpresat në Amerikën demokratike, ku i var shpresat vetë popullit amerikan.

Të ngjashme