“Islami jo vetëm religjion, por edhe ideologji politike”

Prishtinë | 12 Gus 2016 | 21:33 | Nga Hamed Abdel Samad

Unë i dënuari me vdekje nga fashizmi islamik, ju shpjegoj tradhëtinë e madhe të Europës”. Intervistë me Abdel-Samad, politolog egjiptian, nën eskortë në Gjermani. Libri i tij është ndaluar në Francë. “Intelektualët nuk duan t’i ndyejnë duart me islamin. Për duatrokitjet, duhet sulmuar Amerika dhe Izraeli”

I ofruan gjithçka që një djalë egjiptian mund të dëshironte: spiritualizëm, kameratizëm, shoqëri, një qëllim. Në Gizë, Hamed Abdel-Samad u fut për t’u bërë pjesë e Vëllazërisë Myslimane. I ati e kishte mësuar të lëxonte Kuranin, por qe Vëllazëria ajo që ia shpjegoi sesi të përkthejë në praktikë këto mësime. Kalimi i kohës më i preferuar i tij ishte që të marshonte më Vëllazërinë gjatë manifestimeve, duke shpalosur flamurin e Profetit. Abdel-Samad i refuzoi pas një dite në shkretëtirën egjiptiane. U dhanë të gjithë “vëllezërve” nga një portokall pasi kishin ecur nën diell për orë të tëra. I urdhëruan që ta qëronin. Qenë të lumtur që më së fundi kishin diçka për të shuar etjen. Pastaj Vëllazëria i urdhëroi ata që ta groposnin frutin në rërë dhe t’i hanin lëkurat. “Jam ndjerë krejtësisht i poshtëruar. Objektivi ishte që të thyhej vullneti ynë. Kështu krijohen terroristët. E kam lënë Vëllazërinë menjëherë më pas”.

Sot Abdel-Samad është 46 vjeç dhe jeton në Mynih të Bavarisë, ku është martuar me një vajzë daneze dhe punon për Institutin e Historisë dhe Kulturës Hebraike të Universitetit të Mynihut. Pas diplomimit, Abdel-Samad ka punuar pranë UNESCO-s në Gjenevë, më pas ka hyrë në Departamentin e Studimeve Islamike pranë Universitetit të Erfurtit, përpara se historiani Michael Brenner t’i ofrionte një pozicion pranë Universitetit të Mynihut në vjeshtën e 2008. Libri i parë i tij ka shkaktuar një tollovi të madhe në fshatin e lindjes së Abdel-Samad, ku disa banorë kanë dashur t’ia djegin librin. Abdel-Samad kishte pasur guximin që kishte hyrë dhe qe bërë pjesë e atyre që revista amerikane “New Republic” i ka quajtur “ateistët e padukshëm”, të refuzuarit, heretikët, blasfemët e botës islamike. Një tjetër zjarr, një zjarr i butë, sapo ka djegur librin e ri të Abdel-Samad, “Der Islamische Faschismus: Eine Analyse”, i shumëshitur në Gjermani, ku është botuar nga një botues si Droemer Knaur.

Shtëpia botuese franceze “Piranha” kishte blerë të drejtat për ta përkthyer në frëngjisht veprën më të njohur të Abdel-Samad dhe kishte edhe një datë daljeje në Amazon, 16 shtator. Por shtëpia botuese në momentin e fundit ka bërë një prapakthehu. Jean-Marc Loubet, në krye të shtëpisë botuese, ka njoftuar autorin se botimi i librit të tij për momentin është i paimagjinueshëm në Francë për arsye sigurie, por edhe sepse mund “të çojë ujë në mullirin e të djathtës ekstreme”. Për kritikat e tij ndaj islamit, Samad në Gjermani jeton nën eskortë dhe mbi të ka një fetva për herezi, të nxjerrë nga disa imamë egjiptianë.

“Shtëpia botuese Piranha kishte blerë të drejtat e librit, e kishte përkthyer, ishte tashmë në Amazon kur ka vendosur t’ia ndalojë botimin”, thotë Abdel-Samad në këtë intervistë për “Il Foglio”. “Dy vite më parë, pas sulmit ndaj Charlie Hebdo, kishin vendosur t’i blinin të drejtat e librit. Pas Nicës, qenë të gatshëm ta hidhnin në treg në shtator. Drejtori i shtëpisë botuese i ka shkruar një email agjentes time gjermane, duke shpjeguar se kishin pasur një mbledhje me krerët e shtëpisë botuese dhe se ekzistonte një rrezik shumë i lartë për punonjësit në botimin e një titulli të tillë, se kishte ndodhur Charlie Hebdo dhe se nuk mund të kishin edhe ata të njëjtin fund. Unë i njoh mirë rreziqet që kalohen në të tilla raste, jetoj nën mbrojtjen e policisë, marr kërcënime dhe sikur të kishin pasur vetëm frikë, do të kishte qenë e kuptueshme. Një vit më parë kishin thënë “Jemi Charlie” dhe tani thonë “Kemi frikë të jemi Charlie”. Por në pjesën e dytë të emailit ishte shkruar se libri “do të çonte ujë në mullirin e të djathtës ekstreme”.

Është reagimi tipik i shantazhit moral të atij që nuk do që të kritikohet islami. Është më i ndershëm reagimi i terroristëve islamikë që më thonë: “Të vrasim po kritikove islamin”. Por ka edhe një taktikë tjetër nga ana e myslimanëve që shantazhon në mënyrë emotive duke thënë: “Libri yt prek ndjenjat tona”. Dhe kjo taktikë është adoptuar sot nga e majta në Europë. Në qoftë se kritikon islamin, e gjen veten të rrethuar nga këto grupe. Është hipokrizia e kulturës, sepse e kanë transformuar frikën në një mburrje”.

Rasti i Abdel-Samad nuk është sigurisht i pari. “The Jewel of Medina”, romani i amerikanes Sherry Jones mbi jetën e gruas së tretë të Muhamedit, është blerë dhe më pas është refuzuar nga shtëpia botuese “Random House”, që i kishte paguar tashmë një paradhënie të majme autores dhe kishte lançuar një fushatë promovuese ambicioze. Pastaj ndodhi rasti i Yale University Press, që ka botuar librin e Jytte Klausen, “The Cartoons That Shook the World”, kushtuar historisë së karikaturave daneze, por pa ia riprodhuar karikaturat. “Kapitullimi i Yale University Press është episodi më i keq i dorëzimit ndaj ekstremizmit religjioz mysliman që po përhapet në të gjithë kulturën”, komentoi Christopher Hitchens. Në Gjermani shpërthen rasti i Gabriele Brinkmann, romanciere e vlerësuar, që papritmas mbetet pa shtëpi botuese. Në romanin e saj “Wem Ehre Gebuhrt” (Kujt i detyrohet nderi) kishte disa pasazhe, që sipas avokatëve të shtëpisë botuese Droste, do të mund të “irritonin komunitetin islamik gjerman” dhe ta ekspozonin botuesin “ndaj padive dhe frikësimeve”.

Kështu që shkrimtares iu kërkua t’i censuronte pasazhet delikate. Autorja ka refuzuar dhe ka humbur shtëpinë botuese. Brinkmann ka komentuar: “Është një skandal për një botues që ta fusë bishtin midis shalëve në këtë mënyrë. Bëhet fjalë për besnikëri preventive”. Duke shkuar akoma më prapa, kemi rastin e Salman Rushdie dhe të “Vargjeve satanike” të tij. Shtëpia botuese franceze Christian Bourgois refuzoi ta botojë pasi i kish blerë të drejtat dhe të njëjtën gjë bëri botuesi gjerman Kiepenheuer, që u pendua që ia kishte blerë të drejtat librit dhe zgjodhi që t’ia shesë një konsorciumi prej 50 botuesish në Gjermani, Austri e Zvicër, të grumbulluar nën siglën “UNCharta Artikel 19”. Shumë shpejt edhe shoqata e botuesve anglezë zgjodhi që të mos vihet në vijën e parë në aferën Rushdie. Ishte e vërtetë që një shkrimtar britanik dhe botuesit britanikë të tij qenë nën kërcënime me vdekje, por shoqata u deklarua e preokupuar që “të mos e rëndonte më kot një situatë thellësisht të papëlqyer”. Një mesazh në dukje delikat, por që kishte shumë pak ndershmëri. Oxford University Press vendosi kështu të marrë pjesë në Panairin e Librit të Teheranit bashkë me dy shtëpi botuese amerikane, McGraw-Hill e John Wiley, pavarësisht kërkesës së Viking Penguin, botues i Rushdie, për ta bojkotuar evenimentin. Zgjodhën që të luftojnë censurën vrastare me dorëzimin, të gatshëm që të sakrifikonin lirinë e shprehjes në altarin e “business as usual”: shitja e librave ishte më e rëndësishme se kolegët e kërcënuar.

Kundërrevolucioni i Hitlerit dhe Islamit

Vijmë kështu në përmbajtjen e librit të Abdel-Samad që ka prodhuar kaq shumë skandal. “Libri im është mbi religjionin, pasi krahasoj islamin me fashizmin”, vazhdon më tej Hamed Samad. “Thonë se nuk mund ta vendos një religjion të shekullit të VII-të me një ideologji të shekullit të XX-të. Megjithatë, islami nuk është vetëm një religjion, por edhe një ideologji politike, ashtu siç fashizmi ka qenë edhe një religjion politik. Kulti i liderit, e vërteta absolute, kultura e vdekjes, martirët, populli i zgjedhur, vetëm të cilit i jepet akses tek e vërteta: islami paraqet të njëjtat karakteristika.

Islami influencon jetën e qindra million njerëzve, përfshi jetën seksuale të tyre në dhomën e gjumit. Unë flas për islam dhe jo për islamizëm, pasi i dyti buron nga i pari dhe ekziston qysh nga koha e Muhamedit. Nazizmi ka racën ariane, islami ka ummanë, komunitetin e besimtarëve. Populli i zgjedhur i islamit përforcohet nga një mision hyjnor: të bashkojë vendet dhe të qeverisë botën. Është një mision i shenjtë. Për të dy, fashizmin dhe islamin, vetë ideja e shpalljes luftë ndaj të pabesëve është e ngjashme: nuk lufton për të jetuar, por jeton për të luftuar. Dhe ky është xhihadi, lufta e shenjtë, që nuk ka të bëjë me kufij apo politikë, por është lufta që nuk përfundon kurrë. Është një luftë e përjetshme për t’ju afruar Zotit. Pastaj është koncepti i armikut: të jashtëm e brendshëm. Për fashizmin ishte Perëndimi dhe aelatët, kurse të brendshëm qenë komunistët, hebrenjtë, opozitarët. Në islam, ai i jashtëm është Perëndimi dhe Izraeli, ai i brendshëm janë laikët, kristianët, apostatët. Të dy e çhumanizojnë armikun, armiku nuk mund të jetë human, është asgjësimi total i armikut, askush nuk duhet të mbijetojë.

Në Kuran, të pabesët janë më keq se kafshët, hebrenjtë si derra e majmunë, pisa, të ndyrë. Është e njëjta semantikë e nazistëve mbi hebrenjtë. Nëse eliminon aspektin njerëzor të armikut, eliminon çdo simpati, jo vetëm e vret, e përfundon, për ta zhdukur nga faqja e dheut. Hitleri e shihte fundin e hebrenjve si shpëtimin e Gjermanisë. Po kështu, Muhamedi thotë se hebrenjtë duhet të luftohen deri në fund, edhe prapa një guri. Është një hadith i famshëm që ndodhet edhe në kartën themeltare të Hamasit. Është apokalipsi. Është kjo që mësojnë fëmijët në shkollat e botës arabo – islamike. Është vizioni i plotfuqishmërisë”.

Islamizmi ka lindur si në kohën e nazizmit

“Lufta e Parë Botërore i ka dhënë fund Perandorisë Gjermane, asaj ruse dhe kalifatit. Nazizmi dhe fashizmi kanë dalë atëhere si komunizmi në Rusi, ndërsa në islam lind Vëllazëria Myslimane, që ka si objektiv final restaurimin e Kalifatit. Nga Meka në Raqqa, nga Muhamedi tek ISIS-i, është i njëjti objektiv. Terrorizmi islamik terrorizon armiqtë, siç bënë Mussolini dhe Hitleri me Këmishat e Zeza dhe SS-ët. Sulmet terroriste janë vetëm një strategji”.

Çfarë do islami radikal i sotëm?

“Në realitetet e tyre do ta çojë shoqërinë fillimisht tek modernizmi, përpara individualizmit, lirisë së ndërgjegjes, të ndarjes së pushteteve. Është një kundërrevolucion ndaj modernizmit dhe kulturës. Të gjithë duhet të sakrifikojnë dhe të sakrifikohen për këtë qëllim. Për jashtë, islami do të pushtojë botën, do të lajë hesapet me pjesën tjetër të botës sipas ligjit të tij, ashtu siç bëri nazizmi”.

Largësia e elitave europiane

Abdel-Samad parashikon se përplasja e qytetërimeve, e shpallur nga falangat radikale të islamit ndaj qytetërimit perëndimor, do të vijë duke u intensifikuar.

“Në perspektivë nuk do të jetë e gëzueshme”, thotë intelektuali egjiptian. “Sot ka 300 milion myslimanë nën 15 vjeç. Ky është fakt, jo profeci. Rinia është nga ana e islamit. Është vetëm çështje kohe. Në 15 – 20 vjet, fëmijët do të jenë bërë burra dhe shumë prej tyre, të lindur në shoqëri të frustruara, të dështuara e të korruptuara, çfarë do të bëhen? Gjëja më e tmerrshme nuk janë bombat e sotme, por ajo që do të ndodhë nesër. Jo gjithë këta miliona do të jenë terroristë, por mjafton vetëm 1 milion. Midis 300 milion fëmijëve myslimanë, sikur vetëm 1 përqind prej tyre të radikalizohej, prapseprapë do të nënkuptonte 3 milion njerëz. Në pikun e saj, al Qaeda kishte 7000 militantë. Maksimumi, Shteti Islamik ka 30000 persona dhe po terrorizon gjithë botën”.

Pastaj janë milionat e myslimanëve që jetojnë në Europë.

“Pjesa më e madhe e tyre janë paqësorë. Por shumca është e parëndësishme, nuk e frenon këtë fenomen të tmerrshëm në komunitetet e tyre. Në Gjermani ka 1000 gjermanë që luftojnë për Shtetin islamik. Një terrorist i vetëm në Nicë apo në Ansbah është në gjendje të terrorizojë miliona europianë. Dhe radikalizimi po bëhet gjithnjë e më i fortë. Sa më shumë myslimanët frekuentojnë programet e antiradikalizimit në Europë, aq më shumë radikalizohen. Është e frikshme që po mësohemi me terrorizmin, presim vetëm sulmin e radhës. New York, Madrid, Londër, Paris, Nicë, Bruksel, Mynih… Cili do jetë i ardhshmi?”.

Nga ku lind urrejtja e këtyre bijve të rinj të Europës ndaj vetvetes?

“Nuk refuzojnë mallrat e konsumit, por idenë që ndodhet prapa: modernizmin. Nuk i braktisin kallashnikovët pse janë bërë të pabesë, por shpirtin e modernizmit, lirinë, barazinë, këto i refuzojnë. Europa nuk u ka ofruar emigrantëve një identitet dhe emigrantët nuk u kanë mundësuar fëmijëve të tyre që të bëhen pjesë e shoqërisë që i ka mikpritur. Është ngritur një mur nga prindërit përballë fëmijëve të tyre. Në Kuran është e shkruar që të mos bëhesh mik me hebrenj dhe kristianë”.

Islamizimi total i Europës nuk do të ndodhë, do të ndodhë diçka ndryshe.

“Numrat nuk janë shumë të mëdhenj, por myslimanët nuk janë pjesë e të njëjtit bekgraund. Ka sunitë, shiitë, alavitë, kurdë, turq. Por islamizimi i pjesës më të madhe të qyteteve europiane tashmë është realitet. Londra, banlieue franceze, Malmoe, disa pjesë të Berlinit, shumë zona në Hollandë. Vetëm në Europë ekziston ky realitet, si në Johanesburg e San Paolo të Brazilit. Zonat e ndaluara. Getoja. Kur flas në Gjermani për integrimin, përgjigjem: Për herë të parë rimerrni monopolin e dhunës, rijepjani shtetit. Do t’i përdorin këto zona, ku koeficenti demografik është shumë i lartë, ku welfare mendon për gjithçka, që të infektojnë pjesën tjetër të Europës. Shteti social duhet të reformohet, nuk mund të marrësh benefitet sociale prej faktit që ke fëmijë dhe të mos bësh asgjë. Këta njerëz nuk e kanë idenë se nga dalin paratë për të jetuar. Kjo duhet të marrë fund. Nuk kanë asnjë mirënjohje për shtetin që i ka mikpritur. Përkundrazi, provojnë gjithnjë e më shumë frustrim.

Jashtë gjejnë 3 zgjedhje: salafitët, të droguarit dhe tutorët. Tensioni do të rritet me ardhjen e 1 milion emigrantëve vetëm në Gjermani. Skenari është i tillë që askush nuk di çfarë të bëjë. Do të ketë më shumë segregim e më shumë dhunë, do të rriten krimet e rregullta dhe terrorizmi fetar. Për mua problem është se Europa i kushton gjithë kësaj që të vazhdojë në një ndjenjë indifference, nga politikanët, nga e majta, me zemërimin e të djathtës që mendon se vendet e tyre janë sekuestruar, kështu që mëria dhe urrejtja transformohen në dhunë. Angela Merkel nuk ka bërë asgjë pas Këlnit, Ansbahut, Mynihut. Ka dalë në televizion e ka thënë: “Gjithçka do të shkojë mirë”. Pas sulmit ndaj Charlie Hebdo, politikanët francezë kanë shkuar të vizitojnë një xhami, në vend që të vizitonin një të përjavshme satirike apo një komunitet hebraik. Pas sulmit të ardhshëm të shkojnë e të takojnë viktimat. Demokracia nuk mundet nga jashtë, por nga brenda, kur pushon së mbrojturi vlerat e lirisë. Sot ka të njëjtën letargji. Është gënjeshtra e madhe që bëhet klishe dhe që e përsërisim pas çdo sulmi: “Kjo nuk ka të bëjë aspak me islamin””.

Abdel-Samad flet për një tradhëti në kuptimin e vërtetë të fjalës, nga ana e elitave.

“Kjo tradhëti e elitave nuk është e re. Kur Rushdie botoi “Vargjet satanike”, ai u braktis nga elitat kulturore europiane, që morën në mbrojtje myslimanët dhe jo romanin. Kur Rushdie u ftua në Danimarkë, Irani kërcënoi të mos blinte më djathë danez. Dhe Rushdie nuk shkeli në Danimarkë. Është një përzierje oportunizmi dhe indiference. Kur Kurt Westergaard ka pikturuar Muhamedin me bombën në çallmë, elitat kanë nisur të diskutojnë për vlerat artistike të karikaturës. Islami politik është sfida më e madhe e shekullit të XXI-të, por intelektualët europianë nuk duan të merren me të. Është më lehtë të kritikohet Izraeli. Nuk është seksi të flasësh për islamin. Gazetarët kritikojnë Amerikën për të siguruar duatrokitje. Për ta, kush jeton nën eskortë pse ka kritikuar islamin nuk është interesant. Ndjej gjithmonë tradhëtinë e këtyre intelektualëve, që preokupohen për ndjenjat e myslimanëve, kurrë për të miat, të asaj që ka nënkuptuar për jetën time. Mund të kritikojmë gjithçka, por jo islamin. Është shantazhi moral më i madh i kohës tonë”. (Il Foglio)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme