Izraeli kthehet në mollë sherri në Uashington

Prishtinë | 27 Mar 2017 | 10:02 | Nga Maya Schwayde

Emërimi i David Friedman ambasador i ri i SHBA në Izrael është një sinjal i keq. Me një përfaqësues ekstremist në rajon, SHBA e humbasin rolin si ndërmjetësuese në konfliktin në Lindjen e Afërt, mendon Maya Schwayder.

Nën presidentët e kaluar puna ishte ndryshe: kur senati konfirmonte emërimin e një ambasadori të ri për Izraelin, votimi që pasonte ishte gjithmonë një demonstrim i unitetit përtej kufijve partiakë. Votuesit mblidheshin për t’i rrahur shpatullat njeri-tjetrit dhe për të treguar së bashku mbështetjen për demokracinë hebreje.

SHBA ka dekada që janë model për të gjithë botën, kur është fjala për të qendruar në anën e Izraelit. Shumë shtete të tjera orientohen tek politika proizraelite e Uashingtonit, kur flitet për konfliktin bazë të të gjitha konflikteve në Lindjen e Afërme, për Izraelin dhe palestinezët.

Rezistencë e ashpër tek lobiistët në senat

Por ne emërimin  e David Friedmanit, mbështetësit të linjës së fortë, të djathtit ekstremist, mbështetësit të kolonive, avokatit ortodoks, i cili ka qenë deri tani njëri nga avokatët kryesorë të Trumpit për çështjet e Izraelit, ka ndryshuar diçka. Rrallë ka qenë zgjedhja e një ambasadori në senat kaq e diskutueshme.

Të dyja palët u mobilizuan që para konfirmimit të parë të Friedmanit nga një komision i Senatit. Vetëm një demokrat ia dha votën Friedmanit. Lobistë liberalë nuk lanë gur pa lëvizur që të pengohej konfirmimi i Friedmanit. Kjo rezistencë vërtet dha fryte, siç u tregua në rezultatin e ngushtë të votimit në senat, 52 me 46 vota, por zgjedhja e Friedmanit nuk u pengua.

Kjo nuk do të mbetet pa pasoja: me një ambasador në Tel Aviv (ose ndoshta në të ardhmen në Jeruzalem, siç ka ndërmend Trumpi dhe siç e mbështet Friedmani), i cili mbron pozicione të tilla ekstreme, do të ndryshojë rëndësia e konceptit “pro-izraelit”. Dhe me këtë do të ndryshojë edhe e gjithë politika e Lindjes së Afërme. Bisedimet e paqes me Presidentin palestinez Abbas tani ka pak gjasa që të rifillojnë. Në vend të kësaj, Netanjahu me koalicionin e tij të djathtë do t’i hedhë në Jordan edhe premisat e fundit të një zgjidhjeje diplomatike paqësore. Dhe në vend të kësaj do të çimentojë pastaj statuskuonë. Interesat e palestinezëve do të lihen mënjanë, me mbështetjen e Friedmanit dhe me miratimin e Trumpit.

SHBA në anën e të djathtëve ekstremë

Me këtë, SHBA kalojnë krejt në linjën e të djathtëve ekstremë në Izrael. Nga zgjidhja e dy shteteve hiqet dorë, do të ndërtohen koloni të tjera, prania izraelite në Jordanin Perëndimor do të vazhdojë. Kurse në Uashington do të intensifikohet debati, nëse kjo duhet të jetë politika e duhur “proizraelite”.

Diskutimet paraprake dhe rezultati i ngushtë i votimit në Senat tregojnë se konsensusi midis republikanëve dhe demokratëve për temën e Izraelit është prishur. Kjo çarje do të thellohet gjithnjë e më shumë me Friedmanin në postin e ambasadorit. Dhe nuk duket ndonjë vend tjetër, që mund të merrte në vend të SHBA rolin e ndërmjetësuesit në Lindjen e Afërme.

Të ngjashme