Jemi shndërruar në një shoqëri kaotike, që nuk respekton dhe vlerëson asgjë

Prishtinë | 05 Jan 2021 | 18:01 | Nga Ndue Ukaj

Lumturia, në thelb, varet nga një veprim intelekti, kanë menduar të mençurit.

Por kjo duket se nuk vlen në mjedisin tonë, ku intelekti është bërë i papërfillshëm, e ku zhurma, turfullimet, kakofonia, cektësia, kanë marrë hov të jashtëzakonshëm, duke u zënë vendin vlerave fisnike, siç janë dija, etika, mendimi i matur dhe arti.

Jemi shndërruar në një shoqëri kaotike, ku të çaraveshur e të dalldisur, nuk respektojmë askënd dhe nuk vlerësojmë asgjë, ndaj lumturinë e kërkojmë ose gjejmë te grindjet irracionale, te politika e thashethemeve, duke krijuar profetë të rremë, dhe pastaj, duke i shembur ata.

Historia tregon se lumturia e shtetit nuk arrihet me gulçima, turfullima, duke e luftuar paskrupullt njeriun, duke pështyrë e përbaltur çdokënd e duke u përqurrur pas çdo intrige.

Kështu si po sillemi dhe si po flasim, breznive të ardhshme do t’u lëmë tonelata urrejtje, prapambeturi, anarki dhe shumë paqartësi.

Të ngjashme