Kah po shkojmë – Narkoza e vizave (12)

Prishtinë | 09 Jan 2019 | 13:02 | Nga Agron Hoti

Ngathtësia e BE-së për ta shtyrë përpara procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën dëshmon për vështirësitë me të cilat është duke u përballur në mbajtjen gjallë të perspektivës evropiane për rajonin tonë. Tashmë ka filluar të nuhatet se politikat e zgjerimit, të bazuara në kushtëzime të rënda janë duke sjellë vonesa të pafundme në procesin e integrimit evropian, ashtu sikundër që janë duke u treguar si instrument politik në zvënitje e sipër. Kjo ngathtësi e BE-së ka gjetur terren edhe si rezultat i zhvendosjes së fokusit gjeostrategjik të SHBA-së në zona tjera të botës.

Historikisht vendet e Ballkanit Perëndimor kanë qenë trampolinë interesash lindore dhe perëndimore. Duke qenë kështu, çdo zbrazëtirë e krijuar nga njëri krah, tentohet të mbulohet nga krahu tjetër. E ngathtësinë e perëndimit në Ballkanin Perëndimor janë duke u munduar ta shfrytëzojnë me çdo kusht vendet lindore si Rusia, Kina, Turqia dhe Shtetet e Gjirit të Golfit (Arabia Saudite, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajti). Sigurisht që këto vende për të rritur ndikimin e tyre politik, ekonomik dhe kulturor në rajonin tonë janë duke shfrytëzuar resurse, qëllime dhe interesa të ndryshme.

Edhe pse mbi 70% e tregtisë së jashtme të Ballkanit Perëndimor bëhet me BE, edhe pse tërë rajoni gëzon lëvizjen e lirë në hapësirën e Schengenit, me përjashtim të Kosovës, edhe pse tërë rajoni është duke punuar për t’u anëtarësuar në BE, nuk mund të anashkalohet fakti që reformat e ngadalta dhe pa masa të forta nxitëse të BE-së – pra investime – kanë filluar të ulin pritjet e qytetarëve të rajonit drejt BE-së, duke përjashtuar këtu qytetarët e Kosovës, të cilët edhe pse ende të izoluar vazhdojnë të shpërfaqin mbështetjen më të madhe në rajon për projektin evropian.

Përkundër izolimit Kosova vazhdon dhe do të vazhdojë të rrisë shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së. Katër nga pesë investitorët kryesorë në Kosovë janë nga BE. Gjermania prinë me investime e ndjekur nga Zvicra, Austria dhe Mbretëria e Bashkuar, ndërkohë që Turqia zë vendin e pestë.

Pra, edhe pse ka zëra se Kosova po dominohet nga investimet turke, kjo në fakt nuk qëndron as për së afërmi. Edhe Turqia, pa marrë parasysh interesat e saj, nga Kosova shihet si partnere zhvillimore, ashtu siç vazhdon të shihet e tillë edhe nga të gjitha vendet e rajonit. Dhe nëse të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit, përfshirë edhe Greqinë jo fort mike e shohin Turqinë si partner zhvillimor, atëherë Kosova, duke mos harruar se Turqia ka qenë pushtues i tmerrshëm për mbi 500 vite, në aspektin e bashkëpunimit me këtë shtet nuk mund të jetë më ndryshe se sa vendet e rajonit dhe BE. Madje, BE për të rritur shkëmbimet tregtare me Turqinë ka ngritur Union Doganor, diçka që nuk e ka bërë me askënd tjetër në botë.

Siguria

Në aspektin e sigurisë Mali i Zi, Kroacia, Sllovenia, Bullgaria, Rumania, Shqipëria janë anëtare të NATO-s dhe të gjitha, përkundër influencës ruse, kanë orientim perëndimor, përderisa Maqedonia deri me tani qe bllokuar nga vetoja greke, por me ndryshimet kushtetuese do zhbllokohet, Bosnja dhe Hercegovina është bllokuar nga Republika Srbska, Kosova vazhdon të ketë prezencë ushtarake të KFOR-it, ndryshimet legjislative të fundit hapën rrugë për krijimin e Forcave të Armatosura dhe gjithsesi që është tërësisht e orientuar kah aleanca veri-atlantike, Serbia merr pjesë në Programin e NATO-s “Partneriteti për Paqe”, por mban lidhje të forta me Rusinë, kjo e fundit ka hapur Qendrën për Hulumtime në Nish të Serbisë që është vetëm 100 km nga kufiri i Kosovës, si kundërbalancë ndaj NATO-s në Kosovë.

Kosova dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor ka filluar me reforma në shkallë të gjerë, mirëpo niveli i ultë i zhvillimit ekonomik është duke tej-ngadalësuar reformat. Prandaj, BE duhet të ketë nxjerrë mësime deri me tani, pra duhet përgatitur sa më shpejtë që të jetë e mundur një Plan Marshall, i cili do të përshpejtonte zhvillimin ekonomik dhe reformat në rajon. Procesi i integrimit evropian i mbështetur nga Procesi i Berlinit, përpos që duhet të jenë plotësues ndaj njëri tjetrit, duhet të jenë më të shpejtë në veprime dhe duhet të rrisin investimet, e sidomos ato në infrastrukturë, e cila vazhdon të jetë e pazhvilluar dhe jokonkurruese.

Korrupsioni dhe krimi i organizuar fajtorë për çdo gjë

Pa dashur të mohohet fare korrupsioni dhe krimi i organizuar në Kosovë e vende të rajonit, sepse fundja këtë e thonë edhe raportet ndërkombëtare dhe përcepsioni qytetar në Kosovë, BE duhet patur parasysh që Kosova e rajoni nuk mbetën më të varfërat në Evropë si rezultat i korrupsionit dhe krimit të organizuar, por për një milion arsye tjera historike që të gjithë i dimë.

Afrika nuk mbeti më e varfëra në botë si rezultat i korrupsionit, por për miliona arsye tjera që dihen, Amerika Latine nuk mbeti më e varfëra në Kontinentin Amerikan si rezultat i korrupsionit por për arsye që dihen, me një fjalë Hemisfera Jugore karshi asaj Veriore nuk mbeti e varfër për shkak të korrupsionit dhe krimit të organizuar, por për shkak të arsyeve që botërisht dhe që sot kanë marrë vëmendjen kryesore të studiuesve të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Sot bota është e mbërthyer keq brenda interesave të shteteve, organizatave e mekanizmave ndërkombëtarë dhe kjo e shpjegon shumë mirë faktin që luftërat kurrë nuk bëhen në shkretëtira apo në maje të akullta të Andeve, Alpeve apo Himalajeve, por ato bëhen aty ku ka jetë e resurse, e aty ku ka jetë e resurse interesat historikisht mbizotërojnë.

Mos të pret dikush që rajoni i Ballkanit Perëndimor të lulëzojë ekonomikisht, kur dihet që ky rajon së paku në 300 vitet e fundit gjithmonë ka qenë pjesa më e varfër e Evropës, Dhe nëse thuhet që korrupsioni dhe krimi i organizuar janë fajtorë për këtë gjendje, atëherë ai apo ajo ka humbur busullën në kohë dhe hapësirë.

Vetë praktika ka treguar që masat nxitëse përshpejtojnë zhvillimin ekonomik. Nuk u zhvillua rastësisht Koreja Jugore dhe nuk ngeci rastësisht ajo Veriore. Ishin masat nxitëse amerikane ato që e futën në konkurrencën globale jo vetëm Korenë Jugore, por edhe Tajvanin, Japoninë, Gjermaninë, e bashkë me të tërë Evropën Perëndimore. Po të mos ishte mbështetja amerikane, bota sot sigurisht që do të ishte nën një kombinatorikë krejtësisht tjetër me premisa ndoshta fatale për rajone të caktuara.

Dhe tash të kthehemi te Kosova. Nëse Kosova u çlirua nga mbështetja e madhe amerikane, zhvillimi ekonomik i mbetet pjesës evropiane. E nëse Evropa ishte mbështetur nga amerikanët për të ri-marrë veten pas Luftës së Dytë Botërore, atëherë njëjtë duhet vepruar në Kosovë dhe tërë rajonin e Ballkanit.

BE duhet të shuajë përcepsionin se nuk po investon në Ballkan, sepse një zhvillim i hovshëm ekonomik në një Ballkan me mbi 50 milion banorë do t’u bënte konkurrencë të theksuar firmave eksportuese të BE-së, ashtu siç edhe do të rrudhte tregjet. Dhe nëse marrim parasysh garën e tmerrshme globale për qasje në tregje, atëherë ky përcepsion mund të duket i vërtetë.

Por, nëse qëllimi është që të ruhen tregjet dhe të mos rritet konkurrenca në Ballkan, pra që ekonomia e Ballkanit mos ta merr veten sa dhe si duhet, atëherë kjo nuk duhet maskuar duke thënë që është korrupsioni ai i cili po i pengon investimet në Kosovë e Ballkan, derisa në Kinë e Indi as që përmenden këto dukuri, së paku jo në përmasat me të cilat kritikohet Kosova dhe rajoni.

Po të ishte korrupsioni dhe krimi i organizuar në masën që thuhet, atëherë pyetja që shtrohet është se pse vende të caktuara të BE-së po investojnë në Kosovë?! Nëse korrupsioni është pengesë, atëherë ky mesazh duhet përçuar qartë dhe me masa sanksionuese, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të votojnë elita tjera të pakorruptuara. (Vazhdon)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme