Karakteri plural i politikës te shqiptarët

Prishtinë | 28 Gus 2022 | 12:50 | Nga Afrim Kasolli

Përherë më ka bërë përshtypje nocioni greek doxa (δόξα). Zakonisht ky term përkthehet si opinion. Nën ndikimin e filozofisë platonike ky nocion ishte definuar si i kundërt me të vërtetën, njohjen dhe epistemen( ἐπιστήμη). Kështu që nga ajo kohë ky term iu nënshtrua një vlerësimi pezhorativ filozofik.

Mirëpo, sipas Heidegger-it, ky nocion kishte edhe një domethënie tjetër, jo vetëm atë të opinionit, por dhe të famës, madhështisë dhe shfaqjes. Kishte te bënte me mënyrën se si na shfaqen gjërat. Dhe ky kuptim lidhej kryesisht me filozofinë paraskokratike, pra para se e vërteta si aletheia (ἀλήθεια), disklosurë, zhveshje, dukje(unconcealed), të shndërrohej në korrespodencë dhe përputhje si njohje ndërmjet idesë dhe realitetit.

Ndërkaq, për Hannah Arendt, ky term lidhet drejtpërdrejtë me hapësirën politike, atë medium ku shfaqen qeniet njerëzore, si dhe më mënyrën se si hapet bota para neve, por po ashtu me “çelnajen” tonë ndaj botës. Kështu çdo njeri e ka doxa-n e tij. Ajo se si na shfaqen gjërat. Prandaj, edhe ky term rrjedh nga folja “dokein” (δοκεῖν), dhe “dokei moi” (Δοκεῖ μοι).

Ndërkohë, në gjuhën shqipe për mënyrën se si na shfaqen gjërat, ne themi për një fenomen apo dukuri; kjo kështu “më duket mua”. Pra ekziston një ngjashmëri e habitshme ndërmjet këtyre dy formave të të shprehurit, në thelb të së cilës qëndron multiprespektivizmi për botën. Fakt ky që tregon, se edhe në kulturën tonë ka ekzistuar ajo frymë e cila e ruan dhe e afirmon këndvështrimin personal për veten dhe botën, mënyën se si subjektivisht e përjetojmë atë, për dallim nga doktrinat dhe të vërtetat monologjike. Një kusht ky i domosdoshëm edhe për ruajtjen dhe kultivimin e politikës si hapësirë e pluralitetit ndërmjet qenieve njerëzore.

Të ngjashme