Katër pika të interesave tona strategjike

Prishtinë | 28 Tet 2021 | 22:02 | Nga Milazim Krasniqi
  1. Interesi strategjik shtetëror i Kosovës është që qeveria Kurti 2 të ushtrojë mandatin e plotë qeverisës deri sa të arrihet një marrëveshje finale me Serbinë, më saktë njohja e Kosovës si shtet i pavarur. Kurti ka legjitimitet të plotë, e ka shumicën në Kuvend dhe e ka presidenten nën kontroll. Poashtu e ka përballë një opozitë konstruktive, e cila e ka shtetndërtimin si bazament programor. Pra, është një rast unik që një kryeministër yni ka këtë fuqi ekzekutive dhe politike, gjë që mund t’ia forcojë pozitën e tij negocuese.
  2. Interes strategjik yni si qytetarë është që në balotazh të fitojnë me shumicë partitë opozitare, PDK, LDK e AAK, në mënyrë që të balancohet pushteti qendror me fuqinë e pushtetit lokal. Fitorja e LDK në Prishtinë dhe Gjilan, e PDK-së në Prizren e Vushtrri dhe e AAK-së në Gjakovë, do ta sillnin atë balancë dhe do të detyronin pushtetin qendror të jetë më i matur me qytetarët e më bashkëpunues me partitë opozitare.
  3. Interes strategjik kombëtar yni është që Kosova e Shqipëria ta forcojnë bashkëpunimin ndërmjet tyre, në kuadër të një kornize mirëfilli euro-atlantike dhe ta fuqizojnë miqësinë dhe partneritetin politik e ushtarak me ShBA, BE-në dhe me NATO-n, duke u forcuar si faktor kundër penetrimit rus e kinez në Ballkan.
  4. Interes akut dhe afatgjatë jetësor yni është investimi në një arsim më cilësor e më kombëtar, për të forcuar shqiptarizmin, si përgjigje për sfidat që kemi në rrethimin jomiqësor po edhe turbulencat e frymës postmoderniste, në të cilën jetojmë.

Të ngjashme