“Kazani mediatik” i kryeministrit Rama

Prishtinë | 31 Mar 2017 | 11:07 | Nga Roland Lami

Postulati i famshëm i Berkeley “Të jesh do të thotë të shfaqesh” materializohet më së miri në mendësinë dhe praktikën e kryeministrit Rama. Ky i fundit pavarësisht kohës televizive që i vihet me tepri në dispozicion nga ana e mediave, postimeve dhe komunikimit të përjavshëm në faqen zyrtare Facebook ku prej kohësh është mjaft aktiv edhe me transmetimin “LIVE” më së fundmi ka lançuar te kjo faqe transmetimet “LIVE” që me humor ai e quan ERTV, ose Edi Rama TV.

Përshtypja e parë që të krijohet është përpjekja e tij për të siguruar një kanal komunikimi direkt me qytetarët pa ndërmjetës median pasi ky i fundit në vlerësimin e tij nuk është gjë tjetër vetëm “kazan shpifjes”.

Në pamundësi për të rregulluar mediat me sa duket kryeministri është i shtrënguar të shikoj mundësinë e kanaleve të tjera të komunikimit me qytetarët. Pra, vendimi i tij për të intensifikuar komunikimin në faqen zyrtare Facebook le të kuptohet se është më shumë i detyruar nga standardi në të cilin ndodhet media se sa si nevojë për të diversifikuar kanalet e propagandës.

Që media në Shqipëri përballet me shumë probleme këtë na e thonë raportet e organizmave ndërkombëtare dhe kombëtare që merren me vlerësimin e standardeve të mediave në Shqipëri, por problemi në këtë rast lidhet më shumë me qëndrimin që mban kryeministri me mediat. Pyetja që lind në këtë rast – Kryeministrit është viktimë e kësaj situate të krijuar në vite siç lë të kuptohet ai apo bashkëfajtor siç pretendojnë një pjesë e gazetarëve? Pa dashur të jemi kategorik por perceptimi i përgjithshëm konfirmon më shumë variantin e dytë se sa të parin.

Mania e kryeministrit për të kuruar gjithçka në imazh dhe nevoja në shumë raste për të kontrolluar përmbajtjen e mesazhit politik që transmetojnë mediat e ka shndërruar atë në personin më të atakuar nga gazetarët në këto vite. Aq sa është krijuar ideja se kryeministri sot ka arritur të vë nën kontrollon pjesën dërrmuese të mediave elektronike dhe të shkruar duke rënduar akoma më shumë pavarësinë e mediave në Shqipëri. Paradoksalisht me këtë akuzë, që i adresohet kryeministri në krahun tjetër ky i fundit akuzon po mediat për censurë, mungesë profesionalizmi, larg interesave të publikut, përfaqësuese e interesave të pronarëve etj.

Ideja e parë që të vjen në mëndje për të kuptuar këtë paradoks është se kryeministri në radhë të parë është vet viktimë e këtij realiteti të prodhuar nga vetë ai. Së dyti, kryeministri duke ditur perceptimin që ekziston për të në publik në lidhje me manin e tij për të ndikuar te mediat reagon me të njëjtin intensitet në drejtim të krijimit të perceptimit në publik që problemi nuk është ai, por mediat. Pra, në një farë mënyre kërkon ta zhvendosë pozicionin e tij në këtë debat nga fajtor në viktimë duke mishëruar më së miri parimin – mbrojtja më e mirë është sulmi. Së treti, strategjia e tij për të atakuar mediat në një farë mënyre i jep mundësi atij të legjitimojë në sytë e publikut përdorimin e kanaleve të tjera të komunikimit siç janë Facebook dhe së fundmi, televizionin e tij online që me humor ai e quan ERTV, ose Edi Rama TV për të diversifikuar propagandën. Pra, në një farë mënyre kërkon të justifikojë diversifikimin e kanaleve të reja të propagandës nën justifikimin e problematikës më të cilën përballen mediat.

Sigurisht, që biem dakord që mekanizmat vetërregullues të medias kanë kohë që lëvizin ngadalë për të mos thënë që në disa raste kanë zënë ndryshk nga bllokimi. Kjo situatë në të cilën ndodhet media në jo pak raste legjitimon akuzat e ngritura nga kryeministri. Mirëpo, pavarësisht problemeve që ka media sot më mirë të mbështesim “kazanin mediatik” siç e quan kryeministri ku ndërthuren interesa pronarësh dhe gazetarësh, larmi informacionesh për llogari të eksponentëve të ndryshëm politikë, opinione të trajtuara si fakte në disa raste, publikim dokumentesh të klasifikuara, publikim materialesh të siguruara në rrugë jo ligjore, paragjykime të ambalazhuara si fakte etj., se sa të legjitimojmë kazanin mediatik të kryeministrit nëpërmjet komunikimit të përjavshëm LIVE në Facebook dhe transmetimeve po LIVE te kjo faqe të aktiviteteve të ndryshme elektorale të kryeministrit. Më mirë të vuajmë nga e keqja më e vogël që është ajo e varësisë së medias nga interesat e pronarëve se sa të varemi nga i vetmi interes që është ai i kryeministrit.

Tek e fundit për shkak të larmisë së interesave të pronarëve, realizimit pjesërisht të tyre, krijohet një tension, ndërmjet palëve të privilegjuar dhe të diskriminuar që do ta manifestohet te sjelljet dhe qëndrimet që mbajnë mediat e tyre ndaj pushtetit dhe qeverisë së radhës. Në finale do të kemi një pluralitet perspektivash dhe këndvështrimesh sigurisht të motivuara nga interesat, por që pasqyrimi i realitetit do të jetë shumë më plural në krahasim me realitetin monist që prodhon vetëm media e kryeministrit, i cili motivohen nga interesat e pushtetit dhe të kryeministrit.

Më mirë një pluralitet interesash që prodhojnë pluralitet qëndrimesh dhe sjelljesh mediatike të motivuar nga larmi interesash pronarësh se sa një interes të vetëm të qeverisë dhe kryeministrit, që nuk prodhon gjë tjetër vetëm propagandë qeveritare.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme