Këtë fund e ke merituar, Isë!

Prishtinë | 11 Maj 2017 | 19:41 | Nga Imer Mushkolaj

Nuk mund të pritej fund tjetërfare për Isa Mustafën dhe LDK’në, në bashkëqeverisje me partinë e Hashim Thaçit e Kadri Veselit. Ata e tradhtuan Mustafën, siç e tradhtoi ky elektoratin e partisë së vet. Fund të tillë të palavdishëm mund të kenë vetëm njerëzit që mbi të gjitha i kanë interesat personale. Problem për LDK’në nuk është as PDK’ja, as Kadri Veseli, por vetë Isa Mustafa.

Të zhgënjyer me keqqeverisjen e PDK-së, qytetarët e votuan LDK’në, si mundësinë më serioze për ta nxjerrë partinë e Hashim Thaçit në opozitë. Isa Mustafa zotohej se nuk do të bënte kurrë koalicion me SHIK’un e PDK’në. Por, nuk ndodhi kështu. Ai i hyri në shtrat PDK’së, i vetëdishëm se kjo parti do ta bllokojë e shantazhojë, madje edhe do ta përjashtojë nga qeverisja kur të shohë se ka interes.

Por, Mustafa zgjodhi t’i jep përparësi interesit personal. Provoi të qeveris me arrogancë e kokëfortësi, duke i amortizuar të gjithë zërat kritikë që paralajmëronin atë që ndodhi të mërkurën.

Dhe, nuk ishte e vështirë të parashikohej se çfarë do të ndodhte. PDK e ka vendosur si standard prishjen e koalicioneve pa e çuar mandatin deri në fund. Rasti “Zanzibar” do të duhej t’i kishte shërbyer Mustafës si leksion për të mos e nisur aventurën e dëmshme, që do ta fundoste herëdokur. Por, ai vendosi me të vetën dhe përfundoi si mos më keq.

Mustafa nuk i dëgjoi as zërat brenda partisë, e as ata jashtë që e paralajmëronin se do të ndodhte një “Zanzibar 2”. Përkundrazi, thoshte se bashkëqeverisja me PDK’në po iu shkonte mjaltë. Por, “qeverisjes së mjaltit” i erdhi fundi shpejt dhe Isa Mustafa u rrëzua nga partneri i koalicionit.

Në ditën e fundit si kryeministër, në Kuvendin e Kosovës, Mustafa nuk kurseu cilësime nga më të ulëtat dhe akuza nga më të ashprat ndaj PDK’së. Ai ia numëroi të zezat partisë së Veselit, thua se nuk kishte qeverisur bashkë me të. Gjë mangut nuk i lanë as deputetët e LDK’së në akuzat ndaj PDK’së. Që të dy palët flisnin si të ishin në opozitë, e jo si të kishin qenë në bashkëqeverisje. Një maskaradë e paparë.

* * *

Maskarada vazhdoi edhe pas prishjes së koalicionit. Zyrtarë të të dyja partive nxorën për fushe gjithë arsenalin e akuzave për njëri-tjetrin. LDK tash thotë se nuk e njeh Hashim Thaçin president, ndonëse kishte hequr shumë që ta zgjedh në atë post, me vullnetin dhe kontributin e madh të Isa Mustafës. PDK, ndërkaq, akuzon LDK’në për ngecje në qeverisje, duke harruar se gjysmën e përgjegjësisë e kishte vetë.

Zyrtarë të LDK’së i nxorën në shesh sërish akuzat e vjetra për SHIK’un dhe Kadri Veselin, ndërkohë që vetë kishin pranuar të bëjnë koalicion me të, madje e kishin zgjedhur edhe kryeparlamentar. Tash, ai ishte ktyher sërish në njeri të nëntokës, vrasës e kriminel.

Mustafa dhe LDK do të duhej ta kishin të qartë që në fillim se është e kotë të provosh të qeverisësh, e aq më pak të arrish sukses duke u bërë partner me PDK’në, partinë e cila tash një dekadë e ka kapur shtetin e Kosovës, i ka kapur institucionet – partinë klienteliste, e cila është në gjendje të bëjë gjithçka, vetëm të mbetet në pushtet. (Express)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme