Kjo grevë shpërfaqi paradokset e kryeministrit

Prishtinë | 04 Tet 2022 | 09:28 | Nga Ekonomia Online

E kanë thënë edhe të tjerë, se sikur greva në arsim dhe ajo që pasoi me ndalimin e pagave për grevistët, të kishte ndodhur në cilëndo qeveri të “regjimit e vjetër” do të kumbonte salla e Kuvendit nga fjalimet e Albin Kurtit në mbrojtje të tyre. Kërkesat e kësaj trupe nuk do të quheshin irracionale, absurde dhe të padrejta. Përkundrazi, legjitime. Këtë madje e dëshmojnë edhe statuset edhe prononcimet e tij në të kaluarën, kur sindikatat kishin organizuar greva.

Kurse ai nen mbi ligjin e pagave që tash ekzekutivi po e përdor si mjet për ta justifikuar persekutimin e grevistëve, do të konsiderohej si shprehje e superstrukturave politike të atij regjimi, që është miratuar më qëllim që t’i mbrojë interesat e ngushta të atyre që sundojnë mbi këtë shoqëri, e jo të drejtën. E tillë dinë të jetë ironia e historisë. Pikërisht atë normë ligjore të miratuar nga “regjimi i vjetër” që dikur Albin Kurti do ta satanizonte si nen të eksploatimit, sot e përdor si mjet për ta mbrojtur pushtetin e tij në raport me grevistët.

Të gjitha këto kundërthënie tregojnë qartë se kryeministri i vendit në vazhdimësi ka qenë në kundërshtim me vetveten dhe jo me “regjimin e vjetër”. Kurse kundërshtimet me vetveten lindin kur i instrumentalizon parimet dhe kauzat. I përdor ato vetëm sipas interesave partikulare dhe momentale. E siç dihet, që nga koha e Sokratit të qenit në kundërshtim me vetveten përbën thelbin e qëndrimeve jo etike. Kjo ishte arsyeja e konfliktit të tij me Sofistët. Sepse këta të fundit e konsideronin të dobishme çdo gjë që ju shërben interesave të çastit.

Kështu, kjo grevë, më shumë se asgjë tjetër na tregoi për këto paradokse të kryeministrit. Për pajtimin e tij dhe pranimin e plotë të “regjimit të vjetër”, përkundër propagandës politike se është kundër atij pushteti, me qëllim që t’i luftojë ata që dikur nominalisht e shpallte vetën si mbrojtës së tyre.

Thjesht dikur i konsideronte të drejta kërkesat e sindikatave, sepse në këtë mënyrë mëtonte ta luftonte pushtetin e eksponentëve të “regjimit të vjetër”, kurse sot i përdor ato nene dhe ligje të atij “regjimi” për t’i persekutuar dhe ndëshkuar sindikalistët me qëllim që ta dobësojë çdo strukturë kolektive që mund të jetë sfiduese për pushtetin e tij.

Të ngjashme