Koalicioni duhet të bëhet, e duan qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë

Prishtinë | 27 Jan 2020 | 15:53 | Nga Mefail Bajçinovci

Koalicioni i dy partnerëve që kanë marrë besim qytetarë në masën e një shumice të padiskutueshme duhet të bëhet.

Argumentet e disa zyrtarëve brenda LDK’së për kinse tendencën e LVV për ta nënshtruar LDK’në, nuk qëndrojnë.

Ne vazhdojmë ta konsiderojmë LDK’në partnerin e vetëm të mundshëm me të cilin duam të qeverisim bashkë.

Ne këtë po e tregojmë për çdo ditë me vullnetin për t’i diskutuar të gjitha mënyrat e mundshme për arritje të marrëveshjes.

Kjo marrëveshje duhet të arrihet pa humbur kohë, sepse përtej kritikave të ndërsjella, kemi vullnet të dyanshëm për koalicion i cili nuk duhet të pengohet nga zëra të përveçshëm që tashmë veç haptas dalin kundër marrëveshjes.

Pse dikush sheh rrezik për karrierë politike personale, nuk duhet që interesin afatgjatë të vendit, e të vet partisë politike së cilës i përkasin, të ja nënshtrojnë interesit personal.

Koalicionin e duan qytetarët, e duan strukturat dhe votuesit e dy partive tona, e duan edhe miqtë e partnerët e Kosovës dhe sot, kontributi drejt realizimit të tij, është akt patriotik e shërbim i pakompensueshëm drejt demokratizimit të jetës politike e kthimit të shtetit në binarë të rendit dhe ligjit.

(Autori është deputet i zgjedhur i Vetëvendosjes)

Të ngjashme