Koalicioni LDK-VV, në mes idealeve dhe realitetit

Prishtinë | 28 Gus 2019 | 16:17 | Nga Arbnor Sadiku

Idealet supozohen se mund të bëhen fakte, që më pas ato të tingëllojnë si realitete. Por është një autor shumë i njohur, Robert Luis Stivensoit, i cili me të drejtë shtron pyetjen: “A ka në jetë gjë më zhgënjyese se suksesi”, dhe ai mundohet të japë një përgjigjeje interesante për këtë, duke e shpjeguar rrugën nga ideali deri tek realiteti në kuptimin që të “udhëtosh me shpresë është më mirë se të arrish” .

Në kontekstin e njëjtë edhe Herci e thekson se “idealizmi politik ka kohën e madhësisë kur i kundërvihet sistemeve politike dekadente”, dhe ai degjeneron posa e arrin qëllimin përfundimtar, dhe kur arrin fitoren, ai vdes.

Pra, idealet nuk do ishin të shtrenjta, dhe nuk do na ngrohnin zemrat ne, në qoftë se nuk do ishin në njëfarë largësie nga ne. Dhe, se idealet janë trasuar të mbeten ato që janë d.m.th nuk supozohen të bëhen fakte – për arsyen e thjeshtë se duhet të jetë nuk mund të ketë kuptimin është. Në shikim të parë ky mund të duket një pohim paradoksal por kjo e tregon arsyen ekzistencës së tyre dhe përse ato përdoren.

Tompsoni e kishte pohuar më parë se idealet më shumë ndërveprojnë me botën reale sesa reagojnë ndaj saj, dhe kjo nuk d.m.th apriori se idealet mund të mposhten nga konstatimet.
Në këtë kontekst, mund të themi edhe ne se idealet mund të tradhtohen në shumë mënyra, dhe mënyra më e sigurt sipas Xh. Sartorit është të injorosh faktin se funksioni kuptimor i tyre ndryshon dora-dorës, që ndryshon nga bota reale qe e rrethon. Në vazhdën e kësaj, edhe ne mund të themi se ka mënyra për t’u tradhtuar nga idealet, dhe për t’i tradhtuar idealet, njëra prej tyre është edhe mania e përsosmërisë.

Pra, ajo që e ndryshon idealin me realitetin është fakti i thjeshtë se idealet dhe idetë gjenden brenda kokës sonë, ndërsa faktet janë pjesë e ambientit të jashtëm poliltik.

Andaj, edhe konstelacioni i tanishëm politik në Kosovë ndodhet para një sfide të madhe, në mes idealeve dhe realitetit sidomos i ashtuquajturi bllok opozitar Lidhja Demokratike e Kosovës, (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje, (LVV), të cilat e kanë në dorën e tyre mundësinë e ndryshimit pragmatik të qeverisjes së Kosovës, përmes instalimit të një kulture tjetër qeverisëse.

Por, këtë po e pamundëson fakti sepse dy partitë kryesore opozitarë nuk po mund të arrijnë konsensusin e plotë për kandidatin e përbashkët për kryeministër, dhe kjo po ndalohet duke marrë për bazë faktin se LDK, kishte arritur me mund të madh në bindjen e strukturave të saj, që kandidat i saj për kryeministër të jetë deputetja Vjosa Osmani, dhe tanimë ky është fakt i kryer për ta. Ndërsa, LVV-ja, kishte pritur gjatë dhe e kishte stërvitur për viteve të tëra Albin Kurtin në opozitë, qe ai të vijë si kryeministër i vendit, dhe tashmë ky është një sinonim i pushtetit për ta.

Që LDK dhe LVV të arrijnë një koalicion parazgjedhor duhet që të bëjnë një marrëveshje ideale, dhe me “njerëz që nuk i ngjajnë maniakut të përsosurisë që tenton të i realizojë idealet në kuptimin e tij të mirëfilltë”, e që dihet se ato janë të destinuara në mënyrë të pashmangshme të dështojnë. Dhe, të kthehen krejt kundër tij.

Para së gjithash duhet të thënë, se ideale do të ishte sikur këto dy parti opozitare LDK dhe LVV, të hynin në një koalicion parazgjedhor, por nuk mund të anashkalojmë faktet të cilat i kemi përball se po këto dy parti kanë kandidatura të fuqishme për të parin e qeverisë, siç i cekëm më lart, LDK me Vjosa Osmanin, dhe LVV me Albin Kurtin, këto fakte e pamundësojnë arritjen e një marrëveshje ideale parazgjedhore në mes të dy partive më të mëdha opozitare në Kosovë. Veç, në qoftë se kemi bashkimin e PAN 2, atëherë, inercia do të shtyjë edhe dy partitë opozitare në fjalë, që të shkojnë patjetër në koalicionin e madh parazgjedhor, LDK-LVV.

Pra duke marr parasysh atë që e cekëm më lart, mund të konstatojmë se rruga më drejtë do të ishte që dy partitë e mëdha opozitare LDK-LVV, të shkonin në zgjedhje veçmas, dhe më pas kandidatura më e votuar nga kosovarët në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, nga këto dy parti opozitare, përkatësisht Vjosa Osmanit LDK, dhe Albin Kurtit LVV, të përcaktojë edhe shefin e qeveris dhe koalicionit të ardhshëm LDK-LVV.

Bazuar në këtë, Qeveria e ardhshme do të duhej të kishte një program të arsyeshëm dhe pragmatik, me objektiva të matshme e jo për hava, sepse edhe pritjet tona për qeverinë e ardhshme nuk do të jenë shumë ideale, por më shumë reale, sepse konteksti i Kosovës nuk është aq ideal, nëse e marrim atë si dëshmi. Por, për mua do të mjaftonte nëse qeveria e ardhshme do të ishte qeveri më kompakte, më përgatitur, dhe më shumë dorështrënguar në shpenzimin e panevojshëm të parasë publike, zhdukjen e analfabetizmit në institucione publike, do dëshironim të shihnim ndërmarrje hapash që mundësojnë çkapjen e institucioneve të drejtësisë dhe policisë, si dhe një akordanc e plotë institucionale në paraqitjen e një zëri, nga ana e lidershipit dhe udhëheqjes në politiken e jashtme, e që do duhej udhëhequr nga resori i kryeministrit të ardhshëm të Kosovës, e jo si më parë.

Të ngjashme