Kodi i veshjes – shqiptare apo çfare?

Prishtinë | 11 Gus 2022 | 14:49 | Nga Salihe Salihu

Që në fillim gjendem në mes të dilemës që të shkruaj pro apo kundra bartjes së shamisë. Kjo dilemë më shfaqet jo nga ndonjë druajtje se mos po humbi apo po fitoj poenta politikë por në fakt nga ndjenja se mos po e lëndoj ndonjë person nga ndonjë formulim në tekstin tim që mund të shkaktoj cenim individual të personalitetit të ndonjërit. Që në fillim kërkoj falje nëse ndonjëri indirekt mund të ndjehet në pozitë atakuese nga ky shkrim por fatkeqësisht nuk mundem të mos shprehi pikëpamjen time rreth kësaj çështje -, përkatësisht rreth kodit të veshjes.

Kështu që, përkundër këtyre dilemave që i përmenda më sipër megjithatë nuk mund të qëndroj indiferente karshi këtij fenomeni që për qëllime të caktuara ka marrë përmasa të gjëra dhe ka zënë hapësire mediale e kohore  të panevojshme në shoqëri tonë.

Se si t’i trajtojmë problematiken e ngritur të bartjes së shamisë është një çështje për të cilën duhet të marrim parasysh shumë faktor të cilët nuk mundemi t’i anashkalojmë tërësisht.

Në shoqërinë tonë janë duke u infiltruar të rinjtë e të rejat nga dy rryma: njërën anë nga konfeksioni fetar dhe në anën tjetër nga post-modernizim që po tenton të depërtojë tek ne. Shoqëria jonë është përcaktua për vlera demokratike dhe nuk mundet tani të përdoren standarde të dyfishta dhe të ia ndalon ndonjërit preferencat e veshjes individuale. Megjithëkëtë, shteti e ka obligim që të insistoj në mbrojtjen e shtetaseve të vet nga infiltrimet që janë të dëmshme për identitetin tonë shtetëror.

Dy polet ekstrem të paraqitjeve janë kërcënuese për shtetin tonë më shumë se për shtetet tjera demokratike meqë ne kemi një shtrirje të demokracisë sipërfaqësore dhe më të brishtë sepse ne kemi kaluar në një rrugë me luftëra të shumta dhe nuk kemi arritur t’i farkëtojmë cilësitë dhe atributet e identitetit tone në lavat shtetërore. Këtu është thelbi i problemit dhe rrezikut nga këto rryma që janë duke vepruar me intensitet.

Shteti jonë thjesht duhet ta ruaj identitetin shqiptar dhe mos të lejon që në mesin tonë të shfaqen lëkundje nga infiltrimet të  asnjë lloji. Historikisht është i njohur fakti që prejardhja e kombit tonë nuk përkon me fenë që pushtuesit gjatë periudhës së sundimit turk na e imponoj që t’a konvertojmë fenë tonë nga katolicizmi në islamizëm. Me këtë fakt nuk mundemi as t’i nënçmojmë e as t’i mbivlerësojmë elementet e perfeksioneve fetare as të islamizmit e as të katolicizmit.  Rrjedhimisht rreth tyre mund të nxjerrim fakte tjera se cilat elemente janë të dobishme dhe cilat janë të dëmshme për emancipimin e njeriut apo për vlerat njerëzimit. Në veçanti në këtë rast shtrohet pyetja më konkrete se: çfarë të mira sjell bartja e shamisë dhe pse na dëmton neve nëse lejomë që vendosja e shamisë të jetë normë në shoqërinë tone?

Ne duhet ta pranojmë realitetin që në shoqërinë tonë kemi shumë njerëz që janë fetar të përkushtuar të fesë islame dhe që ata nëpër disa breza kanë përvetësuar ushtrimin e fejesë islame, e cila tani më ndihet si pjesë e qenësishme e tyre. Pra, për një pjesë feja është bë pjesë përbërëse e identitetit personal. Këtë argument nuk mund ta mohojmë dhe në fakt gjendja faktike kërkon që ta respektojmë përcaktimin e tjetrit që është rritë në një ambient me traditë të fesë islame. Përveç kësaj, ndonëse islami nga disa grupe të caktuara të shoqërisë luftohet është e nevojshme të vlerësohet drejt dhe të mos keq-interpretohet.

Është më se e qartë se disa aspekte të konfeksioneve fetare janë keq-interpretuar gjatë ecjes së tyre në periudha historike e një ndër këto aspekte është edhe keq-interpretimi i çështjes së shamisë e cila sot ka zënë vend dhe po e ngulfatë shoqërinë tonë.

Konsideroj se keqinterpretimi i tekstit të Kuranit i ka rrënjët lëshuar rrënjët thellë dhe për këtë Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) duhet të fokusohet dhe të jep sqarime në mënyrë të duhur sepse disa aspekte të Kuranit nuk përshtaten as me kohën, as me ambientin natyror e as me identitetin kombëtar e as me parimet e shtetit e shtetit tone sekular.

Sqarim i BIK –ut nuk do të thotë urdhër i prerë dhe ndalesë diktatoriale për ata që dëshirojnë ta bartin shaminë por do të kontribuonte shumë sepse do i sqaronte grupet fetare se nuk është parim obligativë fetar bartja e shamisë  sepse është në kundërshtim me vendin dhe kohën në të cilin gjendemi. Me një këndvështrimi të sintetizuar dhe një interpretimit adekuat është detyrë e BIK-ut që  t’ua bëjë ndaj njerëzve që paguajnë tatime për mirëmbajtjen e tyre. Pra, kreu i BIK-ut ka përgjegjësinë më të madhe që të dal me interpretim të ri rreth çështjes së shamisë.  Në këtë kontekst nuk duhet të anashkalojmë faktin që para disa shekujve edhe në shtetet Perëndimore gratë e krishtera sipas konfeksionit të tyre kanë qenë të obliguara të bartin shami në kokë mirëpo që nga shekulli i XVI-të filluan lëvizjet për çlirimi nga bartja e shamisë – pra filloj demistifikimi i obligimit fetar për bartjen e shamisë. Ata guxuan t’a demistifikojnë fenë bartjen e shamisë në emër të përshtatjes së rrethanave të reja të zhvillimeve shoqërore. I njëjti demistifikim është i nevojshëm në shtetin tone. Një reformë e këtillë është domosdoshmëri tek NE – dhe të funksionojë si çelës i kompromisit ndaj ruajtjes së kodit tone kombëtar.

Vërtetë ne jemi shtet sekular por nuk do tolerojmë as sekularist dikatorial e as ekstremist fetar të na diktojnë të ardhmen e shtetit tone. Ne jemi në kërkim të sekularizmit demokratë dhe shtrojmë kërkesë te BIK-u që të përballet me përgjegjësitë e tyre – fetare, kombëtare e shtetërore.

Ne, si sekular demokratë nuk duhet të ja ndalojmë bartjen e shamisë askujt por nuk do lejojmë as që shamia të bëhet pjesë e identietit tone shtetëror. Këtu duhet vendos kufiri dhe të nxjerret në pah se ne shtetasit shqiptarë të Kosovës para së gjithash duam Kodin e Veshjes me tipare të kombit tone dhe në përshtatje të botës së modernizuar.  

Prandaj, kërkojmë  me këmbëngulje nga BIK-u të bëjë një ri-interpretim të këtij problemi dhe të mos lejojmë që kjo çështje të sjell hasmëri në mesin tonë sepse mjaft hasmëri deri tani janë akumuluar sa që nuk po na lenë që të marrim aftësi konkurrues në zhvillimet rajonale e globale në asnjë lëmi meqë jemi duke u marrë me kundërthëniet e njëpasnjëshme mesveti. 

Krejt në fund, kërkoj nga politikbërsit që vendimet që merren për shtetin tone të mos cenojnë parimet për të cilat u sakrifikuan heronjtë tanë duke luftuar me flamurin e e kombit e jo me flamur të ndonjë konfeksioni fetar.

Të ngjashme