“Koha e italianit” në sytë e Lajës Azem dhe Babës tim

Prishtinë | 11 Shk 2022 | 10:28 | Nga Afrim Kasolli

Lufta e Dytë Botërore pashmangshëm që ngjallë ende shumë dritë-hije dhe polemika për shqiptarët e Kosovës.

Për këtë temë mund të zhvillohen debate të natyrës doktrinare, ideologjike dhe historike. Por, për dallim nga këto diskutime teorike është intersante që ato vite t’i shohim edhe nga kujtimet e njerzëve konkretë se si ata i përjetuan ato ngjarje? Cila ishte përvoja e tyre personale pas invadimit që i bëri Gjermania Naziste ish-Mbretërisë Jugosllave?

Dhe këtu dua të fokusohem në rrëfimet e Babës tim dhe të djalit të axhës së tij, që ne e thërrisnim Laja Azem, sepse në anën tonë më të moshuarit në shenjë resptekti për moshën i thërrasim kështu.

Të dy tashmë nuk ndodhen në mesin e të gjallëve. Kuptohet, ata nuk kishin pasur mundësi ta dinin natyrën doktrinare të regjimit fashist dhe nazist. Por në bisedat e gjata që kam pasur rastin dhe fatin t’i zhvilloj me të dy për atë periudhë, ata më rrëfenin se si e panë me sytë e tyre “kohën e Shqipinisë”, siç i quanin ndryshe ato vite. Dhe të dy e mbanin mend mirë ditën kur kishte rënë “bivša Jugoslavija”, sepse babai im kishte qenë afër 10 vjet, kurse Laja Azem rreth 17 vjet.

Ne muhabetet e stërzgjatura që kam pasur me ta, të shoqëruar me nga një gotë raki, ata i kujtonin ndryshimet që kishin ndodhur në jetën e tyre dhe familjeve të tyre. Dhe për këtë ndryshim flisnin me pozitivitet. Po e theksoj që të mos keqkuptohem, jam duke folur vetem për raste konkrete, dhe jo për një përvojë universale. Po mundohem ta transmetoj vetëm një ndjeshmëri të disa njerëzeve që u lindën dhe u rritën në një fshat rrëzë Malit të Pashtrikut.

Ata më tregonin se si morën fund vuajtjet dhe gazepi i tyre nga ai “pushtim”. Se si filloi një frymëmarrje më e lirë. Dhe mundësi më të mëdha për zhvillim. U rivendosen kontaktet dhe lidhjet me të afërmit e tyre në anën e tjetër të kufirit.

Madje shpeshherë insistonin se kurrë shqiptarët më të lirë nuk kishin qenë “se në kohën e italianit dhe gjermanit”. Në kujtimet e tyre pashë një admirim për atë “pushtim”. Ndonëse vetë nuk patën mundësi për shkollim, më tregonin se si pat filluar hapja e shkollave në gjuhën shqipe në Prizren. Flisnin me krenari se si shqiptari mund të dilte lirisht me “manxerrë në krahë midis Shadërvanit” pa u frikësuar nga askush se do të torturohet. Se kishte marrë fund ajo kohë që kur takoje “xhandarrë në rrugë me përshendetë ta mshojke shuplakë pse me përshendete, mos me përshendetë prapë ta mshojke shuplakë pse nuk përshendete”… Si u larguan kolonët që kishin ardhur nga Serbia dhe Mali i Zi, u ndal dëbimi i shqiptarëve për në Turqi. Dhe me një fjalë shpëtoi Kosova nga shkombtarizimi.

“Pasi hupi gjermani” e vazhdonin rrëfimin, “erdh partia”. “Kur u vendos partia” rifilluan tmerret.
“Na i morën gjanë” me arsytimin “se po e hanë malin”. “Zija e bukës” u bë realitet i përditshëm. Të gjitha këto masa kuptohet ishin instaluar për ta shtuar deri në ekstrem presionin mbi shqiptarët. Po ashtu “partia ia nisi me i marrë djemtë e ri” pa e ditur se në çfarë destinacioni po i degdiste. Do të kalonte kohë deri sa të kuptohej se atë kontigjent të të rinjëve, shtresën më vitale të kombit, e kishin dërguar drejt e në kasaphanën e Tivarit. Veprime këto gjenocidale që i kishte ndërrmarrë pushteti komunist, me qëllim që t’i përthante potencialet tona biologjike dhe kombëtare.

Dhe këtë fat e kishte pasur edhe Laja Azem. Ai kishte qenë duke punuar arën, kur papritmas ishte kapur. Pa paralajmërim dhe pa asnjë arsyetim. Tregonte për vuajtjet që kishte përjetuar gjatë rrugës nëpër Shqipëri deri në Tivar. I kishin detyruar të ecnin të lidhur. Pa bukë dhe pa ujë. Kur mbërrinte në Tivar i davaritej kujtesa. Aty nuk ishte në gjendje ta transmetonte krejt rrjedhën e ngjarjeve. Se si kishte arritur të shpëtonte. Ato pak fragmente që i kujtoheshin, ishte numri i madh i kufomave, por nuk ishte në gjendje ta rrëfente mënyrën se si ishte përbiruar. Kurrë nuk ia arriti ta tejkalonte atë amenezi. Kaloi në amshim së bashku me të. Pa e ditur se si ia doli të mbijetonte nga ajo masakër tragjike. Ishte ky vetëm njëri nga mijëra rastet e panumërta të vuajtjeve dhe tragjedive që filluan t’i përjetonin shqiptarët e Kosovës pas “çlirimit” komunist nga “pushtimi” fashist.

Të ngjashme