Koha për të menduar strategjikisht

Prishtinë | 18 Nën 2016 | 09:41 | Nga Islam Lauka

Vetëdijesimi për situatën e ndërlikuar në të cilën ndodhemi, duhet të na shtyjë drejt kërkimit të modeleve të tjera të zhvillimit, në përshtatje me rrethanat e reja, në një botë të trazuar, si kjo e sotmja. Shqiptarët njihen si “komb i vonuar”, në kuptimin që nuk e kanë kapur në kohë dinamikën e historisë dhe nuk u kanë paraprirë zhvillimeve që kanë prekur drejtpërdrejt interesat e tyre. Thënë më shkoqur, ne na ka munguar mendimi strategjik.

Kaloi një javë, që kur Donald Trampi u shpall President i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mjaftoi ky moment, që kasta politike shqiptare të trampofilizohej. Gjatë fushatës zgjedhore, përkundrazi, ajo u shfaq si trampofobe. Jo për vlerat që përfaqësonte Hillari Klinton, por për shkak të bindjes, e cila në fund rezultoi të jetë e gabuar, se ish Zonja e Parë, do të hynte në Shtëpinë e Bardhë, si Presidente, mbështetja e kastës politike shqiptare iu dha pikërisht asaj.

Kjo mbështetje vazhdoi si një proces në ngritje, gjatë gjithë fushatës zgjedhore. Lavjerrësi politik shqiptar kapi ekstree te tilla trampofobie e klintonofilie, sa që është e vështirë që ato të krahasohen me ndonjë vend tjetër. Në kulmin e trajektores trampofobe, u gjend Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në mungesë të korrektesise elementare politike iu drejtua të Plotfuqishmit për të na shpëtuar nga satanai Tramp. Ishte po ai që, sapo u dha njoftimi i fitores së Trampit, u gjend në ekstremin tjetër të trajektores, si trampofil, me urime, të cilat, në thelb, mund të përmblidhen: “Ruaje Zot engjëllin tonë!”.

Nëse trampofobizmi ishte më shume si një proces, trampofilia erdhi si një akt radikal, i menjëhershëm, jo si pasojë e ndryshimit të qëndrimeve te Trampit, por si pasojë e ndryshimit të qëndrimeve të kastës sonë politike. Ajo ndryshoi per shkak të ndryshimit të statusit të Donald Trampit, nga kandidat, në President të SHBA. Qëllimi I këtij ndryshimi të kastës politike ështe një dhe vetëm një: nëpërmjet lajkave ndaj Presidentit të ri, të sigurohet licenca e Uashingtonit për mandatin sundues të radhës në Shqipëri.

Trampofilizimit të menjëhershëm nuk i shpëtoi as një pjesë e analistëve tanë, të cilët, në shkrimet e tyre konformiste u shprehën se fitorja e Trampit, nuk e ndryshon aspak mbështetjen amerikane ndaj shqiptarëve dhe as aleancën e fortë shqiptaro-amerikane. Përkundrazi, sipas tyre, zgjedhja e tij e zhvillon dhe e forcon më tej këtë aleancë. Analiza politike të kësaj kategorie, të sipërfaqshme, të thjeshtëzuara, të shkëputura plotësisht nga realiteti, të pabazuara në teori shkencore, si rregull, arrijnë, afërsisht, në përfundime të tilla: “Shqipëria e ka të paguar faturën” , “Shqipëria e ka të firmosur një çek të bardhë”, apo “Ne qeverisim, bota na ndihmon”. Të zhytur në konfromizmin që prodhon optimizëm bosh, se, gjoja, Shqipërinë na e bënë kërka  të huajt, kjo specie analistësh, as nuk e vë ujin në zjarr, për të kërkuar ndonjë model tjetër zhvillimi, të ndryshëm nga ata që kemi provuar deri tani.

Një grup tjetër analistësh, nga pozita trampofobe, të përziera me doza të caktuara neoliberale dhe post-moderne, e konsideron fitoren e Trampit si pjesë të një apokalipsi botëror, anti-liberal dhe në qendër të tij sheh Shqipërinë e Kosovën si ndër viktimat më të mëdha të tij. Të zhytur në liberalizmin e tyre, të goditur nga zhvillimet e fundit, jo vetëm në Amerikë, por edhe në Europë, gjë që prodhon pesimizëm të thellë tek ta, libertaristët nuk dalin dot jashtë rolit të vajtorëve mbi xhenaze, natyrisht, pa arritur të japin qoftë edhe një ide, sado të thjeshtë, për t’u përballur me situatën e ndërlikuar, para së cilës, gjendemi sot.

Analiza e kësaj situate, duhet të jetë kontekstuale, shumë nivelëshe, shumë shkakësore dhe ndërdisiplinore, sepse ajo është pasojë e veprimit të një konfluence faktorësh.

Unë jam njëri prej atyre, që, qysh në fillim të këtij viti, kam shprehur rezervat dhe dyshimet e mia ndaj platformës elektorale të Donald Trampit në fushën e politikës së jashtme të SHBA. Në mënyrë të veçantë, kam kritikuar qëndrimet e tij, pro Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, si dhe qasjen e tij rreth marrëdhënieve midis Uashingtonit dhe Moskës, që, në perceptimin tim, do të thotë, njohje e sferës së ndikimit rus në pjesë të caktuara të Evropës. Ky ndryshim i qëndrimit amerikan ndaj Rusisë, do të kërcënonte drejtpërdrejtë interesat e Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi.

Këtë bindje e kam edhe tani. Zgjedhja e Trampit si President, vetëm sa e shton rrezikshmërinë e deklaratave të tij gjatë fushtaës elektorale, sepse ato mund të kthehen në politikë shtetërore. Natyrisht, deklaratat elektorale janë një gjë dhe politika shtetërore, diçka tjetër. Aq më tepër, në sistemin amerikan, ku ekzistojnë mekanizma efektivë të kufizimit të pushtetit të Presidentit, si Kushtetuta, Kongresi, Gjykata Supreme, pa folur pre ndikimin në vendimmarrjen e politikës së jashtme të procesit organizativ dhe agjensive të specializuara qeveritare, por, sikur edhe vetëm një pjesë shumë e vogël e atyre deklaratave të kthehej në politikë shtetërore, do të mjaftonte për të arritur në përfundimin se, vërtet, jemi para një situate të re, krejtësisht të paqartë, me shumë të panjohura.

Shqiptarët nuk mund të ndalojnë SHBA të tërhiqen, qoftë edhe pjesërisht, nga politika botërore, për t’u përqendruar më shumë në problemet e veta të brendshme. Platforma elektorale e politikës së jashtme të Trampit, shkurtimisht, mund të përmblidhet: Jo më siguri falas, jo më para në llogari të huaja!

Do të ishte krejtësisht naive të besohet se Trampi do të braktisë shqiptarët, për shkak të deklaratave jo korrekte të Kryeministrit të tyre. Mundet që ai, siç ka qenë i zënë me fushatën, por edhe për shkak të margjinali tetit të artikuluesit të tyre, as nuk i ka dëgjuar ato. E vërteta është se, jo shqiptarët, por as Ballkani, nuk janë përmendur ndonjëherë gjatë gjithë fushatës zgjedhore të Trampit. Dhe në rast se do të ketë njëfarë tërheqjeje të Amerikës nga Evropa, nuk do të jetë për inat të këtij apo atij vendi e populli, aq më pak, të këtij apo atij politikani delirant, por sepse kështu ia do interesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këtë moment historik, ashtu siç e percepton ai këtë interes.

Shqiptarët nuk mund të ndalojnë as proceset çintegruese në Evropë që kanë filluar me Breksit-in dhe rrezikojnë të thellohen, vitin e ardhshëm, në rast se në zgjedhjet parlamentare ose presidenciale të një numri vendesh europiane, fitojnë forcat e ekstremit të djathtë dhe euro-skeptikët.

Ajo që mund të bëjnë shqiptarët, është që të ndërgjegjësohen se ndodhen para një situate komplekse. Me një Amerikë, potencialisht, në tërheqje nga politika botërore, në përgjithësi dhe nga Europa, në veçanti, me një BE të kapluar nga krizat që po vënë në pikëpyetje identitetin dhe qenien e saj, ekziston rreziku i krijimit të një vakuumi sigurie në të gjithë kontinentin tonë, i cili, nuk mund të mos ketë pasoja të rënda për Shqipërinë, Kosovën dhe gjithë shqiptarët. Pretendenti nr 1 për të mbushur këtë vakuum është Rusia.

Nuk janë pa bazë titujt e shtypit të ditëve të fundit, “Një fantazmë po sillet në Evropën Qendrore dhe Juglindore…”. Bëhet fjalë për fantazmën ruse. Çeshtja është se nuk kemi të bëjmë vetëm me fantazmën, por me fuqinë reale të Rusisë, e cila e konsideron Ballkanin si zonë të interesave të veta gjeopolitike dhe gjeostrategjike.Në këtë kontekst,ajo organizon puçe shtetërore, si në Mal të Zi, nxit de-stabilitetin në veriun e Kosovës, mbështet hapur regjime autoritare si ai i Gruevskit në Maqedoni, farkëton “vëllazërinë sllave” në Serbi dhe dërgon flotiljen e saj ushtarakë në

Mesdhe, në përbërje të se cilës janë aeroplanmbajtësja “Admirali Kuznecov”, tre nëndetëse dhe një kryqëzor bërthamor. Sistemi i deritanishëm i aleancave të sigurisë dhe organizmave të tjerë rajonale e ka mbajtur Rusinë jashtë Ballkanit dhe i ka mbrojtur shqiptarët nga kërcënimi i saj. Është në interesin tonë që ai sistem të ruhet, por në rast se plasaritjet që ka marrë, mund të çojnë në zhvendosje tektonike dhe ndryshim të paradigmës me të cilën jemi mësuar tash një çerek shekulli, mos duhet të dorëzohemi e të zëmë kujën?

Vetëdijesimi për situatën e ndërlikuar në të cilën ndodhemi, duhet të na shtyjë drejt kërkimit të modeleve të tjera të zhvillimit, në përshtatje me rrethanat e reja, në një botë të trazuar, si kjo e sotmja. Shqiptarët njihen si “komb i vonuar”, në kuptimin që nuk e kanë kapur në kohë dinamikën e historisë dhe nuk u kanë paraprirë zhvillimeve që kanë prekur drejtpërdrejt interesat e tyre. Thënë më shkoqur, ne na ka munguar mendimi strategjik.

Të mendosh strategjikisht, sot, do të thotë që të mendosh në perspektivë afatgjatë, ku do të jetë Shqipëria në vitin 2050, apo 2100? Po Kosova? Po kombi shqiptar?

Të mendosh strategjikisht, do të thotë se çdo situatë, sado e vështirë të jetë, e ka një zgjidhje. Nëse mbyllet një derë, hapet një tjetër. Shqiptarët në Ballkan sot janë një faktor me peshë. Ata nuk janë si në vitin 1878, 1912, apo 1990. Çfarëdo zhvillimi që të ndodhë në marrëdhëniet ndërkombëtare, përfshirë atë të kthimit në rivalitetin gjeopolitik midis Fuqive të Mëdha, për të cilin, po flitet,shpesh e më shpesh, shqiptarët do të jenë të kërkuar si një ndër elementët thelbësorë të ekuilibrit të fuqisë rajonale, si dhe për mbajtjen jashtë Ballkanit, të Rusisë.

Ballkani është një nyje nevralgjike që lidh Lindjen e Afërt, Afrikën Veriore me Europën. Tërheqja potenciale e SHBA nga ky rajon, në rast se platforma elektorale e Donald Trampit kthehet në program qeveritar, jam i bindur se do të jetë e përkohshme. Nuk janë ideologjitë, as interesat e çastit, por interesat e ndërsjellë afatgjatë, ato që i bashkojnë shqiptarët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu siç i bashkojnë me fuqitë e tjera, si Gjermani, Itali, Turqi etj.

Të mendosh strategjikisht do të thotë të mendosh në mënyrë kritike, jo të shkosh gjithmonë pas berihasë. Duket se shqiptarët janë marrë shumë me ideologji e projekte ndërkombëtare, fillimisht me internacionalizmin proletar – komunizmin, tani me neoliberalizmin dhe globalizmin. Ka ardhur koha që edhe ne t’i kthehemi vetes sonë, jo për modë, se kështu po bëjnë edhe të tjerët, por sepse ky është interesi ynë strategjik, jetik për shqiptarët. Ideologjia jonë duhet të jetë ajo e interesave shtetërore dhe kombëtare.

Në qoftë se nisemi nga kjo ideologji, gjykoj se skenari më i mirë në situatat e turbullta që po kalojmë, do të ishte ai që bazohet tek vizioni i rilindësve tanë, jo atyre të sajuar nga Edi Rama, por atyre të vërtetë, si Abdyl Frashëri dhe i baballarëve të kombit, si Ismail Qemali, Hasan Prishtina dhe Isë Boletini, për bashkim kombëtar. Jo se ky skenar është i lehtë dhe as se do t’i zgjidhte menjëherë të gjitha problemet. Ai është ndër më të vështirët dhe realizimi i tij do të hasë në kundërshtimin e shumë faktorëve, rajonalë e jashtë-rajonale.

Por, në masë të madhe, ai varet nga ne, nga puna jonë, nga ajo se sa jemi ne të përgjegjshëm dhe të vendosur. Është e drejta dhe detyra jonë që ta aktualizojmë atë, ta afatizojmë, ta përshtatim me kohën që jetojmë, t’i japim dinamikë dhe perspektivë historike, pra ta bëjmë të realizueshëm.

Realizimi i tij do të zgjidhte një problem të madh – nga të gjymtuar, kombin tonë do ta kthente në një organizëm normal, i cili do të përfitonte aftësinë që ka çdo organizëm i shëndoshë për t’u ballafaquar me të gjitha sfidat që i dalin përpara. Sot për sot, fatkeqësisht, kombi ynë ballafaqohet me to si sakat.

Ky është skenari që propozoj unë, gjithmonë, “në rast se”. Të tjerët mund të ofrojnë skenarë të ndryshëm nga ky, por me të njëjtin qëllim – t’i paraprijmë situatës, “në rast se”. Uroj që ajo të mos vijë, por “në rast se” vjen e kjo nuk është thjesht hipotetike dhe ne gjendemi të papërgatitur, atëherë ka rrezik që etiketimi “komb i vonuar’, të zëvendësohet me epitafin “komb i dështuar”.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme