Është interes i shteteve të Evropës që të kontribuojnë në mbylljen e konfliktit Kosovë-Serbi

Prishtinë | 24 Jan 2020 | 17:03 | Nga Ardit Halilaj

Fillet e konfliktit ndaj Serbisë kundrejt Kosovës datojnë qysh herët. Tensionet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve u rritën përgjatë shek. 20-të, veçanërisht gjatë Luftës së Parë Ballkanike, Luftës së Parë Botërore, dhe Luftës së Dytë Botërore. Agresori serb nisi konfliktin duke cenuar çdo të drejtë dhe pamundësoi lirinë për shqiptarët e Kosovës. Lufta në ‘98, mes dy shteteve u shkaktua si pasojë e mospajtimit të regjimit serb, e cila pati pasoja të mëdha në dëbimin dhe vrasjet ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Tanimë Kosova është shtet i pavarur, pavarësisht se Serbia nuk e njeh.

Dhe kjo është situata reale: Kosova ka bërë progres të mjaftueshëm në lidhje me konfliktin me Serbinë, edhe pse serbët vazhdojnë të provokojnë dhe të cenojnë lirinë njerëzore. Ndërkombëtarët do të duhej të bënin më shumë ndaj të drejtave elementare të shqiptarëve në Kosovë. Lidershipi si në Kosovë edhe në Serbi nuk ka vullnet të heqë dorë nga retorika populliste. Faktori ndërkombëtar ka rritur presionin ndaj Prishtinës dhe Beogradit për të përcaktuar marrëdhëniet e tyre në një marrëveshje të gjerë të normalizimit.

Skenari më i mirë do të ishte normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Serbia të anëtarësohet në BE, Kosovës t’i jipet liberalizimi i vizave sa më shpejtë, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare dhe të pret t’i bashkohet BE-së, pastaj Serbia ta mbështes anëtarësimin e saj në BE me presionin e ndërkombëtarëve si dhe shkuarjen drejt gjetjes së formave të reja, më funksionale dhe më përmbajtjësore, që kontribuojnë në rritjen e lirisë njerëzore. Prandaj, ndryshimi në shoqëri është koncept bazë i zhvillimit mes dy vendeve.

Kosova dhe Serbia janë vende që kanë rëndësi të madhe për zgjidhjen e problemeve, pra, është interes për të gjitha shtetet e Evropës që të kontribuojnë në mbylljen e konfliktit, ngase situatat destabilizuese do të përkeqësonin gjithë ballkanin.

24 janar 2020, Rahovec

Të ngjashme