Korrupsioni si institucion në Kosovë

Prishtinë | 17 Gus 2016 | 09:34 | Nga Leutrim Sahiti

Nuk ka ndonjë shtet të botës së civilizuar që njerëzit me të përgatitur profesionalisht janë jashtë sistemit politik dhe nuk shfrytëzohen për zhvillimin e vendit.

Pas luftës së fundit fatkeqësisht duhet ta pranojmë që ka pasur dhe ende ka kapje të shtetit nga partitë dhe grupet e caktuara politike, të cilat interes primar të tyre e kanë përfitimin e tyre personal apo grupor, pasurimin dhe jetëgjatësinë e tyre në pushtet jo për tu bërë edhe me të pasur por më shumë për të mbrojtur veten nga denoncimet që mund të vijnë për keqpërdorime pasi ata të largohen nga pushteti.

Në Kosovë ka degradim në të gjitha fushat, mungon sistemi i vlerave, sot të  korruptuarit  janë njerëzit me të vlerësuar në vend, ku Kosova është bërë vend ku korrupsionit i thonë gjindshmeri.

Se ka degradim e tregon fakti që sot as një përqindje solide e atyre që diplomojnë nuk punësohen por mbesin rrugëve, duke mos lejuar që potenciali i tyre të vihet në funksion të arritjes së progresit në vend, dhe në vend të kësaj sot shohim realitetin e hidhur që në institucione as sigurim fizik nuk mund të punësohesh nëse nuk je i infiltruar në X partinë në pushtet.

Pse ndodhë  kjo?

Kjo ndodhë sepse grupet e caktuara të pa përgatitura profesionalisht kanë uzurpuar institucionet shtetërore dhe çdo inkuadrim i kuadrove të reja profesionale do të thotë rrezikim për ta dhe ardhmërinë e tyre në politikë.

Këtyre grupeve që kanë kapur shtetin iu duhen njerëz që nuk çajnë kokën për skandalet që ndodhin në institucione, për mos efikasitet dhe që lehtë bien viktimë e manipulimit të  tyre.

Madje edhe raporti i progresit, apo raporti i BE-së për Kosovën, cdo vit na jep vërejtje për administratën publike.

Një gjë duhet potencuar që ne jemi shtet eksperimental i  bashkësisë ndërkombëtare, por që këta të fundit nuk po na e shkaktojnë korrupsionin dhe moszhvillimin në Kosovë.

Andaj, tranzicioni i stërzgjatur në vend vetëm sa e ka zhytur edhe me thellë Kosovën, pastaj kontrolli i pushteteve nga grupe politike e partiake, mungesa e funksionalizimit të prokurorisë  dhe gjykatave ka bërë që në vend mos të  vlejë ligji  por njerëzit e “fortë”. Në Kosovë jo që nuk vlerësohet profesionalizmi por përkundrazi nëse dikush nga ne aplikon për një vend pune dhe dërgon diplomën e masterit apo doktoratës ajo do t’i shkaktojë pengesë që as në intervistë të  mos ftohet e lëre më të punësohet.

Pra, pushteti jonë ka aq shumë fuqi kontrolluese sa që në çdo segment të jetës gjenden njerëzit e pushtetit,  madje ky pushtet ka fuqinë e shtypjes së çfarëdo përpjekje për shprehjen e vullnetit të lirë rreth gjendjes aktuale në vend.

Shoqëritë që nuk kanë sistem të vlerave, vizion për të ardhmen, njerëz intelektualë në udhëheqje sigurisht që shkojnë drejt zhdukjes.

Jo rastësisht Kosova ka mbetur këtu ku është pa shënuar progres dhe kështu edhe do të vazhdojë të mbetet përderisa njerëzit më profesionist janë jashtë sistemit, andaj si presim ne që t’i përmbushim kriteret për anëtarësim në BE e institucione të tjera globale kur ata që mund t’i plotësojnë këto kritere nuk janë pjesë e pushtetit. Pastaj baza e shtetit është degraduar, sot nuk ka edukim në institucionet tona arsimore, shumica e mësimdhënësve nuk meritojnë të jenë mësues sepse ata janë punësuar mbi baza partiake pa i plotësuar kriteret e përcaktuara, ata janë në funksion të ruajtjes së pushtetit politik në vend, duke  politizuar institucionet arsimore në vend.

Një situatë e tillë duhet ndryshuar, njerëzit e përgatitur duhet të zënë vendet e tyre, aty ku mund të kontribuojnë në zhvillimin e vendit, në asnjë mënyrë nuk mund të vazhdojmë që një mjek të merret me mbrojtje të ambientit e një ekonomist të merret me drejtësi vetëm pse vjen nga X partia në pushtet.

Korrupsioni dhe nepotizmi në Kosovë është bërë një institucion më i fuqishëm se vetë institucionet kushtetuese.

Autori është Sociolog, Phd. Kandidat, në Universitetin e Stambollit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme