Kosova e Shqipëria duhet të përfaqësojnë dhe shqiptarët e Luginës

Prishtinë | 31 Gus 2017 | 21:47 | Nga Refik Hasani

Parlamentet dhe Qeveritë që do të dalin nga zgjedhjet e 11 qershorit në Kosovë dhe zgjedhjet e 25 qershorit në Shqipëri, krahas tjerash, duhet që edhe të shprehin, të mbrojnë dhe të përfaqësojnë edhe shqiptarë e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës.

Prishtina dhe Tirana duhet të ngrenë zërin për të drejtat dhe liritë themelore, individuale dhe kolektive të popullsisë shqiptare që kanë mbetur në Komunën e Medvegjës, Bujanocit, Preshevës dhe pjesë tjera të hapësirës së Republikës së Serbisë dhe ish-ngrehinës së quajtur Jugosllavi, si dhe interesat e saj të ligjshme për jetë, punë, arsimim, shëndetësi, zhvillim e integrim; për të njoftuar, sensibilizuar dhe alarmuar qarqet diplomatike të akredituara në Prishtinë e Tiranë për këtë kategori të banorëve të ardhur nga kjo Krahinë.

Ja disa hapa që duhet të merren në mënyrë që shqiptarët nga kjo Krahinë të mbrohen dhe përfaqësohen:
Hapja e një zyrë ndërlidhëse në Prishtinë e Tiranë për të zhvendosurit që janë prej tri komunave me banim në Kosovë, e gjetiu;
Përgatitja për bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit;
Përgatitja e ligjit, me çka do të duhej të hiqen pengesat dhe barrierat për t’u pajisur me nënshtetësi të Kosovës e Shqipërisë për shqiptarët;
Të kërkohet reciprocitet në mes të drejtave të serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve në Serbi;
Të formohet një komision miks nga Prishtina dhe Tirana zyrtare.

Janë edhe shumë arsye dhe argumente që Qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë do të duhej të mbrojnë dhe përfaqësojnë edhe shqiptarët e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës.

Do të duhej të jepen disa përgjigje, në çështje si:
Pse banorët e tri komunave mbetën të paintegruar, kategoria e banorëve që lëshuan trojet e veta dhe erdhën dhe u vendosën të jetojnë në Kosovë,
Në veçanti për të shpërngulurit, dëbuarit prej Komunës së Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës, të krijohen kushtet për kthimin e atyre që dëshirojnë të kthehen.

Deri më sot banorët e kësaj krahine me banim jashtë këtyre komunave, trajtohen si azilantë, të dëbuar, të shpërngulur, me qëndrim të përkohshëm, me qëndrim të përhershëm, ilegal, gjysmë ilegal, apo me çfarë statuti qytetarë trajtohemi!

Kur flitet për lirinë e lëvizjes, si mund të thuhet që ka lëvizje të lirë kur në këto tri komuna ka aq forca të shumta dhe është shndërruar në një poligon ushtarak të vërtetë. Të drejtat individuale dhe kolektive në rajonet e banuara me shumicë shqiptare, si dhe investimi në infrastrukturë, janë në nivel të ultë. Të gjitha këto dhe çështje tjera do të duhej trajtuar nga dy Qeveritë dhe dy Parlamentet tona.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme