“Kosova – këndi i vdekur i Evropës”

Prishtinë | 05 Shk 2018 | 14:42 | Nga

Martin Heipertz, i cili në Kosovë ka organizuar sektorin ekonomik dhe financiar të Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), thotë se Kosova është e humbur për Serbinë, shkruan “Politika” e Beogradit.

Qëndrimin e tij në Kosovë, siç shkruan kjo gazetë, ky e ka shkrirë “në triler politik me elemente fiksioni” me titull “Kur në Ballkan jehon e shtëna, kjo nuk ndodh rastësisht”, transmetojnë mediet serbe.

Sipas tyre, ai i ka thënë “Politikës” se në Kosovë aventurierët dhe kriminelët e luftës janë bërë aleatë të dëshiruar të Perëndimit.

Heipertz ka qenë këshilltar në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Bankën Investuese në Luksemburg, pastaj zëvendës i shefit të administratës në Ministrinë e Financave të Volfgang Shojbles dhe këshilltar personal i Jean Claude Juncker.

Në librin e tij “Diplomacia Makiato”, me nëntitull “Kosova – këndi i vdekur i Evropës”, sipas “Politikës”, ai shkruan se njerëzit e tillë Kosovën e kanë kthyer në pre të veten, krahas përshkrimit të përfaqësuesve të padobishëm të ndihmës zhvillimore dhe ushtarëve të NATO-s që i tallë mafia shqiptare, për të nuk do të thotë se përfaqëson palën serbe.

“Kosova për Serbinë përfundimisht është e humbur. Situatën në Serbi mund ta krahasojmë me Gjermaninë e viteve 1960 dhe 1970, kur për ne gjermanët u bë e qartë se i kishim humbur territoret lindore, përkatësisht Gjermaninë Lindore. Ky ishte një proces jashtëzakonisht i gjatë dhe i dhembshëm, por jashtëzakonisht i rëndësishëm, në mënyrë që pas kësaj, duke lënë manash dhembjen të mund të shkojmë nga e ardhmja”, citon kjo gazetë Heipertz, duke përçuar kështu mesazhin e saj nga ata që u drejtohet, transmeton Koha.net.

Ai, sipas “Politikës”, në librin e tij përshkruan takimin e tij në një bar me Ramush Haradinajn, të cilin amerikanët pas plagosjes (përplasjes me ushtarët rusë në një postbllok menjëherë pas luftës – sqarim ynë) e vendosën në bazën Bondsteel, sepse u duhej që ta kontrollonin Hashim Thaçin.

Heipertz nuk ka kursyer epitetet për të theksuar urrejtjen e tij të thellë ndaj dy udhëheqësve të UÇK-së, të kamufluar me petkun e politikanëve evropianë. “Ata ishin aleatë tanë kur po luftonim kundër Millosheviqit. Serbia ishte armiku, kurse UÇK-ja partneri strategjik. Tani Serbia është partner yni dhe mund të merret qëndrim kritik ndaj UÇK-së”, ka thënë ai dhe ka shtuar “në punët shtetërore nuk ka moral”.

Heipertz shkruan se amerikanët në Kosovë janë zotërues absolutë dhe se, si evropian, asnjëherë nuk është ndier më o pafuqi – kishte përshtypjen se “Daj Semi” lexonte jo vetëm e-mailet e serbëve e të shqiptarëve, por edhe të pjesëtarëve të misionit evropian. “Në një zonë të tillë ndodh të shohësh edhe fantazma. Njeriut i vjen ndonjëherë të pyes se ç’është realitet, e çfarë jo”, thotë ai.

I pyetur nëse amerikanët dëshironin në fakt një shtet të tillë çfarë e përshkruante në libër, ai thotë se edhe vetë e ka shtruar këtë pyetje. “Çfarë kishin dëshiruar amerikanët të arrinin? Argumenti më i thjeshtë është se amerikanët dhe ne dëshironim me rrugë sa më të shkurtë dhe sa më mirë të arrijmë stabilitet në Kosovë. Në këtë kontekst, ia kemi dalë”, pohon Heipertz, sipas “Politikës”.

I pyetur nëse është kontradiktore që përmes korrupsionit dhe kriminalitetit të arrihet situata stabile, ai është përgjigjur: “Nëse flasim për strategji konkrete, kjo është pjesë e pakos. Shtrohet pyetja se cili është interesi ynë. Ky është stabiliteti. E kuptoj që ndaj kësaj shikohet me cinizëm”.

Në ndërhyrjen nëse Perëndimi do të mund të përdorte në lojë Ibrahim Rugovën, përkatësisht se dëshirohej zgjidhje paqësore, kurse shqiptarët do të fitonin autonomi të gjerë dhe ndikim të madh në secilën qeveri serbe, Heipertz thotë se pajtohet se do të mund të zgjidhej aktor më i matur në kuadër të një autonomie të madhe e të fuqishme.

“Për mua më së miri do të ishte zgjidhja sipas të cilës Kosova do të ishte si Tiroli Verior. Por unë nuk e di nëse kjo do të ishte reale në atë moment. Njëmend nuk e kuptoj pse ky opsion nuk ishte konsideruar”, është shprehur Heipertz, sipas të përditshmes së Beogradit “Politika”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme