Kosova mund të përfitojë nga konflikti me Edi Ramën

Prishtinë | 11 Gus 2021 | 20:56 | Nga Milazim Krasniqi

Kosovës i duhet vetëm një konvetrim ideologjik nga iredentizmi drejt piemontizmit shqiptar. Asaj lëvizjeje do t’i bashkohej në mënyrë instiktive edhe Shqipëria normale, ose natyrale. Në atë rast Edi Rama dhe tarafi i tij, do të mbetej të argëtohej me Goran Bregoviqin, si Nuri beu me çengijet e tij në filmin “Koncert në vitin 1936.”

Nga projektet aventureske serbofile e ballkanofile të Edi Ramës, ku përfshihet dhe koncerti i Goran Bregoviqt në Korcë, Kosova mund të dalë e fituar, nëse këtë moment e shfrytëzon që të shërohet plotësisht dhe pakthyeshëm nga nostalgjia iredentiste e së kaluarës, kur Kosova ishte koloni e jo shtet më vete dhe kur iredentizmi i shërbente si shpresë për mbijetesë. Iredentizmi në kushtet e ekzistimit të shtetit të Kosovës vetëm sa i demotivon shtetasit e saj që të foksuohen në zhvillimin e këtij shteti dhe në afirmimin kombëtar e ndërkombëtar të tij. Iredentizmi në këto kushte është propagandë dhe manipulim me masat. Në këtë kontekst, “Lëvizja Vetëvendosje”, por në ndonjë rast edhe parti të tjera e liderë të tjerë, kanë bërë një manipulim të madh me shtetasit e Kosovës, duke propaganduar gjoja “bashkimin kombëtar”, ndonëse vetëm si propagandë, jashtë çdo kalkulimi racional gjeopolitik. Me atë propagandë ndër vite i kanë histerizuar masat, ashtu që një pjesë e atyre masave kanë filluar edhe ta minojnë shtetin e Kosovës, duke e parë si një kreaturë të përkohshme dhe madje si pengesë për bashkimin kombëtar! Kjo qasje antishtet u ka konvenuar edhe ish pushtetarëve, që të livadhisnin të patrazuar në endeminë e korrupsionit dhe të keqqeverisjes, meqë presioni mbi ta nga shoqëria ishte i vakët. Një pjesë e tyre prisnin “Godonë e bashkimit”, për ç’arsye ishin indiferentë ndaj veprimeve abuzive kundër shtetit të Kosovës. Pra, ka qenë një aleancë absurde, e “bashkimxhive” dhe e “protektorxhive”, cila Kosovën e ka dërrmuar. Por, Kosova ka mbijetuar edhe ato budallallëqe e idiotizma të një pjese të elitave të saj dhe sot është shtet që mbahet bukur sigurt në këmbë. Nëse shqiptarët e Kosovës tash e tutje e mbledhin mendjen dhe fokusohen që ta bëjnë Kosovën shtet të suksesshëm, me orientime të forta atlantike, atëherë kjo do ta rritë vetëbesimin e tyre dhe besimin në mundësitë e shtetit tonë. Shqipëria është dhe duhet të mbetet shtet i dashur për ne, me të cilin një pjesë të madhe të historisë e kemi të përbashkët. Atë pjesë të historisë sonë nuk kemi pse e shprishim, po vetëm duhet ta ruajmë e ta afirmojmë si të tillë. Ndërsa këtë pjesën e historisë dhe të realitetit që jemi dy shtete, duhet ta pranojmë e ta jetojmë realisht. Bile do të duhej të bëhej një garë e fortë se cili nga këto dy shtete, Shqipëria e Kosova do të zhvillohen më shpejt, cili do të jetë më fort faktor integrimi brendakombëtar, faktor stabiliteti evropian, faktor i sigurisë kolektive atlantike. Dhe duhet të jenë partner të fortë e të besueshëm në realizmin e këtyre objektivave. Jo ndërskamca, siç po tenton të bën qeveria e Edi Ramës ndaj Kosovës ( MiniShengen, Ballkan Open, Goran Festival) po edhe qeveria e Albin Kurtit ndaj Shqipërisë (me pjesëmarrjen absurde të LVV në zgjedhjet parlamentare të atjeshme.) Lojërat “ma hype ta hypa” të kryeministrave duhet të ndërpriten. Narcizamat e tyre duhet t’i përdorin për suksesin e qeverisjeve e jo për ta dëmtuar njëri-tjetrin. Megjithatë, në këtë moment, kryeproblemi është Edi Rama me narcizmin e tij ofensiv anti Kosovë. Futja e tij në projekte rajonale që e izolojnë Kosovën është shumë e dmëshme. Meqë ai është kokëfortë në bëmat e tij, Kosova nuk duhet të shpresojë se Rama do të tërhiqet. Rama do të vazhdojë, si gur që rrokulliset tatëpjetë. Prandaj Kosova duhet të fokusohet në dy fusha, e para, forcimin e shtetit të së drejtës dhe rritjen e rolit gjeopolitik në rajon dhe e dyta, në marrjen dhe mbajtjen sa më lart të flamurit të shqiptarizmit. Tradita paraqet truall të përshtatshëm për këtë projekt. Kosovës i duhet vetëm një konvetrim ideologjik nga iredentizmi drejt piemontizmit shqiptar. Asaj lëvizjeje do t’i bashkohej në mënyrë instiktive Shqipëria normale, ose natyrale. Në atë rast Edi Rama dhe tarafi i tij, do të mbetej të argëtohej me Goran Bregoviqin, si Nuri beu me çengijet e tij, në filmin “Koncert në vitin 1936.”

Të ngjashme