Kosova nuk është njëjtë me “Republikën e Donbasit”

Prishtinë | 29 Pri 2022 | 13:09 | Nga Arbnor Sadiku

Kosova i plotëson kriteret për të qenë shtet i pavarur, ndryshe nga rajonet separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, sepse, një shtet mund të ekzistojë nëse i përmbushë tri elemente: territorin e përcaktuar, popullsinë e përhershme dhe aftësinë për të krijuar marrëdhënie ndërkombëtare.

Pra të të tria këto elemente, Kosova i plotëson, në rastin e pjesës lindore të
Ukrainës, Rusia dëshiron të formojë një shtet që nuk ekziston, pasi ai është pjesë e një shteti tjetër dhe kjo përbën ndërhyrje të madhe në sovranitetin e një shteti”, sipas të Drejtës Ndërkombëtare Publike, sepse rezultat i kësaj pavarësie të krahinave në pjesën lindore të Ukrainës “ Donbas, ” nuk është kriza humanitare e popullatës rusishtfolëse por, agresioni i shtetit rus mbi Ukrainën.

Tri ditë para se të niste pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka njohur dy rajonet separatiste të këtij vendi, Donjeckun dhe Luhanskun, si shtete të pavarura. Këtë veprim ai ka bërë përpjekje ta justifikojë këtë javë, duke tërhequr paralele me Kosovën.

Në një takim me sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në Moskë, Putin ka thënë se republikat e Donbasit – siç njihen bashkërisht Donjecku dhe Luhansku – kanë vepruar njësoj si Kosova me shpalljen e pavarësisë.

Është fakt që shumë shtete perëndimore e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur. Ne e kemi bërë të njëjtën gjë me republikat e Donbasit”, ka thënë Putini më 26 prill, sipas një komunikate të lëshuar nga Presidenca ruse.

S’ mund të tërhiqen paralele ndërmjet Kosovës dhe Donbasit

Në vitin 2014, pas një vale protestash në Ukrainë, të cilat kanë çuar në rrëzimin e presidentit pro-rus, Viktor Yanukovich, Rusia ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe ka nisur mbështetjen për një lëvizje separatiste në lindje të këtij vendi.

Pasi separatistët pro-rusë kanë marrë kontrollin e Donbasit, ata kanë shpallur pavarësinë e tij në maj të vitit 2014. Moska vazhdimisht ka pretenduar se popullata rusishtfolëse atje, është keqtrajtuar nga autoritetet ukrainase, ndonëse pretendimet e tilla nuk janë vërtetuar. Përveç Rusisë, asnjë vend tjetër nuk e ka njohur pavarësinë e Donbasit.

Kosova, ndërkaq, ka shpallur pavarësinë e saj në vitin 2008 – nëntë vjet pasi
ndërhyrja e NATO-s kundër caqeve të ushtrisë serbe i ka dhënë fund luftës gati dyvjeçare. Më shumë se 13 mijë njerëz janë vrarë në luftë dhe mijëra të tjerë kanë mbetur të zhdukur.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) ka konstatuar në vitin 2010 se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me Ligjin ndërkombëtar

Shtetësinë e Kosovës e kanë njohur deri më tash më shumë se 100 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shumicën e shteteve të Bashkimit Evropian. Para së gjithash duhet nënvizuar se ndërhyrja e NATO-s, për t’i dhënë fund dhunës së ushtrisë serbe në Kosovë, ka pasur përkrahje të madhe, ndryshe nga rasti i Donbasit. Në kontekstin që po flasim, “ Në vitin 1999, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara – përfshirë Rusinë – ka thënë se ekziston një krizë e pashmangshme humanitare në Kosovë. Kjo nuk do të thotë se Rusia ka pranuar përdorimin e forcës nga ana e NATO-s. Por, Rusia qartazi e ka kundërshtuar këtë gjë, mirëpo këtu qëndron dallimi sepse për Donbasin nuk thuhet se minoriteti rus atje është duke u rrezikuar apo ka qenë në rrezik nga Qeveria e Ukrainës”. Pra, shqiptarët e Kosovës
“janë përballur për kohë të gjatë me persekutim nga regjimi i Beogradit. Në Donbas “nuk ka pasur shkelje të tilla, prandaj nuk ka bazë humanitare për pretendimet për shtetësi”, nëse tentohet të tërhiqet paralelja me Kosovën. Po ashtu, Putini – edhe pse e përdor Kosovën si justifikim për njohjen e Donbasit – shtetësinë e vetë Kosovës nuk e njeh ende de juro, por, de fakto kujtoj e njohu dje me rastin e takimit me sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në Moskë.

Rusia, si një nga mbështetëset më të mëdha të Serbisë në arenën ndërkombëtare, e pengon madje anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Kosova dhe Rusia, megjithatë, kanë marrëdhënie formale. Zyra Ndërlidhëse ruse në Prishtinë është hapur qysh në vitin 2005, edhe pse veprimtaria e saj në publik është e shfaqur fare pak.

Biseda e Putinit me shefin e OKB-së nuk ka qenë hera e parë, që presidenti rus e ka përdorur Kosovën si krahasim për vendimet e tij. Njëjtë ka vepruar edhe kur ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë, në mars të vitit 2014. Presidenti rus, Vladimir Putin kërkon njohjen e Krimesë si Rusi, e krahason me Kosovën, atëbotë, Putin ka thënë se vetë banorët e Krimesë kanë dëshiruar t’i bashkohen Rusisë. “Ata në Krime kanë vepruar në mënyrën e njëjtë sikurse njerëzit që jetojnë në Kosovë, Pra, qytetarët e Krimesë, thotë Putin, kanë marrë vendim për pavarësinë dhe më
pas kanë ardhur te ne me kërkesë për t’iu bashkuar Federatës Ruse.

Ndaj, si konkludim mund të themi se Referendumi i mbajtur në Krime në vitin 2014, si dhe njohja e pavarësisë së republikës së Donbasit nga Rusia mund të konsiderohet i kurdisur dhe i paligjshëm, i tillë është konsideruar edhe nga komuniteti ndërkombëtar, për faktin se popullsia e Krimesë dhe Donbasit nuk ka qenë në rrezik për shfarosje, gjenocid, persekutim, apo e ndonjë mohimi të drejtave dhe lirive të njeriut nga Ukraina para se të aneksoheshin nga Rusia.

Të ngjashme