Kryeneçësia dhe inati i shpërfaqur në kohë pandemie

Prishtinë | 12 Pri 2020 | 23:20 | Nga Hajzer Salihu

Aq larg shkon inati politik i liderëve tanë, dhe aq pak e durojnë njëri-tjetrin, sa që edhe shkelja e ligjeve dhe kushtetutës nuk u bënë fare përshtypje, vetëm e vetëm që të tregojnë një lloj protagonizmi prej mbizotëruesit, apo të fortit të skenës politike ne vend!

Ne një konferencë shtypi të sapo përfunduar, Kryeminstri paralajmërojē se në kuptim të zbatimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Ministri i Shëndetësisë do të nxjerr vendime të veçanta për secilën komunë, me qëllim të kufizimit të lirisë së lëvizjes dhe qarkullimit.

Ky paralajmërim sado që ne kuptim të ngushtë mund të duket ne rregull, konsideroj se dispozitat e ligjit për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, nuk mund ta zëvendësojnë dhe tejkalojnë frymën kushtetuese, respektivisht nenin 56 paragrafin 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili përcakton se: “Shmangia nga të drejtat dhe liritë themelore që mbrohen me Kushtetutë, mund të bëhet vetëm pas shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme sipas kësaj Kushtetute dhe vetëm deri në masën sa është e domosdoshme nën rrethanat e dhëna”.

Një prej shmangieve të të drejtave dhe lirive sipas nenit të lartëcekur është edhe “Liria e Lëvizjes” (neni 35) dhe “Liria e Tubimit” (neni 43), që do të thotë se këto liri mund të kufizohen vetëm pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, e cila ne rastin e sëmundjeve ngjitëse hyn tek fatkeqēsitë natyrore dhe mund të bëhet në pajtim me nenin 131 paragrafi 1.3 dhe 4 të Kushtetutës.

Ndërsa sa i përket paralajmërimit të masave të ndërmarra nga Ministria, respektivisht nëse mendohet që kjo çështje të mbulohet me KARANTINË, po të vështrosh nenin 33 paragrafin 1 të Ligjit Nr. 02/L-109 për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse, mund të vërehet se kur kemi të bëjmë me karantinë, ky nen flet specifikisht për persona, respektivisht ky nen përcakton se: “Personat për të cilët vërtetohet ise dyshohet se kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me personat e sëmurë apo të dyshimtë në sëmundja…futen në karantinë”. Pra futja ne karantinë e fshatrave dhe qytetëve të tëra ne pjesët e të cilave nuk ka dyshime e as vërtetime se ka të sëmurë, është në kundërshttim me këtë nen.

Për të tejkaluar këtë situatë, krerët shtetëror dhe institucional duhet që të tejkalojnë inatet personale dhe politike, dhe që me angazhim të përbashkët të punojnë për të mirën e përgjithshme të popullit dhe vendit.

E vetmja zgjidhje në këtë situatë, duke respektuar normat kushtetuese dhe ligjore, konsideroj së është shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme.

Të ngjashme