Kujdesi për ujë – kujdes për jetën dhe shëndetin e njeriut

Prishtinë | 19 Mar 2019 | 10:15 | Nga Arif Krasniqi

Për shkak të rëndësisë që ka uji si burim natyror i domosdoshëm për jetën e njeriut dhe për aktivitetet ekonomike, Asambleja e Përgjithshme e OKB më 22 shkurt të vitit 1993 vendosi me Rezolutë që 22 marsi të shënohet çdo vit si Dita Botërore e Ujit,

Kjo ditë shënohet edhe në Republikën e Kosovës. Në shënimin e Ditës Botërore të Ujit, Partia  Eko Lëvizja e Gjelbër e Kosovës aktivitetin e vetë  e ka fokusuar  në rritjen e rëndësisë për mbrojtjen e ujërave. Vlerësoi se numri i kosovarëve të interesuar, preokupuar dhe të përfshirë në aspektet e çështjes së rritjes së shpejtë të popullsisë, urbanizimit, zhvillimit industrial, ndryshimet klimatike dhe të faktorëve tjerë që ndikojnë të kemi më pak ujë të pijshëm e të shëndosh e më shumë ujëra të zeza, është shumë i vogël.

Teknologjia  bashkohore informative e bënë të mundur që qytetarët të njoftohen në hollësi me çështjet më të rëndësishme globale në tërë pjesët e botës, por jo sa duhet se çfarë po ndodh me ujin në shumë mjedise të Kosovës. Vetëm atëher kur shprazen puset, liqenjtë, kur zvogëlohet sasia e ujit në lumenj, kur ndërprehet furnizimi me ujë ose kur uji rrezikon jetën dhe pronën e njerëzve, ata kuptojnë se sa i rëndësishëm është uji.

Kosova bënë pjesë në radhët e shteteve të pasura me resurse të ujit, me lumenj, liqenjë, burime, ujra nëntoksore, mirëpo, ato janë të rrezikuara dhe ballafaqohen me sfida të ndryshme. Në shumë lokalitete, sidomos në ato rurale nuk ka kanalizime, ujrat e zeza bashkë me mbeturina, metale të rënda, materie organike dhe gjësende të tjera të papastërta shkarkohen në lumenj dhe në luginat e lumenjve. Në disa mjedise qytetarët nuk kanë çasje në burime të ujit të pishën. Në anën tjetër uji i pastër shpenzohet në mënyrë të pakontrolluar për nevoja të ndryshme.

Gjatë aktiviteteve të Eko Lëvizjës së Gjelbër të Kosovës kemi ardhur në përfundim se në vendit tone nuk po bëhet sa dhe si duhet në përmirësimin e situatës dhe kujdesit ndaj ujit. Kohëve të fundit janë të theksuara përpjekjet për jetësimin e projekteve për ndërtimin e hidrocentraleve të vogëla në Lumbardhin e Pejës, Deçanit, Prizrenit, në lumin Lepemcë etj. Këto veprime janë të papranueshme, të dëmshme dhe janë keqpërdorim i pasurisë natyrore sepse ato bëjnë ndotjen e ujit, zvoglojnë rrjedhjen e ujit në lumenj, shkatërrimit të mjedisit, dëmtimin e tokës pjellore dhe rrezikojnë zhvillimin e të turizmit në vend.

Ne në Eko Lëvizjen e Gjelbër të Kosovës, vlerësojmë se është e domosdoshme të merren masa urgjente për trajtimin e raporteve në lëmin e menaxhimit, mbrojtjes dhe përdorimit të ujit. Në këtë fushë detyrë të veçantë kanë organet kompetente shtetërore por edhe vetë qytetarët e Kosovës të cilët duhet më shumë të përkushtohen përgjegjësisë dhe obligimeve ndaj ujit dhe mjedisit si dhe respektimit të të gjitha akteve normative dhe rregullativave vendore dhe ndërkombëtare që trajtojnë çështjet e ujërave.

Uji është faktor kyç për jetën dhe shëndetin e çdo gjallese. Duke u kujdesur për ujin ne kujdesemi për shëndetin e njeriut. Shëndeti i qytetarëve të Kosovës nuk kanë alternativë, andaj nuk mund të lejojmë që të jemi indiferentë për ujëra. Është me rëndësi të madhe që të gjithë të mblidhemi dhe të punojmë bashkërisht sepse çështjet e ujërave nuk janë çështje politike e as luftë e grupeve të ndryshme të interesit apo të partive politike. Nuk ka ujë që është, liberale, konservative, të gjithë kemi nevojë të pimë të njëjtin ujë. Andaj, duhet të kujdesemi jo vetëm për ujërat e zeza në luginat e lumenjve, nëpër fshatra e qytete, por edhe të angazhohemi më shumë për mbrojtjen e aseteve natyrore, burimeve të ujit dhe për akumulimin e ujit të pijshëm.

Partia Eko Lëvizja  e Gjelbër  fton të gjithë qytetarët e Kosovës që ta përdorin në mënyrë më racionale ujin, të risin shkallën e mbrojtjes së ujit dhe të kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së ujërave tona, sepse kështu ruajmë dhe kontribuojmë mbrojtjes së shëndetit dhe në përmirësimin e kualitetit të jetës tonë dhe të gjeneratave të ardhshme.

Autori është Kryetar i Partisë  Eko Lëvizja e Gjelbër të Kosovës

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme