Kundër patriotizmit të “zbehtë”, apo, pse ishte e arsyeshme taksa 100% e propozuar nga Kadri Veseli

Prishtinë | 11 Shk 2019 | 11:41 | Nga Bekim Hoti

Heqja e taksës 100%, kërkon, po aq vendosmëri dhe largpamësi, gati sa të gjitha shkaqet që e sollën atë, për të qenë prapë, larg çdo koketimi si metodë, kundër patriotizmit të “zbehtë”, apo, rrjedhje të peshqve nëpër rrjetë, gjë të cilën e pikasi me kohë, z. Veseli.

Kur politika vendos të marrë veprime me impakt të drejtpërdrejt ekonomik, i nënshtrohet më shpejt gjykimit publik, paçka se çdo vendim politik ka ndikim në jetën e qytetarëve dhe ekonominë e qytetarëve.

Vendimi për taksën, solli disa lëkundje të opinion, të cilat as vet ata që i sollën, nuk kanë mundur t’i planifikojnë. Ato, u morën si çështje debati, nga Uashingtoni, Brukseli, Moska, Berlini, Londra, Pekini, Parisi, Roma e metropolet tjera më të vogla politike.

Jo se Kosova ka prodhim ekonomik, nëse i heqim lëndët e para apo edhe kërpudhat e prodhuara në Mitrovicë nga Agim Bahtiri, vendimi solli jehonë të paparë, ngase Kosova u soll në tavolina, u përfol pas këtij vendimi për herë të parë në nivel global pas shpalljes së pavarësisë.

Po si erdhi kjo masë?

Procedura e vënies së taksës ishte vetëmbrojtje, ishte shenjë se Kosova duhet të ndërmerrte diçka pas goditjeve të pareshtura të Serbisë dhe dështimit që pësoi vendi nga propaganda e çnjohjeve por edhe pengesat në anëtarësim si në Interpol etj. Kosova, filloi të marrë një pozitë që nuk ishte e njohur deri më atëherë, të jetë palë e vendimeve që të tjerëve ju sjellin dhimbje.

Dhimbja e Serbisë pas taksës 10%, nuk ishte e madhe nga përqindja e eksporteve të saj, por gjithsesi e trandi, deri në ulërimë kur ajo kërceu në 100%. Ishte kjo epokë e kthjellimit serb, përball Kosovës. Ajo, e pësoi një goditje “nga reja për së kthjellëti”, goditje e cila nuk mundi ta rikuperojë, as me hapjen e tregjeve të reja dhjetëra herë më të mëdha se të Kosovës, nga miqtë “tradicional”.

Reagimi i flashkët i Serbisë me rastin e vënies së taksës 10%, nuk ishte shenjë se Serbia do të pësonte ndonjë goditje të pariparueshme, edhe reagimi ishte i tillë, konform taksës.

Ngritja e taksës në 30%, ishte shenjë se Kosova e ka përnjëmend, jo vetëm vënien e kësaj mase si të padëgjueshme në këto anë, por për fuqizimin e pozitës së vet, përball disa segmenteve tregtare e prodhuese.

Si duket, rrëshqitjen e peshqve bashkë me ujin nëpër rrjetin e peshkimit të krimit të ri ekonomik të lojës me përqindjen e taksës, e pikasi, kryetari i Koalicionit qeverisës, Kadri Veseli. Bashkëjetesa e taksës në dokumente, 10 apo 30%, do të linte një shteg të hapur për krimin e ri ekonomik, për bashkëjetesën me krimin të kompanive të mëdha me mallrat e prodhuara në Serbi, por edhe rritjen e kontingjentit dhe vëllimit të supozuar të krimit ekonomik.

Vendosja e taksës 100%, tashmë nuk ishte një lojë e numrave por vendim i pjekur dobiprurës për shtetin, vendim largpamës me efekte të shumta anësore, gjithsesi të shëndetshme për shtetin dhe të ardhmen e raporteve të sinqerta fqinjësore, por edhe rikthimin e Kosovës, në tavolinat e mëdha e të vogla diplomatike.

Përqindja e lartë e taksës, 100%, sigurisht ishte edhe e pabesueshme, duke shuar të gjitha mundësitë e koketimit të tregtarëve, me nivelet politike apo biznesore të cilat 10 e 30% nuk i bënte të ulërinin nga dhimbja si pak ditë pas vendosjes së taksës në nivelin 100%. Janë po ata, të cilët njëkohësisht Kosovën e kanë bërë aq shumë të varur nga ajo prodhimtari, të rekomandojnë se Kosova po e dëmton veten. Këtu, fare nuk ka të bëj qëndrimi diplomatik i Presidentit Thaçi, i cili, si burrështetas po qëndron mbi situatën.

Vendimi për taksën, njëkohësisht riktheu Kosovën si shtet dhe subjekt që prodhon vendime edhe të dobishme për veten, shtetësinë dhe interesin e qytetarëve e vet, për mallra cilësore, marrëdhënie të mira fqinjësore e deri te ngritja e prodhimit vendor.

Heqja e taksës 100%, kërkon, po aq vendosmëri dhe largpamësi, gati sa të gjitha shkaqet që e sollën atë, për të qenë prapë, larg çdo koketimi si metodë, kundër patriotizmit të “zbehtë”, apo, rrjedhje të peshqve nëpër rrjetë, gjë të cilën e pikasi me kohë, z. Veseli.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme