Kur drejtësia iu mbetet në dorë qytetarëve

Prishtinë | 24 Maj 2017 | 12:19 | Nga Elvinë Sefiu

Jemi dëshmitarë të mos efikasitetit të sistemit të drejtësisë në vend deri në përmasat e ndëshkimeve mbi baza që nuk parasheh drejtësia në Kosovë.

Hetime, akuza, për persona publik me funskione të larta kur vie fjala për korrupsion, por proceset aq shumë të zvarritura sa lë të kuptohet se politizimi edhe i këtij pushteti të rëndësishëm është sfidë që duhet të shqyrtohet urgjentisht.

Në këto rrethana krijohet përshtypja se gjithë ato akuza janë bërë me qëllimin për të larguar nga skena politike njerëz që kanë mbështetje popullore dhe që mund t’i prishin kalkulimet insteresave të caktuara, në kohën kur kërkohet mbështetja e popullit.

Nëse nuk është kështu, pse duhet të zvarriten rastet për emrat konkret që vazhdojnë të jenë aktiv në skenën politike në Kosovë, por që nuk na qenkan përfshirë në lista të kandidatëve për deputet për zgjedhjet e parakohshme nacionale të 11 qershorit.

Tashmë edhe bashkësia ndërkombëtare duket se nuk po i beson këtij sistemi të drejtësisë në Kosovë, fillimisht duke kërkuar nga partitë të mos përfshijnë në lista njerëz të korruptuar, dhe së fundi duke ju bërë thirrje qytetarëve të mos votojnë njerëzit e korruptuar.

Në rregull, as un nuk do t’i votoj njerëzit e korruptuar! Por, si ta dijë një qytetarë, që hallin e vetëm e ka se si të sigurojë mirëqenien për familjen e tij, se për kë bëhet fjalë.

Edhe shoqëria civile ka ngritur një fushatë për të mos votuar njerëzit e korruptuar, por hajde ta definojmë se kush janë ata dhe do të mobilizohemi për fushatë në fushatë që këta persona mos të votohen.

Vazhdimisht në medie na kanë kritikuar se po prejudikoni fajësinë e personave, por duke bërë thirrje publikisht edhe bashkësia ndërkombëtare dhe shoqëria civile për të mos votuar njerëz që na qenkan të korruptuar ata po prejudikojnë fajësinë.

Në këtë mënyrë po bëni thirrje që qytetarët të marrin drejtësinë në duart e tyre, gjë që nuk do ta bëjnë derisa nuk flisni me emra konkret.

Dhe të gjithë ju që po jepni e po merrni milionat për përmirësim të sistemit të drejtësisë ideale do të ishte të iniconi rastet, kur keni fakte, dhe t’i mbikëqyrni proceset deri në fund, meqë në këtë mënyrë po ndikoni në bindjen e qytetarëve për të mos dalë në zgjedhje.

(Autorja është kryeredaktore në portalin arbresh.info)

Të ngjashme