Kur etika shkon për l…

Prishtinë | 22 Maj 2018 | 13:27 | Nga Mira Kazhani

Të enjten e shkuar në “Opinion”, analisti Mustafa Nano humbi durimin dhe iu kthye juristit të PD-së, Gazment Bardhit, me një fjalor aspak normal: “Kërriç, vila e sat ëme” e të tjera fjalë, të cilat të kujtonin që në ‘primetime’ ishte ngjitur zhargoni i rrugës. Në të njëjtin nivel janë sigurisht edhe akuzat, që shpeshherë palët ndërkrejnë për kundërshtarin në studio të ndryshme televizive.

Përdorimi i pamasë i të drejtës për t’u shprehur po kontrollohet sot nga subkoshienca, e cila, në fakt, prezantohet nga personazhet e jetës publike: politikanë, gazetarë, prezantues, artistë, në shumicën
dërrmuese, si një licencë për “të vrarë”, për të hedhur baltë dhe për të thënë çdo gjë për personazhin, familjen e tij, gati edhe nënat në pension i targetojnë si lajme showbizz-i.

Mungesa e etikës u vërejt edhe në rastin gazetares së “Fax News”, e cila u bë heroina e rrjetit në 24 orë, për shkak se nxori kryeministrin nga vetja, ku pas një sërë replikash Rama la foltoren për të ikur në zyrën e tij. Në një gjykim të ftohtë, të dy palët nuk respektuan etikën. Nëse flasim
për arrogancë në sjelljen publike, është vetë kryeministri Rama i cili ka jo pak trashëgimi në shkeljen e rregullave në komunikimin publik. Rasti në vetvete, si nga Rama ashtu edhe nga gazetarja e Fax News, ishte një shkelje e etikës.

Brenda një harku të shkurtër kohor, një tjetër rast konfliktual është shënuar në Komisionin e Ekonomisë. Kryetari Erion Braçe ka nxjerrë jashtë një gazetare, e cila pretendohet se ka përdorur gjeste tallëse gjatë mbledhjes. Kush ka të drejtë e kush jo, është një ekuacion i vështirë, sepse sot është e pamundur të bësh dallimin mes asaj që është e artikulueshme apo e bëshme dhe asaj që etika na kushtëzon për të mos e bërë. Në fakt, në realitetin e sotëm çdo gjë nxirret nga goja. Sot nuk ke nevojë ta eliminosh fizikisht kundërshtarin, boll të angazhosh portalet e tu, miqtë e tu në media apo në politikë dhe vrasja karakteriale është rruga më e shkurtër dhe mbi të gjitha pa asnjë rrezikshmëri ligjore.

Këto janë raste vetëm të ditëve të fundit, të freskëta. Të tilla, jo vetëm që ka me okë, por janë tashmë një realitet pesimist, kur vjen puna për profesionalizëm, gjuhë etike apo edhe thjesht gjuhë normale.

Pyetjet “si në kafe” dhe përgjigjet sikur “je ulur buzë Lanës me një birrë në dorë” janë shndërruar në steriotipin gazetari-politikë. Studio televizive, gazeta, portale, komisione, parlamenti, janë vendi ku vetëm teprohet me gjuhën dhe në asnjë rast nuk dominohet nga argumentet dhe ndriçimi i të vërtetës, për të cilat kanë nevojë qytetarët.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme