Kur ora kthehet mbrapshtë, nga njerëz të mbrapshtë

Prishtinë | 14 Qer 2019 | 15:22 | Nga Behxhet Saala - Bajgora

Kush luftoi dhe kush mrizoi: Sikur në asnjë vend të botë , në Kosovë , 20 vjet pas përfundimit të luftës janë rikthyer debatet se kush e nisi luftën , kush e bëri luftën dhe kush e fitoi luftën . Në këtë debat të pavlerë , më agresivët janë ata që , jo se nuk bënë asgjë për luftën por e penguan ate . Këtë po e bëjnë për faktin se fituan hapësirë për këtë pikërisht nga ata që e bënë dhe u sakrifikuan për luftën por se nuk u gjetën si duhet në kohën e paqes për faktin se një numër i tyre u përfshinë në aktivitete të krimit të organizuar , korrupsion , e shndërruan nepotizmin në rregull dhe standard moral e sidomos e çkrryen Kosovën përmes procesit të privatizimit . Ata që në kohën kur fasulja hahej kokërr për kokërr , Komandantin Legjendar Adem Jasharin e identifikonin me paramilitarë të Serbisë e që Bacën e Madh , Frymëzuesin  , Vetëdijen dhe Ndërgjegjen Kombëtare , Adem Demaçin e konsideronin si marksist , enverist dhe mbanin mbledhje duke e cilësuar më të rrezikshëm se vet Serbia , sot po shiten si bartës të luftës të cilën nuk e bënë asnjëherë. Po këta horra të luftës dhe të paqes , Komandantin Legjendar , Adem Jashari mundohen ta bëjnë ushtar të Ibrahim Rugovës ndonëse e kanë të qartë se sa për Rugovën në Kosovë nuk do të bëhej luftë as në 5000 vjetët e ardhshëm. Nuk e them se Rugova nuk e ka dashur lirinë e Kosovës dhe shqiptarëve por e them se nuk ka qenë në gjendje  të marrë përgjegjësi siç mori Izetbegoviqi në Bosnje apo Tugjmani në Kroaci . Ose , në variantin më të butë nuk ishe në gjendje të merrte përgjegjësi as sikur Kuçani në Slloveni ndonëse që të dy ishin komunistë , me bindje dhe në veprim. Prandaj duhet të bëhet një ndarje e saktë midis atyre që e bënë luftën dhe atyre që mrizuan para, gjatë dhe pas luftës ndërsa , sot i ndajnë dekorata patriotizmi  vetes sikur të kishin qenë ushtarë të Xhingis Kanit që e pushtuan gjysmën e botës e jo dele të metilosura që mrizonin në shtetet perëndimore duke u paguar nga Fondi i 3% apo duke bërë sfilata “ ushtarake “ në Shqipëri pas së cilës , ndonëse humbën jetën në aksidente trafiku apo mënyra tjera e që nuk kishin lidhje fare me veprime ushtarake , sot , për turpin e tyre janë veteranë të UÇK-së  si dhe janë shpallur edhe heronj të Kosovës . Lexova dikund se edhe legjendari Fehmi Lladrovci po nëpërkëmbet dhe fyhet rëndë nga matufë biologjik dhe tartufë kombëtarë dhe njerëzorë sepse nuk paska qenë një një linjë me Rugovën . Edhe nuk ka qenë sepse kanë ndryshuar diametralisht , Rugova ishte i mrizit , Feha me Xhevë Lladrovcin ishin të zjarrit që e dëshmuan me rënien e tyre heroike . Rugova nuk ishte komandant prandaj nuk ishte as ushtar kurse Fehmi dhe Xhevë Lladrovci kishin komandantë politik Bacën Adem Demaçi kurse ushtarak , Komandantin Legjendar Adem Jashari Tash , është e ulët të ndahen luftëtarët në baza partiake sepse në kohë të vështira kombi ishte mbi të gjitha e jo përcaktimi partiak apo politik. Sot flitet për FARK-un ( Forcat e Armatosura të Kolumbisë ) dhe UÇK-në , Ushtri Çlirimtare e Kosovës . Sipas strategëve të mrizit , vetëm FARK-u paska bërë luftë ndërsa UÇK-ë jo. Gënjeshtër ordinere dhe mburravecëri prej bibani. Në Kosovë nuk ka pasur asnjë ushtar me uniformë të FARK-ut ! Mbase kanë mundur të kenë brekushe apo të linjta me mbishkrim FARK. Kush e ka dashur lirinë e Kosovës dhe kush ka qenë me përmbajtje kombëtare nuk ka pasur kohë të qëndisë shkronja në uniformat e tyre. Çfarë rëndësie ka se çfarë pozicioni politik ka pasur Agim Ramdani , Sali Çeku dhe të tjerët kur vepra e tyre si dhe sakrifica sublime i ka shndërruar në heronj duke i bërë pjesë të përjetësisë ! Sa të jetë njerëzimi dhe shqiptaria , heronjtë dhe ata që u sakrifikuan për liri pavarësisht se me çfarë gjuhe politike flisnin do të jenë në secilin nga ata që e duan , e respektojnë , e kultivojnë , e përkujtojnë dhe nuk e harrojnë lirinë , si detyrim moral , kombëtar dhe njerëzorë ! Historinë e shkruajnë ata që e bënë me gjak dhe sakrifica kurse nga ajo përfitojnë ata që ishin kundër kësaj historie apo një historie tjetër apo që  e bëjnë fotokopje ose xerox histori ! Me një fjalë; horra të pasluftës e të tillë ka shumë !

Lexova dikund se Rugova paska bërë lista për ushtrime ushtarake në Shqipëri e që është mashtrim ordiner kur dihet se pikërisht Rugova ishte 100%  kundër luftës , jo pse nuk e deshte lirinë por se i mungonte gatishmëria për sakrificë dhe përgjegjësi ! Rugova ishte patriot i paqes dhe jo i luftes në ndërkohë që rruga drejt paqes domosdoshmërisht kalon përmes luftës. Sot Rugovën e madhërojnë ata që nuk e kanë dashur kurrë , që nuk e kanë respektuar dhe që i kanë bërë njëqindmijë probleme ! Sot Rugovën  , në mungesë të ofertës politike e përdorin dhe keqpërdorin vetëm për vota , në luftë për pushtet dhe jo për shtet. Se këtë e bëjnë një pjesë komuniste e LDK-së e që për mua nuk paraqet problem por se këtë e bënë edhe një pjesë e krahut të luftës e që në rrethana të atëhershem , po ta zinin Rugovën , do t’ia bëni lëkurën për def apo tupan , është pafytyrësi antologjike !

A ishte Zahir Pajaziti ushtar i Rugovës : Po thuhet se Zahir Pajaziti ishte ushtar i Rugovës apo pjesë e listës për ushrime ushtarake në Shqipëri e që e kishte bekimin e Rugovës. Duhet të jeni , së paku në nivelin e tretë të çmendurisë e ta besoni këtë . Në atë kohë listat për ushtrime ushtarake në Shqipëri i ka bërë Baca Ahmet Haxhiu , një patriot i pashembullt sikur që edhe furnizimi me armë ka shkuar kryesisht përmes Bacës Ahmet e që për këtë prapa qëndronte Baca Adem Demaçi . Edhe unë , pas daljes nga burgu thuaja 9 vjeçar e që paqësorët na thonin se nuk ishim në burg por se ishim në hotele , së bashku me gruan time Fexhrien e cila ishte torturuar thuaj 12 muaj nga vëllai i bashkëthemeluesit të UJD-it , si e burgosur politike ishim në lista për ushtrime në Shqipëri. Unë , nga hija , së bashku me Bacën Ahmet Haxhinë shpërndanim armë në Llap dhe Gollak , me veturat e Bacës Ahmet. Realisht , armët ua shpërndanim për 5 minuta ndërsa kur shkonim t’ua merrnim prapa për faktin se nuk kishin gatishmëri t’i përdornin , duhej të prisnim më shumë se një orë deri sa i nxirrnin nga vendi ku i kishin mëshehur fort. Për fat të mirë , sot ka në mesin e të gjallëve të tillë që i kanë përdorur ato armë por edhe të tillë që i patën futur shtat pashë nën dhe dhe që na   i kthyen pasi kishin filluar të ndryshken. Këta sot janë bartës të pozitave të ndryshme , kanë emër dhe mbiemër dhe , nëse ka nevojë mund edhe t’i bëjë publik ! Dëshmitarë për këtë dhe bashkëpjesëmarrës shumë të përkushtuar në këto aktivitete ishin Nuhi Llapqini dhe Dul Taraku , shoqërues dhe përkrahës deri në vdekje të Bacit Adem Dmaçi dhe Bacës Ahmet Haxhiu. Fëmijët e torturuesve tanë ( policë hetues , udbashë , inspektorë , prokurorë apo edhe gjykatës që na dënuan ) sot janë sistemuar si më së miri ; këshilltarë te presidenti , në Kuvendin e Kosovës , kryeministri dhe , në shumicën e rasteve nuk paguhen nga Buxheti i Kosovës apo marrin paga të larta kurse fëmijët tanë kryesisht janë të papunë apo bëjnë punë në kundërshtim me shkollimin që e kanë. Pikërisht për këtë arsye është kthyer situata në favor të atyre që e kundërshtuan , e luftuan dhe e penguan luftën prandaj edhe po bëjnë përpjekje ta marrin autorësinë e luftës në kohën që nuk e kanë shkrepur as edhe një plumb të vetëm përjashtuar këtu situatën kur kanë shërbyer në forcat serbe apo kur kanë vrarë ndonjë patriot shqiptar ! Po të pyetej Rugova , Zahir Pajaziti kurrë nuk do të bëhej Zahir që e njohim dhe që u sakrifikua deri në vetflijim , por do të mbetej një aparatçik sikur disa nga  këta kasnecët e ish Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës të Jugosllavisë , të konvertuar në LDK  por edhe në PDK!

Sot , kryesisht është koha e antivlerave . Vlerat e vërteta nuk përmenden . Komandanti Legjendar Adem Jashari është përzënë nga territori i Prishtinës kryetari i së cilës e ruan me xhelozi përmendoren e Vëllazërim – Bashkimit apo Tregishtërinjt  për të mos i lëshuar vend Adem Jasharit . Baca Adem Demaçi as në atë botë nuk ka qetësi nga matrapazët që e kanë shndërruar varrin e tij në një vendparkim në vend se të bëhet në një vendtakim për ata që e duan lirinë dhe ku do të mësohej historia e vërtetë kombëtare dhe njerëzore.

Po pse u bë kështu dhe a mund të bëhej ndryshe : Pas  përfundimit të luftës në Kosovë , Serbia e ruajti strukturën e padëmtuar informative dhe thuaja të gjithë spiujt që i kishte . Këta pastaj u integruan si tërësi në UNMIK e që pastaj u shpërndanë në Polici , Hetuesi,  Prokurori dhe Gjykata. Thuaja e trashëguan tërë hapësirën mediatike , të shkruar dhe elektronike. U shpërndanë nëpër Ambasada të huaja si këshilltarë dhe përkthyes sikur që  u bënë anëtarë të organizatave ndërkombëtare ku punonin kryesisht kundër intereseve kombëtare . U bënë opinionistë e analistë . kurvarë dhe zuzarë , intelektualë  dhe politikaj , konsuj dhe ambasadorë dhe , pas këtij konvertimi u bënë patriotë që na lënin në hije. Tash , shokët tanë të burgut , vuajtjeve , sakrificës dhe luftës duke bërë përpjekje t’i instrumentalizojnë këto fundërrina njerëzore dhe kombëtare , pahetueshëm e bënë pjesë e kësaj përzierjeje që kundërmonte nga ndyrësira , me një dozë të parfumit kinez. Telefonat celularë i kishin të hapur për ta 24 orë kurse për shokët e dikurshëm e kishin kurdisur përgjigjen : “ personi që e keni kërkuar nuk ka qasje në rrjet …”. Një pjesë e shokëve tanë u bënë hajdutë , kriminelë , vrasës, zhvatës dhe pisa shkuar pisave . Sot në Kosovë e keni të vështirë të gëzoni respekt nëse nuk jeni pjesë e nomenklaturës së krimanalizuar , nuk mund të bëni karrierë nëse nuk keni një aktakuzë për korrupsion apo krim të organizuar kurse , majat kur nuk do t’i mbërrini nëse nuk jeni të dënuar me , së paku 3 vjet burg efektiv për aktivitete kriminale !

Për faqe të zezë u festua 20 vjetori i lirisë së Kosovës dhe nuk u përmend Adem Jashari kurse Bacën Adem Demaçi e përmendi në një postim vetëm Xhavit Haliti. Askush nuk përmendi ideologun e politikës dhe filozofisë kombëtare , Ukshin Hotin . Askush nuk përmendi Agim Ramadanin , Xhemajl Fetahun , Sali Çekun , Ilaz Kodrën , Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin , Hafir Shalën , Xhavit Hazirin , Luan e Shkëlzen Haradinaj , Remzi Ademajn dhe të tjerët të cilët edhe me një pordhë të tyre kanë kontribuar më shumë për lirinë e Kosovës se 95% i parazitëve që bënë sfilatë në Emerald nën përkujdesjen e Baby Doll.

Çdo kohë i ka heronjt e vet dhe horrat e vet që e vulosin kohën kur jetojnë dhe veprojnë. Sot , Kosova , në jo pak raste heronjt real i ka zëvendësuar me horra real. Që të dy palët janë real por se horrat sot janë më real se real duke falenderuar pikërisht atyre që është dashur t’i luftojnë këta horra e që , në jo pak raste edhe vet janë bërë horra. Vlerat e vërteta mbijetojnë çdo kohë kurse koha pashmangshëm i gjuan horrat aty ku e kanë vendin , në plehra . Pa mundësi riciklimi !

Të ngjashme