Kur ta takoni Bidenin, tregoni me krenari sa e keni bërë koeficientin për vete

Prishtinë | 16 Shk 2022 | 11:18 | Nga Ekonomia Online

LETËR PUBLIKE PA ASNJË ARSYE

E dashur Presidente e Republikës
I dashur Kryeparlamentar i Republikës
I dashur Kryeministër i Republikës

Kur ta takoni Bidenin, tregoni me krenari sa e keni bërë koeficientin për vete. Trogoni që do të paguheni mirë.

Tregoni Bidenit, kur ta takoni se në Kosovë vetëm ju të tre punoni dhe këtu mundi e djersa, besa edhe sakrifica paguhet mirë.
Tregoni që këtu nuk punon gjë ushtari, polici, doganieri, zjarrfikësi, mësuesi, mjeku etj.

Tregoni Bidenit që rinia, profesorët, mjekët, të diplomuarit ne grada master e tjetër po ikin nga këtu përshkak të gjendjes ekonomike e sociale, për shkak të pagave të ulëta e të padinjitetshme.

Tregoni atij për pagat 170€, për pagat 200€, për pensionet 100€.

Ai do të lumturohet shumë… dhe kur të flas ai në Senat, në Kongres ose në OKB do ta cilësojë si arritje për Kosovën dhe popullin e saj.

Ama, dijeni mirë që, nëse koeficientët janë vërtet sikur janë publikuar në medie, personalisht, nëpërmjet Avokatit të Popullit ose në ndonjë mënyrë a procedurë tjetër, këtë ligj do ta dërgoj në Gjykatën Kushtetuese.
Se a mundem dhe a do të guxoj, i vjen koha dhe flasim.

Baba s’ua ka lënë kuletën e popullit. As populli nuk ua dha mandatin që të krijoni favore për vete.

Ju po shndërroheni në zhgënjim popullor!

Me dashamirësi,
Mehdi Krasniqi

Të ngjashme