Kurti duhet ta heqë taksën, Thaçi ta lërë lojën me zjarr…

Prishtinë | 03 Mar 2020 | 00:09 | Nga Enver Robelli

Kryeministri Albin Kurti duhet të heqë (pezullojë) tarifën këtë javë dhe të bëhet pjesë e procesit të negociatave. Presidenti i Kosovës duhet ta lërë lojën me zjarr dhe të kthehet brenda fushëveprimit të tij kushtetues.

Ndryshe, po e vazhdoi diversionin e tij parashtetëror, klasa politike ose duhet të kundërshtojë ose të dorëzohet.

Vetëm kyçja në proces i mundëson klasës politike të korrigjojë dëmin që mund të jetë bërë nga bisedimet e fshehta disavjeçare. Duhet të ketë së shpejti një ekip negociator si dikur – së paku 15 personalitete politike.

Ibrahim Rugova me gati 90 për qind përkrahje nga populli i Kosovës ka pasur rezon shtetëror për të emëruar ekip negociator, një pjesë e konsiderueshme e anëtarëve madje kanë qenë kritikë të ashpër të LDK-së.

Presidenti aktual i Kosovës nuk e ka këtë rezon, ëndrra e tij është nënshtrimi i të tjerëve, shkaktimi i tensioneve dhe në fund ofrimi për t’i shuar tensionet. Piromani në rolin e zjarrfikësit

Në këtë tmerr duhet ta ndalë kjo klasë politike – me çdo mjet kushtetues. Edhe PDK, më në fund, duhet të tregojë pak përgjegjësi. (AAK me sa duket ka vendosur të hapë një zdrukthëtari për arkivole).

Partitë e tjera politike duhet të mblidhen dhe të diskutojnë situatën e krijuar, e cila është edhe rezultat i “diplomacisë paralele dhe parashtetërore” të kryetarit të Kosovës. Dhe partitë duhet të kërkojnë me ngulm një ekip negociator. Kjo nuk është punë e një personi, “epoka” politike e të cilit po perëndon.

E vërteta e hidhur është se nuk ka gjasa që Bashkimi Europian të merret seriozisht me Kosovën. Ka disa vite që kam shkruar se ëndrrat kosovare se do të kyçet Gjermania në proces janë vetëm ëndrra.

Me largimin e Britanisë së Madhe nga BE roli i Londrës nuk do të jetë ai që do të duhej të ishte. Franca? Besoj e keni dëgjuar ambasadoren franceze sot. Ajo tha: palët t’i shqyrtojnë të gjitha opsionet. A është shans apo apokalips futja në negociata? Le të besohet te shansi, mos të përjashtohet e keqja, por – hej! – për diçka janë zgjedhur këta njerëz, jo vetëm për të hekurosur kravata.

Është koha për të marrë përgjegjësi. Të gjithë! Përndryshe po vazhdoi kështu së shpejti në treg del ndonjë tabletë kundër frikës që shkaktohet nga mesazhet e Twitterit.

Të ngjashme