Kurti e shpenzoi 30% të mandatit, nuk po vërejmë asnjë ndryshim

Prishtinë | 01 Qer 2022 | 15:30 | Nga Agron Demi

JO, nuk po e vërejmë ndryshimin:

  • Po bahen gati një muaj prej kur kam dorëzu ankesë në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorëve në MINT dhe nuk kam mar asnjë përgjigje, e bashkë me mu përgjigje janë tu pritë së paku edhe 1.014 qytetarë tjerë;
  • Parmbrëmë pashë një kronikë të KTV se si gazetares i janë refuzuar gjashtë kërkesa për qasje në dokumente publike nga Ministria e Shëndetësisë; pra zyrtarët e kësaj qeverie nuk janë të interesuar as me i dërgu vet në prokurori keqpërdorimet, por as mos me u’a leju gazetarëve hulumtimet;
  • Ka kalu më shumë se një vit mandat i plotë qeverisës dhe gjendja me Ligjin për duhanin është më keq se kurrë. Edhe ato pak lokale që e kanë respektu ligjin deri vonë kanë hjekur dorë;
  • Gjendja vazhdon me qenë e njejtë në Inspektoratin e Punës, punëtorë që presin ende me muaj të tërë për me mar një përgjigje nga inspektorati, e plotë të tjerë që vazhdojnë me punu pa kontrata e pa mbrojtje;
  • Seancat e Kuvendit e komisioneve parlamentare prapë dështojnë në mungesë kuorumi, e ka projektligje që sillen në Kuvend qe 300 ditë;
  • Bizneset vazhdojnë me u përballë me problemet e njejta kur vjen puna e regjistrimit në ARBK;
  • OJQ-të vazhdojnë me u përballë me probleme të njejta kur vjen puna tek kontakti me Departamentin e OJQ-ve;
  • Pajisja me dokumente vazhdon me qenë e njejta, madje një ndryshim i aplikuar nga MPB në çertifikata i ka largu prej funksionit edhe e-kiosqet nëpër komuna;
  • Në kohën kur më së shumti na duhet aktivizimi i diplomacisë, ambasadat vazhdojnë me qëndru pa ambasadorë, aty ku ka ambasadorë vazhdojnë me qenë të nënpërfaqësuara me personel (duke fillu nga ajo në ShBA), e mos të flasim pastaj për lobimin për njohje të reja;
  • Projektet investive janë blloku, ngase OSHP vazhdon me qenë pa bord;
  • Në kohën kur po bëhet manipulimi më i madh me çmime, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës vazhdon me qenë pa drejtor e pa bord;
  • Gjendja me statistika vetëm është përkeqësu. Kushdo që merret me interpretimin e të dhënave e di që sigurimi i të dhënave zyrtare është po aq e vështirë sa ka qenë, e ASK nuk i publikon të dhënat e papunësisë qysh prej tremujorit të parë të 2021…

Tash që kaloj 30% e mandatit dhe nuk po i prekim ndryshimet, a mundemi me ditë kur ja nisë kjo qeveri me tregu rezultate?

Përshtypja jeme është që kemi kalu prej qeverisjeve kaubojksi të cilat nuk qanin fare kokën për ligjet e procedurat që vetë i vendosnin, tek një qeverisje që nuk o ka mundet me nxjerrë kokën nga paraliza burokratike dhe me ja gjetë fillin qeverisjes.

Të ngjashme