Kurti ka ardhur në pushtet duke e kundërshtuar “Zajednicën”, prandaj prej atij pritet që ta mbrojë këtë qëndrim ose të tërhiqet

Prishtinë | 30 Nën 2022 | 12:55 | Nga Ahmet Jashari

Albin Kurti, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, tha se ai ka tjetër qasje për veriun. E vërtetë, ai ka ardhur në pushtet duke e kundërshtuar “Zajednicën”, prandaj prej atij pritet që ta mbrojë këtë qëndrim ose të tërhiqet.

Konsekuencat e prishjes së raporteve me partnerët nuk mund t’i mveshen Kurtit, por mbështetjes që ia kanë dhënë për qasjen dhe platformën e tij.

Ai edhe ashtu nuk ka pasur asnjëherë raporte të mira me ndërkombëtarët. Këtë duhet ta kenë pasur parasysh të gjithë ata që e kanë votuar, prandaj tash nuk kanë të drejtë të kërkojnë prej tij që ai të ndryshojë.

Duhet të ndryshojnë ata jo Kurti, meqë ai ka ndërtuar një karrierë politike duke kundërshtuar dhe mohuar.

Pra, kur e kanë votuar Kurtin kanë votuar kundër marrëveshjeve të arritura me Serbinë, kundër demarkacionit, kundër “Zajednicës” duke pasur parasysh edhe konsekuncat, sikur shkatërrimi i raporteve me partnerët, izolimi ndërkombëtar dhe humbja e kontrollit ndaj pjesës veriore të Kosovës.

Kjo qasje e Kurtit për të kundërshtuar dhe mohuar, ka gjetur mbështetje para idesë për Asociacionin në pajtim me Kushtetuesen apo shkëmbimin e territoreve!

Të ngjashme