Kush do të përfitojë nga paniku për Coronavirusin

Prishtinë | 11 Mar 2020 | 22:59 | Nga Shkumbin Gashi

Paniku është një gjendje frike e përhapur me shpejtësi. Kjo shkakton rrëmujë. Nga rrëmuja dikush përfiton, dhe shumë humbasin. Kjo është gjendja në Kosovën e paprekur nga virusi Covid. Kolona të gjata në arkat e marketeve sikur të ishte ndonjë festë. Për dikë është edhe festë.

Ekonomia më shumë është art se sa shkencë. Lajkaton të cilësohet shkencë matematikore por ajo më shumë ka të bëjë me psikologjinë e turmave. Disa biznesmenë të zotë kanë ditur të punësojnë ekonomistë të artit. Ata në mënyrë perfide ngrisin çmimet e produkteve bazike dhe në të njëjtën kohë ndihmohen nga mediat në shpërndarje të panikut.

Paniku është propagandë ndërsa propaganda është marketing. Kjo është lidhja logjike mes panikut dhe përfitimit ekonomik. Pra, mjafton që dikush të shpërndajë një frikë në përmasa të mëdha dhe me shpejtësi pastaj vjen rradha e ekonomistit që stoqet e tij të jenë të mbushura në kohë paniku.

Thonë që qytetet do të shndërrohen në karantina! Për ekonomistin kjo do të thotë se stoqet e tij të jenë të mbushura me miell, vaj, sheqer etj. Shitjet do të jenë të sigurta dhe me çmim sipas ligjit ekonomik, kërkesa maksimale – oferta e kufizuar – çmimi maksimal. Ekuacioni mbyllet me marzha maksimale.

Pra, nga paniku i një populli të frikësuar përfitojnë disa individë. Ata individë dinë se si ta çorientojnë mendjen e një populli dhe pastaj turma vet e gjen rrjedhën për tek xhepi I ekonomistit.

Ditë të ngjajshme me këto ditë janë ato të Prillit dhe Majit 1999 kur për pak sheqer që fëmijës i pëlqente aq shumë, babai i tij duhej të kapërcente muret e oborreve për ta lumturuar të birin më një gotë çaji.

Tregimi i Budda-s do të na kthjellonte në këto ditë makthi artificial.

Një herë lepuri qëndronte nën një pemë të drurit të dardhës dhe dremiste. Papritmas, dëgjoi një zhurmë të fortë. Duke menduar se po vjen fundi i botës, u hodh të vrapojë. Kur lepujtë e tjerëe panë atë që vraponte e pyetën: “Përse po vrapon?” Lepuri iu përgjigj: “Po vjen fundi I botës”. Pasi dëgjuan këtë, lepujt vrapuan prapa tij. Kur drerët panë lepujt që vraponin, I pyetën: “Përse po vraponi me kaq nxitim?” Dhe lepujt iu përgjigjën: “Ne vrapojmë sepse po vjen fundi I botës”. Atëherë drerët, së bashku, vrapuan prapa tyre. Në këtë mënyrë, disa kafshë pas të tjerave u bashkuan pas lepujve, qe tashmë po vraponin, ndërkohë, e gjithë mbretëria e pyllit ishte në gjendjen e vrapimit me panik, i cili do të kishte përfunduar me vdekjen e asaj mbretërie.

Kur Budda, që jetonte në atë kohë si i urtë, i pa të gjitha këto kafshë që vraponin në panik, pyeti tek grupet e fundit të bishave, që sapo ishin bashkuar me të tjerët, përse ia kishin krisur vrapit. “Sepse po vjen fundi i botës”. Ai nisi të pyes kafshët njëra pas tjetrës, duke ndjekur rrugën e përhapjes së lajmit, në drejtim të kundërt, deri në shfaqjen e tij midis drerëve dhe më në fund , midis lepujve. Kur lepujt thanë se ata po vrapojnë pasi po I vjen fundi I botës, ai i pyeti se cili pikërisht nga lepujt ka folur për këtë. Ata i treguan për të parin që e kishte kumtuar lajmin e tmerrshëm. Atëherë Budda u drejtua nga ai dhe e pyeti: “Ku ishe dhe çfarë bëje ti kur të erdhi në kokë mendimi që po vjen fundi i botës?” Lepuri I përgjigj: “Unë po rrija nën pemën ë dardhës dhe po dremisja”. “Mundet që ti thjesht ke dëgjuar zhurmën e frutit që bie. Le të shkojmë tek pema ku po rrije ti dhe le të shohim nëse është apo s`është kështu”.

Ata u drejtuan tek pema, pranë vendit ku kishte qëndruar lepuri. Në të vërtetë, qëndronte shtrirë fruti që kishte rënë…

Të ngjashme