Kush po e prishë “paqen” në Ballkan?!

Prishtinë | 07 Sht 2021 | 15:14 | Nga Melihate Tërmkolli

Është pyetje e vjetër aq sa edhe aktuale, anipse në Ballkan pothuaj asnjëherë nuk ka pasë paqe reale e të vërtetë.

Është kjo çështje dhe pyetje që nga koha e Kongresit të Berlinit dhe është po aq e re për shkak të mendësisë politike serbe e cila nuk ka ndryshuar asnjëherë nga ajo kohë, në synimet, projektet dhe qëllimet e saj.

Politikën hegjemoniste në Ballkan, historikisht e ka diktuar dhe zhvilluar Serbia e cila pothuaj gjysmën e territorit të saj të sotëm e ka fituar përmes krimeve, spastrimit etnik e gjenocidit, kryesisht ndaj shqiptarëve por edhe popujve tjerë.

Të shumtën e rasteve, këtë politikë të Serbisë dhe territoret e aneksuara dhe të grabitura me dhunë nga ana e saj, i ka pranuar Evropa, me përjashtime të rralla. Një përjashtim të madh bën Kosova, me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s, 1999, në krye me SHBA dhe vendet tjera perëndimore, që solli çlirimin e Kosovës nga okupimi serb, e më vonë, 2008, kjo botë e njohu Kosovën shtet i pavarur.

Serbia nuk e njohu e nuk po e njeh Kosovën shtet duke përdorë çdo mjet të mundshëm agresioni kundër saj. Malin e Zi, tani e deklaruan si Serbi. Ashtu siç e konsiderojnë edhe ‘Republikën serbe” në Bosnjë e Hercegovinë.

Në këtë mes, raportet dhe dialogu Kosovë- Serbi nuk bëhet më i rëndë nga fakti se kush është sot në krye të Qeverisë së Kosovës siç po aludohet herë herë. Dialogu Kosovë-Serbi është i rëndë për shkak të mendësisë politike serbe për pushtime të reja, për territore të reja në funksion të “Serbisë së madhe” dhe synimeve ruso-serbe për dalje në detin Adriatik. Në këtë kuptim, politika e Serbisë në raport me Kosovën dhe shqiptarët është e njëjtë, si nga Kongresi i Berlinit, 1878, si para 30 viteve nga “Gazimestani” 1989, si tani, 2021.

Evropa nuk e detyroi dhe nuk kërkoi asnjëherë denacifikimin dhe defashistizimin e Serbisë. Në vend të kësaj, liderë të caktuar evropianë përpiqen ta mbulojnë këtë “favor” që ia bënë Serbisë duke e zhvendosur problemin në çështje tjera dhe vende tjera! Liderë evropianë e quajnë Serbinë si partnerin kryesor strategjik në Ballkan. Ashtu siç e ka deklaruar partner strategjik edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Serbinë e fashistizuar e të nacifikuar e shpërblejnë me liberalizimin e vizave, me statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, me investime miliardëshe etj.

Nuk është për t’u çuditur prandaj që Serbia përditë e më intensivisht po shfaqë shenja serioze të nxitjes dhe hapjes së konflikteve të reja në Ballkan, përmes “lojërave politike”, të cilat madje edhe disa liderë të Ballkanit ose nuk i kuptojnë ose nuk duan t’i kuptojnë. Ajo, me mjeshtri përmes “Open Balkan” e ka “paralizuar” edhe Shqipërinë edhe Maqedoninë e Veriut për të realizuar synimet e saj agresive kundër Kosovës në radhë të parë por edhe kundër Bosnjës e Hercegovinës e siç po shihet edhe ndaj Malit të Zi (anëtare e NATO-s!).

Projektet “Bota serbe”, “Samiti i të painkuadruarëve”, “Open Balkan” si projekte për një “Jugosllavi të re” ose “Serbinë e madhe” përfshirë këtu destabilizimin e rëndë të Malit të Zi deri në konflikte përmes “Kishës Ortodokse Serbe” si bartëse kryesore e politikës hegjemoniste serbe, gjendjen në Bosnjë e Hercegovinë me “Republikën Serbe”, agresioni i pandalshëm kundër Kosovës, armatimi enorm i ushtrisë serbe nga Rusia etj. janë shenja të mjaftueshme për një qëndrim shumë më të vendosur të BE-së dhe SHBA-ve ndaj Serbisë dhe Ballkanit në tërësi. Kjo do të duhej të ishte një alarm për të gjithë! Alarm për zgjidhje të problemeve në këtë pjesë të Evropës.

Ku jemi ne?!

Komoditeti i Qeverisë së Kosovës, në krejt këto rrethana është absurd. Qasja dhe politikat aktuale të Qeverisë janë tërësisht joproporcionale dhe të papajtueshme me zhvillimet në Ballkan e më gjerë.

Qeveria dhe institucionet tjera nuk mund të abstenojnë nga obligimi për një rol shumë më proaktiv brenda e jashtë Kosovës, në radhë të parë në zgjidhjen e problemit me Serbinë.

Nuk jemi aq të pafuqishëm për të mos bërë asgjë!
Kosovën e kanë ata që e duan dhe që punojnë vetëm për të!

Të ngjashme