Kush po harron arritjet dhe dëshiron të nisë nga e para?!

Prishtinë | 14 Mar 2022 | 17:20 | Nga Ragip Gjoshi

Historia e abetareve të gjuhës shqipe është e vjetër dhe e lavdishme. Me abetaret janë të lidhura gërshetë përpjekjet e shqiptarëve për mbijetesë përballë pushtimeve të njëpasnjëshme. Me përmbajtjen e tyre ato ndikuan fuqishëm në edukimin e gjeneratave të tëra me ndjenjat më të larta atdhetare dhe fisnike. Ato ndikuan në ruajtjen dhe mbajtjen gjallë të gjuhës së ëmbël shqipe dhe trashëgiminë e saj brez pas brezi.

Kur të gjithë nxënësit, mësuesit, pedagogët dhe prindërit ishin duke pritur edhe më tej unifikimin e udhës së shkronjave shqipe, me avansim të kurrikulave të përbashkëta,teksteve shkollore e universitare të përbashkëta, diplomave të përbashkëta, qëndrimin ditor të nxënësve,prodhimin e mjeteve mësimore,zhvillimin e arsimit profesional, organizimin e mësimit plotësues në diasporë, edhe pse po mbushën gati dhjetë vite që tashmë në duart e tyre nxënësit shqiptar,e kanë Abetaren e përbashkët…Dy zonjat ministre, si përqartë folën dy drejtueset e ministrive të arsimit paskan paralajmëruar se “këtë vit shkollor nxënësit e të dy shteteve do ta kenë Abetaren e përbashkët…!

“Kaq shpejt ju paska shlyer memorja e historisë së arsimit kombëtar!? Në vend që të premtohej se këtë libër me vlera të qëndrueshme,e të përbashkëta do ta kenë në duar që lexohet me të njëjtën dashuri dhe pasion përtej dy shteteve shqiptare: jo veç në Gjirokastër, Skenderaj e Besianë, në Mitrovicë e Vlorë ,në Korçë,Prizren e në Shkodër, por që të mundësohet e të shpërndahet edhe në Shkup, Tetovë, Ulqin, Preshevë dhe diasporë,ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) e Kosovës, Arbërie Nagavci dhe ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë të Shqipërisë, Evis Kushi, kanë nënshkruar marrëveshje për përdorimin e abetares së përbashkët në të dyja vendet, nga viti i ardhshëm! Sa anakronike e paradoksale!

Sa harrestarë jemi… Historia e abetareve të gjuhës shqipe është e vjetër dhe e lavdishme. Me abetaret janë të lidhura përpjekjet e shqiptarëve për mbijetesë përballë pushtimeve të njëpasnjëshme. Shkronjat shqipe ndihmuan në ruajtjen dhe mbajtjen gjallë të gjuhës së ëmbël shqipe dhe trashëgiminë e saj. Abetarja, si asnjë libër tjetër në të gjithë rruzullin tokësor, lidhet ngushtë me jetën e çdo fëmije që ulet për herë të parë në bankat e shkollës. Me këtë libër fillon dhënia dhe përvetësimi i një kulturë dhe arsimimi të programuar. Me të mësojnë lexim-shkrimin në gjuhën amtare…

Udha e shkronjave shqipe ishte e gjatë dhe e vështirë…Udha e arsimit në gjuhën shqipe ishte e anatemuar gjatë…Shkronjat shqipe dhe Abetarja shqipe ishte venë në listat e zeza të botimeve të ndaluara….Librat shqip u dogjën, siç digjeshin dikur nga inkuizicioni veprat e dijetarëve të mëdhenj në mesjetë. Lufta kundër abetares u bë në emër të pushtuesit, në emër të injorancës, të fanatizmit, të prapambetjes, të antishqiptarizmit. Por prapëseprapë ky libër i mësimit të gjuhës shqipe mbijetoi triumfues.

Udha e shkronjave shqipe… Udha historike e alfabetit dhe e Abetares janë vetë historia e shqiptarëve

Kronika historike e Alfabetit dhe Abetares janë vetë historia e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Qe nga botimi i Abetares së parë, që kur u hap një faqe e re e historisë së gjuhës sonë, e tani mbushen 178 vjet, janë shtypur mbi 150 abetare në trevat shqiptare dhe jashtë tyre. Por, në mesin e tyre shquhet Abetarja e përbashkët mbarëkombëtare që u përurua në Prizren, sepse ka një simbolikë të veçantë. Në qytetin e gurtë, nën Kështjellë, pranë Shtëpisë së Lidhjes, thënë figurativisht u lëkunden gurët e varreve të gjithë atdhetarëve. Më 17 maj 2012 u thyhen eshtrat e mëkatëve të heshtjeve tona. Erdhi çasti që ngjan me mëngjesin e kthjellët më të kthejllët se loti, ku lumenjtë bëhen bashkë, ku malet merren në grykë vëllazërisht… Atë ditë buzëqeshja iu kthye historisë! 36 filigranët e shkronjave në Prizren u praruan në ar. Udhë e kombit solli udhën e shkronjave, këtë idil të këndshme të rilindasve e të trimave të Lidhjes… Atë ditë u gëzua nëna gege e toske, të përqafuara tash 50 vjet më parë në Tiranë në Kongresin e Drejtshkrimit, për ëndrrën tonë për një gjuhë e një komb, për fatin tonë të prerë me copa, për shijen e pashijuar të bashkimit të kombit, për mallin e lirisë, për pëllumbat e lirisë – heronjtë e të gjitha kohërave që përherë janë të gjallë. 

Atë vit shënoheshin 100 vjet udhë të përgjakshme! 100 vjet liri matanë kufirit! 100 vjet robëri këndej gurit të ndarjeve! Udhë e shkronjave dikur në gergje e shkrepa plot rreziqe, atë ditë në Prizrenin hstorik erdhën të bashkuara 36 shkronjat shqipe të Veqilharxhit. Erdhen udhës së kombit që e hapen pushkët e dalazotësve, të çlirimtarëve të UÇK-së, që e hapen vizioni i dy kryministrave dhe i dy ministrave të arsimit, krahëpërkrah në një libër të përbashkët- në librin e parë në jetën e fëmijës, ku u përurua përafrimi i punëve tona – drejt ecjeve tona të përbashkëta në udhën që shpie për Evropën e Bashkuar. Dikur, Abetarja ishte e anatemuar. U bë udhë e gjatë dhe e mundimshme që nga Kongresi i Manastirit. U ndeshem me armiqtë e kombit dhe të arsimit kombëtar. Atëbotë, ishin vënë në lëvizje pushtues nga më të ndryshëm që Abetaren shqipe ta vënë në listë të zezë të librit të ndalur. Në shumë raste ajo u dogj nëpër sheshe e rrugë, siç digjeshin dikur nga inkuzicioni veprat e shkencëtarëve që rrëzonin tabut mesjetare. Ky libër i shenjtë u quajt dhe libër i mallkuar! Ky libër i shenjtë depërtoi edhe nëpër burgje, u mësua në natyrë në qiell të hapur dhe në kullat e gurta. I thanë libër i mallkuar, sepse aty përbrenda ishte dashuria për gjuhën e mëmës, aty u ngroh zemra e vogëlushëve shqiptarë, që u shpërthente liria për mëmëdhenë e robëruar

Që nga “Evetari shqip…” i Naum Veqilharxhit e deri më sot janë shtypur mbi 150 abetare në trevat shqiptare dhe jashtë tyre. Atëherë, abetaret qenë armë nga më të fuqishmet për të shkëputur arsimin tonë nga varësia e shkollave të huaja.

Shkronjat shqipe dhe Abetaret do t’i kishin dyert të mbyllura, rrugët e prera, shtigjet të zëna pa mbrojtjen e armëve të luftëtarëve shqiptarë. Shumica e autorëve të abetareve shqipe qenë njëkohësisht pedagogë e luftëtarë, shkencëtarë dhe veprimtarë të lëvizjes kombëtare, tekstologë dhe organizatorë të arsimit.

E gjithë kjo udhë e gjatë,që kanë kaluar shkronjat shqipe kanë lënë gjurmë në kronikat e arsimit dhe të kulturës shqiptare…Me abetaren nuk u lidhën vetëm mësimdhënësit, nxënësit e klasëve të para dhe prindërit e tyre,por edhe pedagogë,hartues tekstesh, politikanë, ithtarë të lëvizjes sonë kombëtare,por edhe botues e përfitues anësor.

Për abetaren shqipe derdhën mundin, djersën e intelektin e tyre: N. Veqilharxhi, K. Kristoforidhi, D. Boriçi, S. Frashëri, J. Vreto, K. Hoxhi, P. Vasa, A. Kullurioti, L. Gurakuqi, P. Qiriazi, N. Lako, S. Shuteriqi, A. Xhuvani, N. Paluca, Th. Papapano, J. Minga, M. Logoreci, G. Beltoja, L. Skendo, L. Lumezi etj. e deri më të rinjtë si Q. Guranjaku, K. Xhumari, Q. Batalli, M. Gjevori, Gj. Gjokaj, Xh. Gega etj.

Sa shpejt paskëni harruar ministret tona të arsimit, se ne kemi abetaren e përbashkët-duhet të shkoni pak përtej!

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) e Kosovës, Arbërie Nagavci dhe ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë të Shqipërisë, Evis Kushi, kanë nënshkruar marrëveshje për përdorimin e abetares së përbashkët në të dyja vendet, nga viti i ardhshëm, dhe madje paskan filluar procedurat e konkursit për Abetaren e përbashkët.

Madje, kësaj pune edhe në mbledhjen e dy qeverive Kosovë-Shqipëri, në Elbasan,ishte nënshkruar një marrëveshje e dy kryeministrave.

Dy zonjat minister,paskan harruar se jo veç që e kemi një Abetare të përbashkët,por ajo është e bazuar në kontekst të ri social, kulturor,dhe në kurikulë të re të bazuar në kompetenca.Madje është e bazuar edhe në metoda të mësimdhënies, zhvillime të teknologjisë dhe revolucionit digjital…Mos bëni punë veç sa për kamera televizive! Bëni diçka më të qëndrueshme për arsimin tone!

“Historia” e Abetares së përbashkët… sa herë duhet të nënshkruhet marrëveshje për abetare të përbashkët- a janë në dijeni dy ministret e arsimit që nga 17 maji 2012, dy kryeministra të dy shteteve shqiptare kanë përuruar Abetaren e përbashkët?!

“Nismëtaret” e reja për Abetaren një përbashkët,sikur paskan harruar për promovimin e Abetares së përbashkët, që para një dekade ishte quajtur moment të rëndësishëm historik për kombin shqiptar. Zonjat ministre të Arsimit të Shqipërisë e Kosovës paskan harruar edhe faktin se,në një manifestim impozant atë ditë, teksti fitues për Abetaren e përbashkët Shqipëri-Kosovë .Abetarja e përbashkët ishte përzgjedhur, më 24 prill të këtij viti. Teksti ka katër bashkë-autorë, Shezai Rrokajn dhe Mimoza Gjokutajn nga Shqipëria, si dhe Islam Krasniqin dhe Saranda Kumonova-Pozhegun nga Kosova.

Këto dy zonja në vend që ta hedhin një hap përpara unifikimeve tjera,në 50 vjetorin e unifikimit të gjuhës shqipe paskan hedhur në harresë faktin se Abetarja e përbashkët ishte realizuar me nismën e dy ministrive të Arsimit, të Shqipërisë dhe Kosovës. Këto zonja,do të mund të vazhdojë lidhur me unifikimin e teksteve të tjera shkollore dhe punëve tjera.

Atëbotë, drejtuesit e institucioneve të larta të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, të enjten e 17.5.2017 janë takuar në Kryeqytetin historik të shqiptarëve, jo rastësisht në qytetin e Prizren, kryeqytet shpirtëror të shqiptarëve, për të promovuar Abetaren e përbashkët të këtyre dy vendeve.

Atë ditë në Prizrenin e bukur,Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kishte theksuar se Abetarja e përbashkët është libri bazë dhe më i rëndësishëm i kulturës dhe arsimit në gjuhën shqipe. Krijimin e Abetares së përbashkët ai e ka quajtur “arritje historike”.

​​”Sot është një ditë historike për kombin, kulturën dhe qytetërimin shqiptar. Sot po e prezantojmë për herë të parë Abetaren e përbashkët të shqiptarëve, për herë të parë në historinë e kombit shqiptar. Kjo është e arritur historike. Është Abetarja e parë e përbashkët, e bashkautorëve nga Shqipëria dhe Kosova”, pati thënë kryeministri Thaçi.

Dy zonjave ministre të arsimit, po ua rikujtoi edhe disa fjalë të kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha.Ai ,me këtë rast pati thënë se kombi shqiptar nuk ka qenë kurrë më i bashkuar dhe më i sigurt se sa tash, në kohën kur edhe u promovua Abetarja e parë e përbashkët.Berisha në mes tjerash pati theksuar se shqiptarët janë të vendosur në të ardhmen tonë evropiane, kombi shqiptar, kurrë në historinë e tij nuk ka qenë më i bashkuar, më i sigurt në të ardhmen e tij që e meriton.Dhe vazhdoi “Abetarja është margaritari i kurorës së 100-vjetorit të Shqipërisë së pavarur, dhurata më e bukur që njerëzit e dijes mund t’i bënin Shqipërisë dhe shqiptarëve. Të dashur fëmijë, Abetarja ju dorëzohet juve sot, pas 160 vjet përpjekjesh mbinjerëzore për liri dhe dinjitet të shqiptarëve”.

Abetarja e përbashkët-simbolikë drejt integrimit kulturor të shqiptarëve, sipas modelit të kombeve të përparuara

Në kryeqytetin historik të shqiptarëve ,në Prizren,më 17 maj 2012, në vigjilje kur Shqipëria bënte 100 vjet shtet e Kosova po hynte në 13 vjetorin e lirisë dhe në vitin e pestë të Pavarësisë atë pranverë u festua Dita e Abetares së Përbashkët,.

Atë ditë është promovuar Abetarja e Përbashkët Kosovë – Shqipëri. Në këtë manifestim, ishin të pranishëm dy kryeministrat e të dy shteteve shqiptare,ai i Kosovës dhe Shqipërisë,ku morën pjesë edhe Presidentja e Republikës së Kosovës,ambasadorë të të dy shteteve,dy ministrat e arsimit dhe ministra tjerë;ishin të pranishëm deputetë dhe bartës të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë, ishte baca Adem Demaçi dhe baca Rifat Jashari.

Ajo ishte një ditë historike për kombin, kulturën dhe qytetërimin shqiptar. Për herë të parë u prezantua Abetarja e përbashkët shqiptare, për herë të parë në historinë e kombit shqiptar, kjo ishte e arritur historike. Ishte kjo Abetarja e parë e përbashkët e autorëve nga Shqipëria dhe Kosova. Jo rastësisht drejtuesit e dy shteteve shqiptare ishin mbledhur në Prizren, ku çdo shqiptar do të dëshironte të ishte.

Shpirtërisht atë ditë maji të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Preshevë, Mal të Zi, diasporë,ishin me Abetaren e përbashkët ,ishin me zemër e shpirt në Prizren…Athua paskan harruar dy qeveritë e reja kë[të ditë kaq shpejtë?!Atë ditë qyteti historik, kryeqyteti shpirtëror i shqiptarëve, ishte qytetin më I lumtur në mesin e kryeqyteteve politike dhe administrative, Tiranës dhe Prishtinës,…Atë ditë nga ky qytet i bukur jipej mesazh historik dhe i drejtë, për bashkimit të shqiptarëve në një shtet të vetëm.

Ky veprim e kurorëzim i punës së dy ministrive të arsimit ishte bërë në vitin jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Ky veprim erdhi si prolog i punës së përbashkët të të dy institucioneve më të larta shtetërore të Kosovës dhe Shqipërisë. Kjo është dita më e shënuar në atë jubileu, u promovua libri bazë i kulturës dhe të arsimit shqip, për shkollat shqipe.

Kjo ishte fitore e kombit shqiptarë! Ishte fitore e dy shteteve tona e nisur me moto :”Një komb, një gjuhë, një abetare. Ishte fitore për të gjithë shqiptarët. Këtë të arritur do ta mbajë në mend popull shqiptar! Abetare e Përbashkët ishte edhe një hap drejt integrimit kulturor të shqiptarëve sipas modelit të kombeve të përparuara.

Mos harroni zonja kaq shpejt…Udha e abetareve ishte e përgjakshme…Tani kur klima historik, për vlerat dhe risitë didaktike është diametralisht më e përshtatshme,shfrytëzojeni për reforma më të thella. Kapërcejeni Abetaren ,sepse e kemi…

Kulmi i përpjekjeve për të sendërtuar idealet e rilindësve dhe i konceptim të ri bashkëkohor të rolit të këtij libri kaq të rëndësishëm është arritur ,më 17 maj 2012 në Kryeqytetin historik të shqiptarëve, për të pasur në historinë e një shekulli e gjysmë të udhës së shkronjave shqipe me kurorën e saj –Abetaren e përbashkët Kosovë-Shqipëri. Kjo Abetare ishte përcjellë me Librin e mësuesit dhe me programin e ri në frymën e Kurrikulës së Re dhe me metodologjinë dhe mjetet,format e teknikat e reja.

Historia e udhës së shkronjave përbrenda ruan dramën e shqiptarëve në 500-vjetshin e fundit. 

Mos luani me ndjenjat e nxënësve, mësuesve e të prindërve!

Nuk rishkruhet përditë historia!

Të ngjashme