Kush u lehtësua më shumë për largimin e Kadri Veselit nga skena politike, VV-ja apo një pjesë e PDK-së?

Prishtinë | 13 Kor 2022 | 13:17 | Nga Afrim Kasolli

Një mik i imi, duke marrë si shkas nga një postim që e pata para dy ditëve, më tha, mik e kam një përshtypje se për arrestimin e Kadri Veselit më shumë janë lehtësuar një pjesë e PDK-së, sesa oponentët e tij më të ashpër, sikur janë VV-ja.

Ky formulim lakonik më erdhi papritur dhe nuk pata përgjigje të atypëratyshme. Mirëpo, duke reflektuar thellë thellë, mbi motivet, vetëdijen dhe qëllimet politike të njerëzve e pash që ajo që ma tha ky mik, nuk ishte për t’u hedhur poshtë.

Siç dihet, Lëvizja Vetëvendosje, dhe këtu po flas vetëm për një pjesë të saj, e jo për atë konglomerat që u krijua kohëve të fundit, e ka kultivuar një vokabular politik me referenca historike. Prandaj, edhe ajo e ka ushqyer vetën politikisht vetëm duke u konfrontuar me ata njerëz që kanë dalur dhe kanë qenë mbartës të këtij procesi. Njëri nga ta ka qenë edhe Kadri Veseli.

Beteja për ta pushtuar historinë e ka formuar thelbin e këtij rivaliteti politik. Për ta ish-lideri i PDK-së ka qenë Tjetri i domosdoshëm. Sepse në mungesë të tij ata edhe nuk kanë rastin si ta ushtrojnë këtë model të retorikës politike. Në këtë drejtim, ajo e ndjen veten në vakum tash. Sepse, po shihet edhe si ka rënë intenstiteti i polemikave në këtë dimension. Sot, Albin Kurti nuk ka më se me kënd të përplaset për tema të tilla.

Po ashtu, edhe sa i përket trashëgimisë politike, Kadri Veseli është shumë më afër bie fjala me Gani Krasniqin, Hydajet Hysenin personalisht, apo me familjarë të disa individëve në këtë subjekt, dhe me këtë nuk po them personalisht me vetë ata, sepse dihet çka ka ndodhur në ndërkohë, se sa me familjarët e disa personave në vetë strukturën drejtuese të PDK-së. P.sh. historia e lidhë atë shumë më shumë me të afërmit e Liburn Aliut, Albulena Haxhiut, Glauk Konjufcës, Afrim Hotit, se sa bie fjala me familjarët e vetë kryetarit të PDK-së, Bernard Nikajt, apo Besa Rama-Kabashit etj.

Me të parët dikur ishte në frontin e përbashkët të rezistencës kombëtare. U mobilizuan nga të njëjtat ideale. Qëllime historike. Dhe aspirata politike. Shpeshherë më është dukur i pikëlluar për përçarjet që i kishin ndodhur këtij krahu politik, pas përfundimit të luftës. Madje, një herë më foli për një rast, që kurrë tha nuk mund të më davaritet nga kujtesa, ku një i afërm i Afrim Zhitisë , si i vogël merrte gurë për të hedhur mbi policinë e shteti serb.

Te ai, tha pashë vullnetin e një njomëzaku, për t’u mos u pajtuar me shtypjen. Gjë që nuk e kam dëgjuar të fliste me të njëjtin pasion për një pjesë të atyre që sot janë akomoduar në kryesinë e partisë, që e drejtoi për një kohë. Nuk kishte kujtime për fëmijërinë e tyre. Që tregon se asgjë nuk i ka bashkuar dikur.

Ndërkaq, nga ajo që e kam parë te një pjesë e zyrtarëve drejtues të kësaj partie, me këtë s’po e gjeneralizoj këtë kategori, kanë dëshmuar se si të vetmet motive që i njohin janë frika dhe interesi. Kurse, që nga koha e Makiaveli-t, dihet roli i këtyre shtysave bizare politike. Po ashtu, janë imun sa i përket dimensionit të vetëdijes historike. I kam parë se si silleshin sa ishte ai këtu. Dhe se si u transformuan brenda natës, pasi e dorëzoi drejtimin e partisë.

Kështu, e kuptova se sjellja e tyre më shumë ishte e kushtëzuar nga frika prej tij, se sa mirëfilli nga respekti. Aktronin gjatë gjithë kohës se si t’i mbronin interesat e tyre. I subordinoheshin autoritet të tij për hir të tyre. Kurse me largimin e tij nga skena u çliruan nga ajo frikë që i torturonte në vazhdimësi për fatin e tyre politik. Dhe kështu e ndjen vetën të lehtësuar për t’i hapur rrugë vetëm interesave të tyre. Këtë e dëshmon edhe fakti se si i heshtën disa nga temat që ua la ai amanet, në mënyrë tinëzare.

Kurse, Vetëvendosja me këtë largim humbi kundërshtarin e saj kryesor, nga konflikti me të cilin e merrnin kuptimin e ekzistencës së tyre politike. Prandaj edhe kishte të drejtë miku im, kur me tha se sipas të gjitha gjasave të parët janë të pikëlluar kurse të dytët mund të jenë të lehtësuar në aspektin psikologjik nga ky arrestim. Sepse, Vetëvendosjes i pengon që betejën për historinë, përsëri duhet ta zhvillojë Kadri Veseli. Madje, tash në një nivel tjetër. Kurse, për këtë pjesë të PDK-së, për të cilën po flas, me rëndësi që ai nuk është këtu, që të veprojnë të lirë nga mungesa e prezencës së tij.

Të ngjashme