Kuvendi primitiv

Prishtinë | 04 Shk 2020 | 17:49 | Nga Daut Dauti

Pos formimit të qeverisë, një gjë tjetër për çdo lakmi që ndodhi në Kuvend, ishte drejtimi i seancës nga Arbërie Nagavci. Mënyra e rjedhshme e të folurit të saj me kuptim dhe konform autoritetit të pozitës, ishte mbresëlënëse. Ekzistonte përshtypja se e shihje udhëheqësen (speaker) të parlamentit britanik apo kongresit amerikan.

Por, pjesa kritike, të cilën ne nuk duhet ta anashkalojmë, ishte ajo kur folën përfaqësuesit e opozitës. Kjo ishte pjesa që shkakton brengosje në mendjen e shëndoshë të njeriut. Problemi nuk qëndron shumë në faktin që shumica mezi i lexonin fjalimet e ‘tyre’ me belbëzime turpëruese. Problemi qëndron te përmbajtja e fjalimeve dhe ne nuk duhet ta kalojmë këtë gjë vetëm me humor dhe shpotitje. Fjalimet e tyre përmbanin mungesë serioze të edukatës, kulturës politike dhe njohurive të përgjithshme që përshkoheshin me një urrejtje ekstreme. Këtu është fjala për deputetët e opozitës por ne e dijmë që as pozita nuk është pa deputetë të këtillë.

Këtë problem serioz mund ta analizojmë duke e parashtruar një pyetje: pse nuk u vie turp këtyre deputetëve kur e dijnë që të folurit e tyre gërditës nuk përfundon në sallë por transmetohet në të gjitha shtëpitë tona? Këta kuvendarë e dijnë përgjigjen dhe nuk merakosen fare për këtë punë. Ata e dijnë që disa qindra mijëra nga këta shikues kanë votuar për ta dhe tashti mundohen t’i kënaqin me këso fjalime.

Pra, problemi nuk qëndron vetëm te këta deputë por te një pjesë e madhe e shoqërisë sonë. Tek e fundi, janë votuesit që i sollën në kuvend këta njerëz. Votuesi identifikohet me ta. Votuesi e sheh vehten në personalitetin e tyre dhe e qet votën në kuti për ta. Me fjalë tjera, shumica nga ne jemi të tillë. Ata që brengosen seriozisht dhe deri në trishtim për këtë situatë, duket se janë pakicë.

Ne nuk kemi bërë asgjë derisa në kuvend dhe qeveri nuk e sjellim politikanin e arsyeshëm dhe modern, i cili kundërshtarin politik nuk e sheh si armik. Për fat të keq, duket se kjo gjendje nuk ndryshon shpejt. Kjo qeveri, me ndryshimet e saja, sidomos në arsim, duhet të mundohet që ta ndryshoj këtë gjendje. Përndryshe, as qeveria nuk ka ndonjë sukses në një ambient ku e keqja dhe primitivja vazhdojnë të jenë vlera pozitive.

Të ngjashme