LDK, Kurti & Osmani, NATO

Prishtinë | 17 Shk 2021 | 20:51 | Nga Ekonomia Online

(Editoral nga Albanian Post)

Fitorja e plotë e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit shpërfaq kolapsin dramatik të dy blloqeve të partive që dominuan skenën politike të Kosovës në tri dekadat e fundit.

Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë e lavdishme të liderit historik Ibrahim Rugova, që u kujdes për shpalljen e Republikës së parë më 1991 dhe udhëhoqi rezistencën paqësore, ky është kolaps i dytë i madh pas luftës: si edhe më 2007, sërish humbi gjysmën e elektoratit krahasuar me votën që e kishte 16 muaj më parë.

Edhe partitë e “krahut të çlirimtarëve’ nuk kaluan mirë në ditën e Shën Valentinit. Partia Demokratike e Kosovës, e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit humbi çerekun e votuesve, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e Ramush Haradinajt gati po aq, ndërkaq Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt nuk e kaloi fare pragun dhe s’do të jetë më as opozitë parlamentare.

Për komandantët e luftës, ngushëllues është fakti se garuan pa liderët e fuqishëm që po gjykohen në Hagë, andaj edhe objektivin e kishin më modest: të humbin sa më pak votues.

Ndërkaq, për LDK-në, që më 6 tetor 2019 ishte gati e barabartë me LVV-në, 14 shkurti erdhi si përmbytje: vetëm gjysma e votuesve u tregua besnike e partisë, teksa gjysma tjetër e votoi disidenten Vjosa Osmani, që garoi përkrah Albin Kurtit.

S’duhet bërë hetime të thella që të kuptohet se 100 mijë vota që i munguan LDK-së e ndoqën Osmanin, e cila u rreshtua me Kurtin në kursin për ndryshime të thella politike dhe shoqërore.

Tërmeti që e goditi LDK-në nxiti dorëheqjen kolektive të drejtuesve të partisë, të cilët përfundimisht e kuptuan gabimin trashanik që e kishin bërë me Vjosa Osmanin.

Garda e vjetër e LDK-së, me në krye Isa Mustafën, nuk deshën ta lexojnë qartë disponimin suksesiv të votuesve të partisë, që më 2017 dhe 2019 me numra të konsiderueshëm parapëlqyen qëndrimet “disidente” dhe reformiste të Vjosa Osmanit.

Për më tepër, edhe një grup tjetër i të rinjve kërkonte ndryshim të kursit të partisë, edhe pse nuk ishin aq radikal në prishjen e “rendit të odës”, në oxhakun e LDK-së.

Albin Kurti mjeshtërisht ndërtoi strategjinë e përçarjes së LDK-së duke ushqyer, pas 6 tetorit të vitit 2019, aleancën fitimprurëse me Vjosa Osmanin.

Ai me paramendim provokoi rrëzimin e “qeverisë së shpresës” me LDK-në, në kohë pandemie, duke ia lënë fajin zhvatësve dhe kapsëve të shtetit (LDK, PDK dhe të tjerët).

Madje, në mënyrë të koduar, Kurti e pati pranuar kurdisjen, kur deklaroi, natën e shkarkimit, se rrëzimi i qeverisë “ka qenë (akt) i domosdoshëm, për ngritjen e mëvonshme”, duke aluduar se do të vinte dita e “hakmarrjes”, gjë që edhe ndodhi më14 shkurt.

Por, Kurti & Osmani nuk do ta kenë të lehtë barrën e pushtetit, ndonëse i plotësojnë parakushtet, si asnjë qeveri më parë, për qeverisje me numra stabil dhe mandat të plotë.

Vështirësitë që i ka patur qeveria parparake e Avdullah Hotit me pandeminë dhe krizën ekonomike, do të vazhdojnë edhe këtë vit, e edhe disa vite në vijim. Ndoshta duke marrë edhe dimensione më alarmante.

Kurti dhe Osmani e kanë magjepsur shumicën e votuesve me premtimet e mëdha për vendosjen e rendit dhe drejtësisë në shtetin e Kosovës.

Por, nuk do ta kenë lehtë që këto premtime t’i përmbushin shpejt dhe pa pengesa, sidomos nëse nuk vazhdojnë me kultivimin dhe fuqizimin e aleancave strategjike politike dhe ekonomike me vendet mike të Kosovës.

Kosova nga Kurti pret më shumë përgjegjësi dhe guxim në komunikim me SHBA-në dhe BE-në, për çështjet që si mund të jenë dakordësuar si prioritet i kujdesit gjeostrategjik të fuqive perëndimore.

Qeveria e re mund të thirret në mandatin që e ka nga populli për të mos i dhënë prioritet dialogut me Serbinë duke u bazuar në sondazhe dhe duke kushtëzuar dialogun me kërkesat “tona”.

Por, pastaj mund edhe mos të ketë rrugëdalje pos që të dialogojë, pa kërkesa e krekosje, duke vallëzuar me muzikën që e orkestron Perëndimi.

NATO (Kfor-i) mbetet garant i sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës dhe rajonit dhe nuk i nënshtrohet sovranitetit të votës popullore. Për më shumë, edhe sovrani i votës popullore e di shumë mire këtë: sovrani nuk ia dha votën Kurtit dhe Osmanit për ta “çliruar” Kosovën nga NATO, por që ta bëjë Kosovën anëtare të NATO-s.

Të ngjashme