Letra e pensionistit nga Prishtina: Shqipëri, ti po këndellesh!

Prishtinë | 17 Sht 2017 | 15:00 | Nga

Shqipëri, ti po këndellesh!

Pesë vjet nuk kisha qenë në Shqipëri. Shumë, thua se të ishte koha e Xhaxhit!
Mu mbush mendja krejt papritmas ditë më parë ku tjetër pos në Velipojën e gjakovarëve, kështu themi ne nga Kosova.
Në kufi nuk presim as pesë minuta dhe askush nuk na kërkon dokumente identifikimi. Kjo mëkëndellie më mbushi me shpresë se kështu do ta bëjmë udhëtimin një ditë anembanë Evropës, por kur, veç një Zot e di!

Atë mëngjes përmallohem kur shoh Kuksin me të cilin jemi të lidhur ne kosovarët, nuk e di se pse por sidomos nga lufta e fundit na ka ngelur kujtim për mikpritjen, dhe të mos i mbete that pjesës tjetër se deri në Sarandë Shqipëria hapi dyert e zemër për t`i pritur siç pritet vëllau!

Ndahemi nga Kuksi për të vazhduar Rrugës së Kombit e cila bëri historinë dhe dy pjesë shqiptarie i afroi e thuase edhe i bashkoi!
Me t u kënaq zemra! Ai tuneli historik…Asgjë mangut Zvicrës ose Gjermanisë!

Por kjo rrugë tash në Shqipëri sa herë afrohen fushatat zgjedhore problematizohet, tirret e mbështillet e thuren historira, madje akuzohen edhe ish liderë por edhe ata të sotmit që dikur ishin ministra të transportit. Shqiptarë jemi, kështu po veprojmë edhe ne në Kosovë por edhe shqiptarët në Maqedoni – prekim dhe lëndojmë plagët e vjetra madje duke mos zgjedhë as fjalët…

Po, njëmend rrugë e lënë përgjysmë kjo s ka fjalë! Aty ku ka shtet mund të hapet procedura e rregullt gjyqësore dhe të dali sheshit njëherë e mirë se pse nuk u krye siç ishte projektuar apo mbaruan mjetet, apo ‘’avulluan’’ apo i hangri macja por të ngeli rruga me një korsi cok nuk është normale për një shtet që po përpiqet ta zë hapin për Evropën e civilizuar!

S po përmendi emra, sepse këtë e bëjnë në Kuvendin e Shqipërisë dhe kujtoj se nuk është e ndershme të akuzohen ata e jo edhe këta për gjynahet që kanë bërë dhe po bëjnë fatkeqësisht sot e gjithë ditën…
Autobusi ynë merr drejtimin e Shkodrës, përkatësisht të Velipojës. Ecën me ngadalë sepse sipas shoferit “nuk guxojmë mbi 60 km në orë”. Dhe ndeshim në patrulla të policisë rrugore të thuash në çdo 5 kilometra. Ani, shumë mirë, i vie era shtet!

Velipoja! Rruga deri atje e ngushtë por që po atë ditë u ndeshëm me eskortën e Edit i cili kishte qenë në këtë lokalitet për të premtuar se rrugë e re do të bëhet. Pava ca punëtorë që hidhnin dhe me lopata por asnjë eskavator, ndonjë makineri e rëndë, sigurisht se Edi nuk do t i hajë fjalët e veta, burrat e mbajnë fjalën!

Takimi im me Velipojën pas pesë vitesh ishte i përmallshëm…Kishte ndryshuar qyteza, ndërtesa të reja, hotele një pas një, një stacion i autobusëve që dikur s i ngjante as kullosës. Rrugë që ishin asfaltuar anipse përngut dhe shkel e shko, por disi mu duk shumë më mirë se dikur…
Plazhi plot kosovarë shumica pleq si unë që kishin ardhë në këtë kohë t i ikin diellit të fortë.

Ajo që dua ta them hapur është se njeriu i këtushem ka filluar të ndryshoj mendje e qëndrim ndaj punës dhe mysafirit! Para 5 vjetëve kamarieri çirrej kah unë pse ulesha në fund të oborrit të kafiterisë dhe me tërë gërmazin më thoshte “Eja more këtu, s kam kohë të të ndjek unë ty! Hej, punoj 12 orë për 120 euro e flej në bodrume të hoteleve”! Ashtu ka qenë por kështu nuk më priti tash asnjë kamarier, pas pesë viteve! Më gëzoi kjo. Madje në hotelin “Holiday” dolem se ishim të afërm për nga fisi Thaç, sepse të parët e mi kishin zbritur në Junik nga Iballja e Mbishkodrës, e stërgjyshi im kishte qenë njëfarë Markafrroku…ku ta dijë unë, e më vonë ishim islamizuar me zor a me hatër këtë do ta thonë historianët me shkencë e pa inate e mllefe siç po vperojnë nganjëherë!
Në dyqane takoj shitës mikpritës që nuk bërtasin si dikur, gjithku kamera sigurie, vërejtje “pajisuni me fletëpagesa”, rrugës nuk shoh vetura të parkuara do si do si para 5 viteve, as zhurma të sirenave nuk të nervozojnë si në dasmat e Kosovës…

Rrugët e pastërta, kafiteritë ku ka rregull e mikëpritje. Plazhi i pastërt, me çadra të rendisura me pagesë 300 lekë (131 lekë këmbehej 1 euro), pedonalja që zbukuronte plazhin, wc publike anipse për to nuk kujdesej njeri kurse pushuesit, shumica pra kosovarë kishin treguar kulturë të ulët sa i përket mirëmbajtjes së këtyre wc-ve! Kur jemi te këto wc më bëri përshtypje se më datën 10 dy njerëz nga komunalia erdhën dhe ua vun dryrin, duke shtuar se “sezoni veror ka përfunduar”!

Në rërën e pastërt edhe dushe që punojnë, edhe ambiente ku mund të ndërrosh rrobalarjet, edhe shporta të mbeturinave por edhe pushues që u vinte mërzi të merrnin bërllogun secili të vetin për ta qitur në ato shporta anipse mjaft të vocrra…

Në krye kreje të Plazhit të Velipojës po ndërtohej një resort turistik, i madh për nga shtrirja. Përmendej një emër lideri se qëndron pas këtij investimi bukur të madh, po sikur velipojanët e thonë në katër sy se pas çdo ndërtimi më të madh se dy kate qëndron dikush nga “ata lartë“…Madje për një godinë të kryer të një hoteli që kishte shtrirë themelet gati te rera e plazhit, dëgjova gjithëfarë thashetheme nga më të ndryshmet, si në Kosovë për të tilla objekte që u ngriten me “leje t Bajram Begit” dhe në mbështetje të “atdhedashurisë” dhe “sakrificës” që “ata” paskan bërë për vatan e për popull të vuajtur!

Këto ditë pushova e nuk e lodha mendjen duke përcjellëlajmet n[ televizione…Në plazh më tha një mik nga Prishtina se Ramushi u zgjodh kryeministër kurse Veseli kryeparlamentar, se tri ditë me vonë në Tiranë erdhi ministri i jashtëm i Kosovës, Behxhet Pacolli dhe takoi krerët e shtetit shqiptar kurse unë me kosovarët e mi rreziteshim në plazhin e Velipojës anipse dy ditë na përcolli një shi dhe dallgë deti nga zhurma e të cilave më merrte gjumi dhe thuase më përkundnin…

+ + +
Do ta përfundoj këtë shkrim me kujtimet e mia nga viti 1970 kur si gazetar përcolla Festivalin e 9- tëtë Këngës në Radiotelevizion, ato takime të paharrueshme me kompozitorë e këngëtarë të njohur si Kongoli, Çesk Zadeja, Avni Mula, pastaj me shkrimtarët Ismail Kadare e Dritëro Agolli, poetin kosovar e kryengritës edhe në Tiranë Avni Gjakova, shokun tim nga gjimnazi i Gjakovës, Esat Cërmjani, i cili kishte ikur ilegalisht në vitin 1964 për të mos dëshmuar në gjykatë e polici ndaj shokut të tij të fëminisë Teki Dërvishi (shkrimtarit e dramaturgut, tash të ndjerë) i cili bëri burg të rëndë prej 3 vitesh në Goli Otokun e njohur të ish Jugosllavisë…

Nga ajo kohë më mbeti shok dhe mik gazetari dhe eseisti Xhezair Abazi, me të cilin gati çdo javë tash debatojmë në FCB. Këtë herë nuk pati mundësi të vinte në Shkodër si herën e kaluar me ç rast u çmallëm jasht mase.

Por këtë herë anipse në telefon, ia dëgjova zërin aktorit të mirënjohur Mirush Kabashi, gjakovar me rrënjë, të cilit ia kisha dërguar përmes postës librin tim të kujtimeve Libri i Gjakovës. Më erdhi mirë që i kishte rënë në dorë më në fund pas shumë përpjekjeve që kisha bërë…Më tha se ishte çmallur me ato që kishte lexuar…Më erdhi mirë do e pranoj! Me premtimin se do të vijë Mirushi kësaj vjeshte në Gjakovën e tij dhe të timen në një manifestim kulturor, u ndam me dëshirat më të mira për ne, për Kosovën e Shqipërinë…

Sa më erdhi keq që nuk do të jam në Tiranë më 23 shtator në koncertin e madh që do ta mbajë i talentuari i violinës Shkëlzen Doli!
Dhe, pse të mos e themi por edhe të punojmë, ju e na së bashku, për një të ardhme më të mirë sepse shekulli 21 është shekull i Shqipëtarëve!

U pafshim për gëzime!
Esad DUJAKA, pensionist nga Prishtina.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme