Linçimi i një qytetareje të pafajshme!

Prishtinë | 30 Maj 2019 | 10:02 | Nga Ekonomia Online

Dje, në disa medie elektronike (portale) doli një dezinformatë se: “rrugëve të disa qyteteve të Kosovës, një mashkull i maskuar si femër po i vjedhë fëmijët…” pas së cilës u përhap një panikë me ç’rast prindërit që i kishin fëmijët në shkollë brengoseshin  ndërsa edhe fëmijët i thërrisnin prindët e tyre duke u thënë: “kjo grabitësja është afër shkollës, afër Viva Fresh Store, në oborr të Albit dhe në shumë adresa të tjera…” . Edhe në KMDLNj thërrisnin duke kërkuar ndonjë informatë. Dje u pa se çfarë peshe ka një dezinformatë dhe çfarë roli negativ luajnë disa media që trillojnë sesnsacione e që për pasojë kishte përhapje të paarsyeshme të frikës.

Po e njejta qytetare, e përkatësisë rome dje pa asnjë arsye dhe pa asnjë faj iu nënshtrua një degradimi dhe linçimi publik me ç’rast, në Lipjan iu rrezikua jeta nga një grup huliganësh që, përveç se e fyenin në baza racore, e gjuanin me gurë duke ia rrezikuar jetën. Për KMDLNj-në është befasuese dhe shqetësuese pse kalimtarët e rastit, qytetarët e Lipjanit nuk reaguan kundër këtyre sjelljeve huligane duke u bërë kështu pjesë pasive e një linçimi publik në baza raciste.

Liria e lëvizjes është e garantuar me të gjitha dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe këto liri mund t’i kufizojë vetëm ligji e që në rastin konkret ishte e kundërta; ligji nuk e mori në mbrojtje një qytetare të pafajshme që u rrezikua nga një grup huliganësh.

KMDLNj e dënon ashpër këtë dhunim të drejtave të njeriut, të lirisë së lëvizjes dhe të drejtës për jetë të një qytetareje të pafajshme e cila me asgjë nuk e ka provokuar mllefin dhe dhunën ndaj saj.

KMDLNj kërkon nga organet e hetuesisë që ky rast të trajtohet me urgjencë dhe të gjithë ata që janë përgjegjës të nxirren para organeve të drejtësisë.

Të ngjashme